200 milionë euro për të mos prerë pemët
Një fond prej 200 milionë eurosh do t’i jepet Rumanisë për të shpëtuar nga prerja pyjet e saj. Skema e miratuar nga Komisioni Europian parashikon që përfituesit e këtij fondi të jenë fermerët rumunë, të cilët në këmbim të pagesës, nuk do t’i presin drurët e pyjeve të vendit.
“Skema synon të mbrojë biodiversitetin, të përmirësojë ekosistemin dhe të ruajë habitatet dhe peizazhet”, thuhet në një njoftim për shtyp të KE.
Vitet e fundit, Rumania është kritikuar shpesh nga BE-ja për dështimin në luftën kundër shpyllëzimit të paligjshëm.
Qeveritë rumune të viteve të fundit kanë implementuar një sërë masash për të luftuar prerjet e pyjeve, mes të cilave edhe ngritjen e një prokurorie të posaçme dhe force policore.
Por organizatat mjedisore thonë se këto masa nuk kanë qenë mjaftueshëm efektive dhe prerja vijon, sidomos në pyjet e mbrojtura.
Në maj, një grup faktmbledhës nga PE udhëtoi drejt Rumanisë për të parë nga afër progresin në këtë fushë. Raporti final pritet në muajt e ardhshëm.
Add new comment