A është anulluar koncesioni i parkimeve në Vlorë? Investigimi: Nëse ndodh, bashkia duhet të paguajë 2.2 mln euro kompensim
Çfarë do të ndodhë me konçesionin e parkimeve në Vlorë, për të cilin u tha se është anulluar? Investigim.al trajton këtë çështje duke zbardhur kontratën e nënshkruar mes Bashkisë dhe kompanisë së vetme në konkurim. Në të parashikohen kushtet e kontratës, shkeljet, përfitimet, penalitetet dhe detyrimet e kompanisë fituese. Kjo kompani koncesionare krijoi bashkimin e përkohshëm të dy kompanive të regjistruara në Delaëere të SHBA dhe Rosh Pina të Izraelit dhe specifikisht “Tis Holdin LLC” dhe “On Track Innovations LTD”. Kontrata e nënshkruar mban datën 6 shkurt 2015 dhe ka numrin e protokollit 496. Nënshkrimi i saj erdhi pas miratimit të këshillit bashkiak më 11 dhjetor 2014 dhe firmosjes më pas të ligjshmërisë së këtij vendimi nga prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha.
Kontrata parashikon që kompania koncesionare të menaxhojë për 15 vitet në vijim (180 muaj) 25 rrugë të qytetit të Vlorës ku çdo qytetar që ka një makinë do duhet të paguajë 50 lekë për çdo orë parkimi. Vetë Bashkia e Vlorës do të përfitojë për dy vitet e para 10 milionë lekë në vit, ndërsa në vitin e tretë të koncesionit kësaj vlere prej 10 milionë do t’i shtohej edhe 2% e xhiros vjetore të kompanisë për çdo vit në vijim. Komisioni i dhënies me koncesion i Bashkisë së Vlorës ka bërë edhe planifikimin për shfrytëzimin e vendparkimeve për periudhën 10-vjeçare, por në finalizim kjo kontratë ka tejkaluar edhe parashikimet duke u nënshkruar për 15 vite.
Për shkelje të kushteve të dhënies me koncesion flet edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditit të bërë në mars 2015, ku rezultoi se në kontratë parashikohet dhënia me pagesë edhe gjatë ditës së shtunë të parkimit në Vlorë për vetëm 13 rrugë, por komisioni këtë nuk e kishte parashikuar megjithëse kontrata i ka të përcaktuara dhe rrugët edhe oraret. Por vetëm në këtë pikë, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, i shkaktohet dëm buxhetit të bashkisë 218 milionë lekë (të reja) për periudhën 10-vjeçare të koncesionit pasi këto para përvetësohen nga kompania vetëm nga mosllogaritja e ditës së shtunë nga komisioni i bashkisë për koncesionin.
Nga 25 rrugë që do të jepen me koncesion për shërbimin e parkimit ka edhe disa prej tyre që nuk plotësojnë kushtet më minimale për të qenë rrugë dhe jo më të shfrytëzohen për parkime. Investigim.al ka kontaktuar edhe me ish-kryebashkiakun Shpëtim Gjika për këtë koncesion, por ai refuzoi të komentojë mbi këtë koncesion të propozuar nga vet ai. As kryebashkiaku i ri i zgjedhur, Dritan Leli, nuk ka pranuar të kthejë një përgjigje për këtë çështje. Madje listës së refuzimeve i janë shtuar edhe deputetët e zonës Koço Kokëdhima dhe Arben Ristani.
Në një shifër të përafërt nëse kompanisë do t’i anulohet kontrata e koncesionit, e cila sipas deklarimeve publike me gjasë do të ndodhë, kompanisë do duhet t’i paguajë buxhetit të Bashkisë së Vlorës rreth 2.2 milionë euro kompensim dëmi. E gjithë kjo shumë do të paguhet nga taksapaguesit vlonjatë. Në rast mosmarrëveshje për zgjidhjen e kontratës, kompania i drejtohet gjykatës nderkombetare të arbitrazhit.
Add new comment