Nis "ndalim qarkullimi"
Shqiptarët po bëhen sërish problem për emigracionin. Janë raste si këto kur të gjithë ne kemi fatin të ndihemi popull i madh numerikisht. Kjo ngase valën e tyre të jashtëzakonshme prej 4% të totalit të kërkesave në të gjithë BE-në po e ndjen edhe një nga vendet në të mëdha në Europë, Gjermania. Aq sa e ka kthyer azilkërkimin e shqiptarëve në një çështje thelbësore në marrëdhëniet dypalëshe. Mund të thuhet pa frikë se një nga arsyet e vizitës së Angela Merkelit në Tiranë, ishte edhe qartësimi i “Jo-së” gjermane ndaj shqiptarëve që duan të punojnë në Gjermani(së fundmi u hodh poshtë edhe propozimi për vizë pune).
Çfarë përfaqëson emigracioni shqiptar në kuptimin e shifrave?
Sipas raporteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sot në botë ka rreth 232 milionë emigrantë. Një shifër që përbën lëvizjen më të madhe të popullsisë në shkallë globale që nga Lufta e Dytë Botërore. Parashikohet që përgjigja ndaj këtij fenomeni mbetet të jetë vetëm pranimi i emigrantit, ose i konceptit të shoqërive diverse, pasi këtë kërkesë e shtron më së pari ekonomia.
Shqiptarët në kuadrin europian konsiderohen si një nga popujt me më shumë emigrantë, qoftë ky edhe emigracion i paligjshëm, i cili ka njohur rritje sërish këto dy vitet e fundit.
Po si qëndron puna e fluksit migrator në Europë? A është e përligjur kjo zhurmë e madhe që po bëhet për shqiptarët?
Ja se çfarë shkruan ndër të tjera, Raporteri Special i OKB-së për të Drejtat e Migrantëve, François Crépeau në raportin përmbledhës për vitin 2014: “FRONTEX raportoi se në katër muajt e parë të 2014-ës, imigrimi ilegal ishte më i larti që nga viti 2007 me 100 mijë kalime të parregullta. Edhe kërkesat për azil janë rritur ndjeshëm. Me arritjen e kulmit të tyre më 1992(670 000), sërish më 2001(424 000), numri i kërkesave ra në vitin 2006 poshtë shifrës 200 000...Në kontekstin global përmasa e zhvendosjes së njerëzve në Europë për shkak të emergjencave humanitare është ende e vogël; në fillim të vitit 2015, 1.3 milionë refugjatë u regjistruan në Liban dhe 1.9 milionë në Turqi. Krahasimisht me këto, BE-ja pati rreth 620 000 aplikime për azil në vitin 2014”(http://www.ohchr.org/EN/HRBodies/HRC/RegularSessions/Session29/Documents...).
Nëse i referohemi të njëjtës periudhë, pra fillimit të vitti 2014, kërkesa të shtetasve nga Shqipëria, ishin 8 000(http://shqiptarja.com/aktualitet/2731/azilk-rkuesit-eurostat-8-mij--k-rk...). Praktikisht Asgjë. Sot që flasim ka një shifër të re dhe është zyrtare nga Komisioni Europian: në tre muajt e parë të vitit 2015, në të gjithë hapësirën e BE-së janë dorëzuar 185 000 aplikime për azil, nga të cilat në Gjermani 73 000. Në rang të përgjithshëm “në total për tre muajt e parë të vitit 2015, shqiptarët përbëjnë 4% të aplikuesve për azil. Dy vendet më të preferuara nga shqiptarët janë Gjermania dhe Irlanda”(http://www.gazetadita.al/azilkerkuesit-shqiptaret-pas-gjermanise-prefero...).
4% e kërkesave nga Shqipëria dhe problemi është alarmant. Raporti i Raporterit Special vlerëson ndër të tjera punën shumë të mirë të Italisë në adresimin e këtij problemi “pavarësisht krizës ekonomike”. Një tjetër e dhënë që meriton vëmendje është se sipas OKB-së emigrimi nga vende si Greqia, Spanja, apo Irlanda mes viteve 2007-2011, u dyfishua për shkak të krizës ekonomike. Alarm nuk pati.
“Shteti” shqiptar, përçmues i qytetarëve të vet
Në këtë situatë, që ka ardhur duke u bërë prezente sidomos muajt e fundit, mund të pyetet: çfarë ka bërë “shteti” shqiptar? Për ta thënë troç: atë që ka ditur të bëjë më mirë qysh kur erdhi në ekzistencë: ka bastisur qytetarët e vet. Në kuptimin e shkeljes me të dyja këmbët të të drejtave që në letër ua siguron po vetë. Ose duke ndjekur praktika poshtëruese. Rasti më i fundit është deklarata e zv.ministes së Brendshme, Elona Gjebrea, dje në Kakavijë, ku ndodhej pikërisht për këtë arsye. Por edhe si "agjente" PR e shqetësimeve të Gjermanisë. Ja se çfarë tha zonja në fjalë në një komunikim me mediat: “Jam këtu sot për të bërë një vizitë pune me drejtuesit e Policisë Kufitare dhe pikërisht për të parë procedurat e punës, ashtu sikurse edhe bashkëpunimin me oficerët e Policisë federale gjermane, të cilët po mbështesin dhe asistojnë oficerët e policisë sonë kufitare...”, tha ajo. Më tej edhe qershia mbi tortë: “Është shumë e rëndësishme që procedurat e intervistimit të bëhen konform të gjitha rregullave që ka marrëveshja e lirë në vendet Shengen. Sigurisht ka gjithmonë një profilizim të riskut të qytetarëve së bashku me familjet të cilët lëvizin”.
Kjo është thuajse e papranueshme. Për çfarë vallë e paguajmë policinë e “Shtetit”?
Pyetja tjetër që mund t’i drejtojmë zonjës zv.ministre është: Zonja zv.ministre ku konsiston asistenca e policëve gjermanë? Çfarë kuptoni me “profilizim të riskut të qytetarëve së bashku me familjet të cilët lëvizin”: të dhëna kraniometrike, paraqitje kompromentuese, erë e papranueshme për hapësirën BE, rroba që janë indikatorë të kandidatëve për azilantë, dhëmbë të prishur, grim i rënduar prej provinciali që lëviz me lekë borxh? Mbi cilat kritere pra do të operojë kjo prezencë gjermane në kufi?
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Ka një raport defiçitar të shtetasit shqiptar me institucionet shqiptare në kuptim të njohjes së të drejtave të veta. Kjo, bashkë me bandën e gjykatave(term i përdorur nga kryeministri aktual) bën që institucionet të livadhisin. Përndryshe, shteti do të duhet të gjente zgjidhje të tjera. Ja se çfarë tha sërish zv.ministrja e që na bën të kuptojmë se nëse gjithkush do ndiqte të drejtën e vet, “shteti” do rrënohej. “Në qoftë se një person nuk plotëson rregullat që duhet për të lëvizur në vendet Shengen, policia kufitare është autoriteti përgjegjës që e refuzon daljen e personit. Ashtu sikurse çdo qytetar, në qoftë se ndihet se i është cenuar e drejta, ka të drejtë që të plotësojë një formular në kufi dhe ky formular pastaj shqyrtohet, qoftë nga strukturat e Policisë, por edhe nga Gjykata. Nuk na rezulton që të kemi ankimime... mund të jetë ndoshta një numër shumë i pakët dhe prandaj nuk mendoj që policia kufitare ka cenuar të drejtën e personit për të lëvizur”, tha Gjebrea. Po përse atëherë na duhen oficerët gjermanë në kufi?
Kur vjen puna tek kufizimet në të ardhmen, në ndihmë vjen Kushtetuta që siguron lëvizjen si të drejtë. Ja çfarë thotë Kushtetuta, e cila nuk mund të kufizohet nga rregulloret: “Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit”(neni 38, pika 2). Për sa i përket kufizimeve neni 17 thotë konkretisht: “1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. 2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”.
Minimalisht për këto politika që synon të ndjeke shteti shqiptar do të duhej një ligj i veçantë.
Nga ana tjetër është kompetencë e shteteve pritës të Shengenit që të ndalojnë hyrjen kur ke konsumuar shkeljen e të drejtave që fiton nga marrëveshja në fjalë. Dhe kjo është zyrtare në dokumentin që ka shpërndarë Ministria e Jashtme shqiptare qëkurse lëvizja pa viza hyri në fuqi(http://www.punetejashtme.gov.al/files/userfiles/Levizja_e_lire_ne_vendet...). Çfarë ngjan krejt e pazakontë është fakti se Kakavija e kufizon Shqipërinë me një vend të BE-së, Greqinë, dhe janë autoritetet greke ato që vlerësojnë të drejtën e hyrjes ose jo të shtetasve shqiptarë, bazuar mbi kriteret e përcaktuara qartë. Por jo, në Tiranë kanë menduar që Gjermaninë ta sjellin në doganë.
M. e Jashtme: Azilantët nuk janë vizituar nga ambasadori, pasi nuk ka patur ankesa
Në Gjermani strehohen me mijëra shqiptarë si azilkërkues dhe në zbatim të Kushtetutës, apo edhe praktikave të njohura, por edhe të logjikës, pritmëritë janë që ambasada e vendit tonë në Gjermani të interesohej për ta. Njëfarësoj. Por ja se çfarë ka bërë ambaasada. I pyetur nga “ResPublica”, zëdhënësi i ministrit të Jashtëm, Glevin Dervishi tha: “Ambasadori nuk e ka parë të arsyeshme të shkojë e të takohet, sepse askush nuk ka kërkuar ndihmën e ambasadës. Ndoshta ndonjë takim në nivel konsulli është bërë. Ajo çfarë po bën ambasada është që po u jep autoriteteve të dhënat për çdo person që hyn dhe që kërkojnë”. Pra, ambasada nuk ka marrë kontakte me shtetasit e vet aty, por po ndihmon Ministrinë e Brendshme gjermane të kuptojë me çfarë ka të bëjë në kampet e azilit. Është pak a shumë ajo që do bëhet tani në kufijtë tanë, ku siç raportohet janë vendosur(në Kakavijë) 12 oficerë të Policisë Federale gjermane. E çuditshme është kjo ftohtësi e ambasadës, qoftë edhe sikur të shihet në këndvështrim njerëzor. Por ndoshta në tërësinë e qëndrimeve të "shtetit" shqiptar edhe kjo kuptohet. Pasi edhe njëherë “shteti” shqiptar po provon të hedhë lumin duke shkelur mbi shtetasit e vet, pasi ka dështuar që të përmbushë qoftë edhe 1/3 e nenit 59 të Kushtetutës që flet për objektiva socialë. Sepse për këtë po ikin një pjesë e madhe e shqiptarëve dhe jo sepse u gënjyen nga një ofertë gjermane, apo e ndonjë agjencie. E vërteta historike është se ai që ka vendosur të ikë, do të ikë dhe nuk e ndalon dot kush. Detyra e një shteti normal do të ishte që ikja të mos kthehet në të vetmen alternativë, sepse prioritet për shumëkënd është tashmë prej disa kohësh. Por edhe të konsiderojë disi më shumë vlerën e ligjeve të veta. Në fund të fundit edhe në pasaportë shkruhet se ajo është pronë e shtetit, ndonëse me gjasë kanë harruar të shtojnë se: është belaja e të gjithëve.
s.z
Add new comment