Asgjë e re në frontin e PD-së së vulës

Postuar në 19 Maj, 2023 16:28

Gazmend Bardhi është kryetari i ri i grupit parlamentar demokrat pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt një ditë më parë. Me 23 vota pro, mes të cilave edhe ajo e Lulzim Bashës, Bardhi do të drejtojë grupin parlamentar të asaj që njihet ndryshe si “PD e vulës”.

Mbushja e vakancës së lënë nga dorëheqja e Alibeajt nuk sjell asnjë shkrirje akujsh me pjesën tjetër të demokratëve. Rithemelimi njeh në të njëjtin pozicion Luçiano Boçin, i cili humbi garën për kryebashkiak të Elbasanit të dielën e kaluar.

I pyetur për zhvillimin më të ri në kampin tjetër të partisë që themeloi vetë në 1990-n, Sali Berisha tha se nuk njeh asnjë fakt të kryer në “struktura paralele”.

Ne nuk mund të njohim asnjë lloj strukture paralele të PD. Ne i ftojmë të gjithë deputetët, të ulen, të diskutojmë. Jemi të hapur ndaj tyre. Por fakte të kryera nga askush nuk njohim. Se ka rregulla, ka statute.

Humbja e thellë e zgjedhjeve vendore nuk i bashkoi dot demokratët. Ndërsa PD zyrtare u rendit forcë e tretë (e katërta në garën për Tiranën), Rithemelimi nën ombrellën e koalicionit me Partinë e Lirisë arriti të merrte vetëm 7 bashki.

Demokratët e drejtuar deri dje nga Alibeaj bëjnë fajtor për humbjen Berishën, ndërsa ky i fundit thotë se pas analizës do të kërkojë votëbesimin e demokratëve.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.