Izraeli kërkon shpalljen e Gardës Revolucionare organizatë terroriste

Postuar në 16 Prill, 2024 18:23

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, kërkon që Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) të shpallet organizatë terroriste pas sulmit masiv ajror të së shtunës.

Megjithatë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell,e kundërshtoi këtë kërkesë, duke u shprehur se një veprim i tillë nga Blloku nuk është ligjërisht i mundur për momentin.

Në një intervistë për “Le Monde”, Borrell shpjegoi se për një kërkesë të tillë, “një autoritet gjyqësor në një shtet anëtar duhet të konsiderojë se organizata ka kryer një akt terrorist" - diçka për të cilën nuk ka asnjë bazë me sa duket aktualisht.

Gjatë fundjavës, Irani lëshoi disa valë raketash dhe dronë kamikaze në drejtim të Izraelit. Teherani deklaroi se sulmet ishin hakmarrje për një sulm ajror të supozuar izraelit që shkatërroi konsullatën e Iranit në Damask, Siri më 1 prill, duke vrarë shtatë oficerë të IRGC-së, mes të cilëve edhe dy gjeneralë.

Katz njoftoi se u ka dërguar letra 32 vendeve dhe ka folur me “dhjetëra ministra të jashtëm dhe figura kryesore në mbarë botën, duke bërë thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj projektit raketor iranian dhe që Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të shpallet organizatë terroriste”.

Kjo do të ndihmonte në “frenimin dhe dobësimin e Iranit”, argumentoi ministri, duke këmbëngulur se Teherani “duhet të ndalet tani – para se të jetë tepër vonë”.

Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kërkuar Izraelit të mos hakmerret kundër Iranit ushtarakisht.

Teherani ka qenë subjekt i një game të gjerë sanksionesh ndërkombëtare për dekada me radhë për programet e tij të pasurimit bërthamor dhe raketor, pasi Perëndimi dyshon se ky i fundit synon prodhimin e armëve bërthamore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.