Zvarranikët kanë emocione

Postuar në 12 Prill, 2024 16:15

Për dekada të tëra, zvarranikët janë cilësuar si krijesa primitive dhe të ftohta. Por shkencëtarët kanë dalë së fundmi në një përfundim që thotë të kundërtën. Studimet e thelluara kanë treguar se zvarranikët përjetojnë një gamë të gjerë emocionesh dhe se ata janë kafshë sociale shumë komplekse.

"Ata nuk ndjekin të njëjtat rregulla që ndjekin zogjtë apo gjitarët, dhe kështu ne i kuptojmë shumë më pak," thotë konservatori JJ Apodaca, drejtor ekzekutiv i Mbrojtjes së Amfibëve dhe Reptilëve.

Ndërsa gjithnjë e më shumë specie zvarranikësh kërcënohen nga humbja e habitatit, shkencëtarët dhe konservatorët thonë se njohja e kapacitetit të zvarranikëve për emocione mund t'i ndihmojë pronarët e kafshëve shtëpiake dhe politikëbërësit të kujdesen më mirë për ta.

Ankthi, stresi, eksitimi, frika, zhgënjimi, dhimbja dhe vuajtja - të gjitha emocione që njerëzit i përjetojnë përditë, shkencëtarët i kanë hasur edhe te zvarranikët, sipas një studimi të botuar në vitin 2019 në revistë “Animals”.

Gjithnjë e më shumë, studimet mbi zvarranikët po rrëzojnë nocionin e pranuar gjerësisht se ata kanë aftësi vetëm për instinktet e mbijetesës, dhe jo për inteligjencën emocionale. Por pavarësisht provave të shumta shkencore që tregojnë se këta vertebrorë me luspa kanë shumë gjëra të fshehura në thellësi, ata ende konsiderohen gjerësisht si pa emocione.

Ky mit rrjedh kryesisht nga koncepti i "trurit të hardhucës". I popullarizuar në vitet 1970 nga Carl Sagan, termi i referohet pjesëve të trurit të njeriut që ne përdorim për instinktet e mbijetesës. Sipas këtij miti, truri i njeriut evoluoi me kalimin e kohës duke shtuar struktura progresive më të sofistikuara në këtë "tru të hardhucës" rudimentare, duke përfshirë sistemin limbik, i cili është burimi i emocioneve tona.

Për shkak se zvarranikët janë paraardhësit tanë evolucionarë, disa studiues besonin prej kohësh se kjo pjesë instinktive e trurit ishte e vetmja pjesë që e kishte origjinën nga paraardhësit tanë me luspa - dhe se pa struktura të trurit të ngjashëm me njeriun, zvarranikët nuk kishin fare kapacitet për emocione.

Studimi i thelluar i vitit 2019 është një rishikim i 37 studimeve të mëparshme mbi zvarranikët që janë kryer në harkun e viteve 1999-2018.

Në një prej këtyre studimeve është konstatuar rritje e rrahjeve të zemrës te hardhucat, çka tregon përgjigje emocionale. Po ashtu, te breshkat këmbëkuqe u vunë re sjellje të ngjashme me ato të ankthit, kur ato viheshin në një ambient të ri.

Jeta sociale sekrete e reptilëve”, një libër i botuar në vitin 2021 mbi këtë temë, tregon se pavarësisht se nuk janë aq ekspresivë sa gjitarët e tjerë apo njerëzit, zvarranikët kanë rituale komplekse të prindërimit, të gjetjes së partnerit dhe ndërtimit të foleve.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.