Ushtri pa ushtarë

Postuar në 19 Mars, 2024 11:34

Ushtritë europiane nuk e kanë problemin më të madh rekrutimin e ushtarëve të rinj, por mbajtjen e trupave ekzistuese. Ministri francez i Forcave të Armatosura, Sébastien Lecornu, prezantoi këtë javë një plan për për të nxitur personelin ushtarak të mos lërë uniformën. Kjo vjen disa ditë pasi një raport vjetor i paraqitur në parlamentin gjerman tregoi se në vitin 2023, rreth 1 537 ushtarë u larguan nga Bundeswehr, duke e reduktuar atë në 181 514 trupa.

"Ky diskutim bëhet në të gjitha kryeqytetet, në të gjitha demokracitë që kanë ushtri profesionale pa rekrutim," tha Lecornu të hënën, duke përmendur Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. "Në takimet e NATO-s, ne mund të flasim për pajisjet, por tani ne flasim gjithashtu për ... nivelin e mbajtjes së ushtarëvë", citohet ai nga Politico.

Ndërsa Evropa riarmatoset si reagim ndaj luftës në Ukrainë, vende të tilla si Kroacia po mendojnë për të rikthyer rekrutimin. Të tjerë, si Danimarka, planifikojnë ta zgjerojnë atë për të përfshirë gratë. Gjermania e hoqi rekrutimin në vitin 2011, por ndërsa mosha e trupave rritet, po rifillojnë diskutimet mbi një lloj sistemi të shërbimit kombëtar ushtarak.

Për vendet që mbështeten në ushtritë profesionale, sfida është t'i bëjnë forcat e armatosura tërheqëse – diçka që është e vështirë të bëhet në kohë papunësie të ulët, konkurrencë të ashpër nga sektori privat dhe përdorim të gjerë të punës në distancë. Në Francë, personeli ushtarak qëndron në forcat e armatosura mesatarisht një vit më pak se dikur. Në Britani ka pasur një mungesë vjetore të punësimit prej 1 100 trupash - ekuivalente me dy batalione këmbësorie - edhe pse qeveria kontraktoi rekrutimin me firmën private "Capita".

Paratë luajnë një rol për t'i bërë njerëzit të qëndrojnë. Një nga masat kryesore të planit francez është rritja e pensioneve të ushtarakëve duke integruar bonuset; po rriten edhe pagat. Por problemi është se kushtet e shërbimit thjesht nuk janë aq tërheqëse, me orar të zgjatur, mungesë disamujore në familje etj. Në Poloni, qeveria e re në fillim të këtij viti njoftoi rritje të pagave prej rreth 20 përqind në përpjekje për të mbajtur trupat aktuale. Paga minimale mujore për një ushtar po rritet nga 4,960 złoty (1,150 €) në 6,000 złoty. Në përgjigje të kërcënimit në rritje nga Rusia, ushtria polake është rritur nga 95,000 në 2015 në 215,000 këtë vit.

Plani francez përfshin ndihmë për gjetjen e strehimit dhe aksesin në kujdesin shëndetësor dhe kujdesin për fëmijët. Në Gjermani, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen kombëtare, qeveria kërkon ta çojë numrin e forcave të saj të armatosura në 203 000 deri në fillim të viteve 2030 – por rekrutimi po rritet ngadalë. Rekrutimi i grave mbetet një opsion.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.