Blloku Ekonomi
Ekonomia shqiptare, Arben Malaj e Zef Preçi: Prag stanjacioni, po funksionon nën kapacitetet
Studiuesit e ekonomisë shqiptare theksojnë me shqetësim faktin që rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë akoma më poshtë se parashikimet. Në një raport të “Zërit të Amerikës” ekonomia është pothuaj në stanjacion, të ardhurat kanë rënë, po ashtu ranë investimet vendase e të huaja. Ndërsa borxhi dhe deficiti u thelluan. Profesor Arben Malaj i Universitetit të Tiranës, për “Zërin e Amerikës thotë që ritmet e ulta të rritjes ekonomike do të zgjatin kohën për të ulur borxhin, masat do të jenë më të rrepta dhe pasojat sociale do të shtohen.
Gati taksimi i rrugëve dhe mirëmbajtja me konçension nga të huajt
Ministria e Transporteve është duke hartuar listën e rrugëve që do të taksohen me qëllim sigurimin e fondeve për mirëmbajtjen e tyre. Studimi është kryer nga BERZH në bazë të marrëveshjes me qeverinë shqiptarë për Strategjinë e Taksimit të Rrugëve. E reja është se akset e rëndësishme rrugore në Shqipëri do t’i besohen për mirëmbajtje kompanive të huaja. Drejtori i Autoritetit Rrugor të Veriut tha për Ora News se këtë parashikon projekti i ri i qeverisë shqiptare sipas një studimi të kryer me Bankën Botërore, në të cilin janë evidentuar 90 pika të zeza.
Dritan Shano: "Taksa progresive ka dështuar"
Dritan Shano, një prej ekspertëve të ekonomisë dhe koordinator pranë kryetarit të PS-ë, në një prononcim për “Abc New” tha se taksa progresive ka dështuar, ndërkohqë që sipas tij qeveria rishikoi buxhetin vetëm për të bindur FMN të lëvrojë këstin e bllokuar. Por ai thotë se vetë FMN i ka quajtur të larta taksat në Shqipëri, dhe se ato janë arsyeja e evazionit të lartë dhe korrupsionit që ka përfshirë doganat e tatimet. Rishikimi i buxhetit të shtetit duke e ulur atë me 160 milion dollarë, sipas ekonomistit Dritan Shano, është akti më domethënës i rënies së sistemit fiskal të qeverisë Rama.
Vijon pikiata e të ardhurave. A vlen analiza e kryeministrit për këtë situatë?
Dështimi në sektorin financiar po sjell pasoja të mëdha për vendin. Por edhe situata politike të vështira. Kështu nëse përmes aktit normativ të para disa javëve qeveria rishikoi buxhetin në dritën e mosrealizimit të të ardhurave me gati 8.6 miliardë lekë më pak sesa parashikimi për këtë periudhë, shifrat e publikuara nga Ministria e Financave për muajin korrik, janë të tilla që mund të çojnë në një rishikim tjetër të buxhetit.
Bashkia e Tiranës miraton shpërndarjen e 242 banesave sociale
242 familje në Tiranë do të përfitojnë nga shpërndarja e banesave sociale. Këshilli bashkiak i Tiranës ka miratuar projektvendimin për ndarjen e banesave sociale, për të cilin votuan pro edhe këshilltarët e djathtë.
Ky është një akt që zgjidh një problematikë shumë të madhe në Tiranë, për një kategori qytetarësh. Ndërkohë kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, ka deklaruar se në kushtet e bashkimit të Tiranës me disa komuna, do të ecet edhe drejt “bashkimit të paketa e fiskale të komunave me atë të Tiranës, që për momentin nuk do të pësojnë ndryshim”.
Projektligji/Falimenti nuk përfshin subjekte që operojnë në sektorë strategjikë
Qeveria ka propozuar së fundmi projektligjin “Për falimentimin” duke rregulluar me procedurë ligjore shlyerjen e detyrimeve të debitorëve. Projeki në fjalë i njeh juridiksion Gjykatës së Flimentit, e cila do të hetojë “të gjitha rrethanat që kanë lidhje me procedurën e falimentimi”. Po kështu drafti parashikon edhe hapjen e procedurave të falimentit edhe mbi bashkëpronësinë, e heq atë si opsion për investimet strategjike.
Energjia, 500 milionë dollarë investime deri më 2020
Qeveria shqiptare synon të investojë rreth 500 milionë dollarë deri në 2020 për sektorin energjetik. “Pjesa më e madhe e investimeve do të shkojnë për sektorin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, ndërkohë që përparësi do të ketë dhe ulja e informalitetit në këtë sektor. Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare pretendon që, një vlerë akoma edhe më e lartë të investohet në sektorin energjetik nga ana e bizneseve private. Pretendimet e larta të qeverisë vijnë duke marrë shkas nga ndërtimi i gazsjellësit Trans-Adriatik, si edhe përfundimi i tre hidrocentraleve në lumin Devoll.
Rrisku i lartë në ekonomi, Banka e Shqipërisë thotës se po pengon përçimin e politikës monetare
Mekanizmi i transmetimit të politikës monetare mbetet ende i dobët, si pasojë e primeve të larta të rrezikut në ekonominë e brendshme dhe atë të jashtme, shkruan “Monitor” Me këtë argument Banka e Shqipërisë sqaron se politika lehtëuese e interesave nuk ka vepruar për çlrimin e kredive bankare. Por Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë gjykon se, lehtësimi i politikës monetare është reflektuar në reduktimin e kostove të financimit të sektorit publik e privat.
Raporti i Bankës së Shqipërisë: Ekonomia, nën potencialet e saj
Reagimi i ekonomisë shqiptare ndaj politikës monetare stimuluese është jo i plotë, thotë në raportin e tij “Tv Scan”. Ai është i ndikuar nga hezitimi për ndërmarrjen e rrezikut si nga biznesi ashtu dhe nga sistemi financiar. Ky është një nga konkluzionet e Bankës së Shqipërisë në prezantimin e raportit të politikës monetare për tremujorin e dytë. Sipas këtij raporti, ndonëse aktiviteti ekonomik vijon të përmirësohet, kërkesa agregate mbetet e pamjaftueshme për të nxitur një rritje ekonomike pranë nivelit potencial.
Me pushime në Shqipëri. Italianët, turizëm drejt “bregut tjetër”
Italianët mësyjnë në Shqipëri. Vijnë si turistë dhe drejtohen edhe në Kroaci, apo Mal të Zi. “Il Sole 24 ore” raporton se vetëm në fundjavë në portin e Barit kanë kaluar 61 mijë njerëz dhe 14 mijë automjete, prej të cilët 66% kanë si destinacion Shqipërinë. “Numri i rritur konfirmon një prirje në rritje të lëvizjes së trageteve krahasuar me vitin 2014”, shkruan Vincenzo Rutigliano. Shifrat janë në rritje edhe krahasuar me korrikun, duke e vënë Shqipërinë ndër destinacionet turistike me fluks të qëndrueshëm.