India nis përpjekjet për ta bërë Rupi-n monedhë alternative në botë

Postuar në 21 Prill, 2024 19:00

Dobësimi i monedhës indiane, rupi, në raport me dollarin amerikan ka sjellë si pasojë rënien e fuqisë së saj blerëse në tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e kostove të importit. India, e cila është e varur nga importi i naftës, po e vuan zhvlerësimin e monedhës vendase. Për të lehtësuar këtë barrë, në korrik të vitit të shkuar India nënshkroi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara, për të blerë naftën në rupi, raporton India Times.

Po ashtu, edhe naftën që importon nga Rusia, India e paguan në rupi. Aktualisht, India importon naftë të papërpunuar nga 39 vende, pra një hapësirë ​​e gjerë për një marrëveshje të tillë me vendet e tjera.  Përpjekje për marrëveshje të tilla po bëhen edhe me Tajlandën, një destinacion që indianët po e zgjedhin gjithnjë e më shumë për pushime jashtë shtetit.

Banka e Rezervave të Indisë ka krijuar mekanizmat për zhvillimin e tregtisë me tetëmbëdhjetë vende të tjera, po në rupi. Të gjithë këta hapa të përdorimit të monedhës indiane si mekanizëm pagese në vend të pagesës në valutë të huaj (USD në këtë rast) çojnë drejt ndërkombëtarizimit të monedhës indiane.

Aktualisht, India është ekonomia me zhvillim më të shpejtë në botë dhe shumë shpejt pritet të bëhet ekonomia e tretë më e madhe. JP Morgan dhe Bloomberg e kanë shtuar së fundmi Indinë në Indeksin e Bonove të Tregut Global të Zhvillimit. Kjo e ka inkurajuar qeverinë dhe Bankën e Rezervës së Indisë të promovojnë monedhën vendase.

Ndërkombëtarizimi i saj pritet të kursejë kostot e transaksionit në tregtinë e jashtme dhe njëkohësisht të sjellë drejtpërdrejt dividentë për tregun financiar indian. Flukset e kapitalit në tregun e borxhit dhe në tregun e kapitalit do të rriten ndërsa monedha indiane forcohet dhe qeveria pret që likuiditeti dhe besimi i investitorëve në treg të përmirësohen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.