Një Arturo Ui

Postuar në 27 Prill, 2024 15:52

E patë sot Ilir Metën në të ashtuquajturën Konventë të Partisë së Lirisë? Mundet edhe ta cilësojmë shfaqjen e z. Meta si rasti politik i “Ethet e së Premtes” ku vokali i një individi sinkronizohet vetëm me ankthin e tij dhe jo me ndonjë imperativ të atdheut tonë shumë të dashur. Apo mos vallë z. Meta po rithemelon veten nën modelin e një Arturo Ui?

Si mundet një njeri që ka kaluar të gjitha detyrat e larta shtetërore të ulërasë dhe shpërfytyrohet në këtë farë feje? Po si mundet xhanëm një njeri që ka qenë kaq pranë, në mos në mes të informacionit formal dhe informal, befas të kuptojë se ka qenë naiv dhe se për shkak të këtij naviteti i ka shpëtuar situata nga duart? Se madje ia ka hedhur edhe e shoqja, edhe partnerët politikë, e rrezik edhe Sasha, macja që përmend shpesh dhe pa vend?

Si kemi shpëtuar ne si shtet kur syleshë të tillë kanë patur në dorë vendimet më të rëndësishme? Fati, rastësia, këto me siguri kanë qenë në anën tonë.

E megjithatë, a mundet ne sot të besojmë se një leshko i këtij niveli – vetëshpallur si i tillë - të aktrojë me sukses Feniksin që ringjallet e që premton se do ta çojë Shqipërinë në më shumë se 4 milionë banorë? A mund të besojmë se një individ, sjellja e të cilit vë në siklet edhe pemët, gati-gati shtyn edhe dëshirën e pranverës për të ardhur, mund të ketë më besimin real për ca punë publike, kuptohet nëse kanë mbetur ende të tilla në këtë vend?

Metamorfoza e Ilir Metës nuk është e papritur. Ajo është si të thuash thelbi i tij i vërtetë, natyra reale, dominuar nga instinktet dhe intuita dhe nga një përçmim gati fiziologjik për çdo sofistikim. Ne thjesht jemi mësuar me një imazh të administruar televiziv dhe na ka shpëtuar çobani poshtë kostumit.

Megjithatë ne mund të themi se kjo që po bën sot z. Meta, ose më saktë, kjo që po i bëjnë nervat atij, nuk i bën edhe aq dëm vendit. I bën dëm më shumë investimit 30 vjeçar të tij në politikë, pasi po të jetë për ne që sodisim politikën, na jepet rasti të kuptojmë edhe në një sens klinik se kush drejton, si drejton dhe në fund të fundit se cili është niveli ynë- i të gjithëve - për përgjegjësinë publike. Merr më shumë vlerë kjo pasi z. Meta po e mbyll aty ku e filloi “torollaku” Edi Rama, apo aty ku ka qenë edhe Sali Berisha me ofshamat e veta dhe britmat shpellare. Këta jemi në fund të fundit, ndaj mbetet të themi se ne u martuam me Demokracinë pasi ajo ishte zhvirgjëruar.

s.zaimi

Comments

Submitted by Dori (not verified) on

Tek thashethemet e thashethemizuara apo te sajuara ( sepse edhe sajesat mund te sajohen!), verej nje skutheri origjinale per te banalizuar dhe qesharakezuar gjithe c'ben dhe c'thote ai. Ilir Meta keshtu ka qene gjithmone; nuk ka asnje ndryshim ne menyren sesi sillet dhe ben politike; per 3 dekada keshtu eshte sjele dhe ka vepruar.
Pse nuk e quajten te cmendur ne 2008, kur i'u versul Jozefina Topallit, per ta goditur fizikish madje?! Edhe atekohe bertiste me te madhe. Per t'i rene shkurt, kur ka qene ne pushtet dhe i forte, fliste me nje gjuhe te drunjte; kur eshte ne opozite, sidomos ne gjendje shume te pafavorshme, sic eshte sot dhe sic ishte ne 2008-en, bertet me te madhe; por kjo ka mbi 3 dekada qe ndodh keshtu; atehere, pse pikerisht tani u kujtuan ta quajne te cmendur?!
Eshte e cuditshme sesi jane njerezit. Edi Rama mban rekordin e sharjeve nga me rrugaceroret, klithmave me cmendurake - besoj te gjitheve u kujtohet ajo thirrja prej te shkalluari ne nje miting ne mes te Tiranes; doktooooorrrrrrr...!
Mirepo kjo nuk u ben pershtypje atyre qe skandalizohen nga "cmenduria" e Metes, apo idolekti i Berishes sepse.... Rama eshte snob; eshte aq snob, sa kjo mund te justifikoje, ne mendjen e percudnuar te shqiptareve, cdo budallallek, cdo cmenduri, kete radhe te vertete, qe mund te thote e beje.
Me vjen nder mend kur, para disa vitesh, Berisha u perjashtua per 10 dite nga parlamenti, sepse tregoi nje episod cmendurie te Edi RAmes, nga ato te zakonshmit kur eshte me hene, ne nje zderhallje me ministra dhe te ftuar te shumte, ku shante me rob shpie, gjuante me pajata e luge e pirunj Adi Krasten, i thoshte nje ministreje te tij "mos bej si kurve"...! Berisha citimet i kishte te sakta, sepse burimore; megjithate, zonjat socialiste u skandalizuan nga "gjuha brutale" e Berishes, i cili thjeshte thoshte c'kishte thene Rama.
Po keshtu, po ky Rama kur ishte Kryebashkiak i tha nje gazetareje , ne prezence te kamerave qe te mos bente si kurve; po keshtu, po ky Rama ka nje episod nen Pjace, qe e dine te gjithe, dhe qe ka te beje me nje sjellje aq brutale ndaj nje femre, qe ishte edhe e dashura e tij.
Mirepo, te gjitha keto, e shume e shume te tjera, justifikohen automatikisht ne mendjet e shume njerezve, me te qenit snob, pak artist, pak piktor, pak allosoj, pak ksisoj, pak nga gjithe ato gjera, qe per shume shqiptare bejne ate qe konsiderohet modernizem!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.