Pandemia tashmë është burokraci
Pasaporta e vaksinimit do të ketë një fund dhe nisur nga dinamika epidemike aktuale, është e mundur që ky fund të jetë me gjasë para mujit korrik. Vetëm nëse nuk ka lajme të këqija
Kështu është shprehur ministri francez i Shëndetësisë, Oliver Veran në një intervistë televizive për BFM. Sipas tij më e keqja ka kaluar, të paktën në Francë, çka hap rrugën për lehtësimin e masave kufizuese.
Deklarata vjen shumë pak ditë pasi parlameti francez miratoi pasaportën, vendim që ishte rezultat i debatave të gjata dhe të ndezura. Pasaporta është kalë beteje për zgjedhjet presidenciale dhe siç mund të merret me mend Emmanuel Macron do të jetë apostull i lajmeve të mira, veçse mazhordom i klasit të parë në Francë.
Sipas ministrit duhen dy doza vaksine për të marrë pasaportën, apo certifikatën ndërkohë që ka shtuar se në qeveria franceze do të skualifikojë 300 mijë dokumente false. Veran ka njoftuar edhe se në pranverë do të hiqet edhe detyrimi për të mbajtur maskë në mjediset e brendshme.
Çështja nuk është më shëndetësore. Kjo është fare e qartë kur sheh sesi qeveri si kjo francezja lëvizin në mënyrë të tillë vendimet që deri pak kohë më parë i mbronin me pathosin e tribunit. Çështja është ekonomike dhe etike: si të dalësh nga një situatë që u krijua përmes propagandimit të panikut. Pak dimë për variatet e para të virusit aktual, pasi atë kohë virusi vetë ishte unifikuar me panikun, por Delta dhe Omicron hynë shpejt në referimin publik të paraprirë nga lloj lloj lajmesh apokaliptike.
Nga ky koment i një ministri në Francë ne patjetër duhet të presim ndryshime edhe nga politikat e BE-së për ta katandisur menaxhimin e pandemisë në një sport të zakonshëm burokratik. Në këto kushte është e udhës që vendet të adoptojnë politika të mëvetme për kufizimet, meqenëse ne po shohim se humori i një Veran apo një ministri në Gjermani, po ndikon të gjithë kontinentin. Në fund të fundit, asnjë qeveri nuk ka më argumente për të mbrojtur jo vetëm kufizimet, apo edhe masat mbrojtëse si maska, por as vaksinimin e detyrueshëm që tashmë ka mbërritur në fund të sezonit të parë prej 5 dozash dhe ndoshta pret sezonin e dytë njësoj si në prodhimet serial të HBO apo Netflix.
Add new comment