Amerikanët do të peshohen para hipjes në avion
Në SHBA, pasagjerëve të linjave ajrore mund t'u kërkohet të peshohen para fluturimit. Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane. Masa vjen në kuadër të sigurisë së fluturimeve, në një kohë kur një pjesë e avionëve mund të jenë vjetëruar, ndërsa obeziteti është në rritje.
Tani, kompanitë e fluturimit do të azhornojnë peshën mesatare të pasagjerëve, në bazë të një qarkoreje të lëshuar nga Administrata Federale e Aviacionit.
Linjat ajrore do të bëjnë këto matje në mënyrë që të vendosen "peshat mesatare standarde të pasagjerëve" për anëtarët e ekuipazhit, bagazhet dhe pasagjerët.
Matja nuk është e detyrueshme, kështu që nëse një pasagjer nuk pranon të marrë pjesë, kompania ajrore këshillohet të zgjedhë një udhëtar tjetër në mënyrë të rastësishme, sipas udhëzimit.
Pesha e një pasagjeri mesatar të rritur dhe çantës së dorës do të rritet në 86.18 kg në verë dhe 88.45 kg në dimër.
FAA sugjeron që transportuesit ajrorë të pasqyrojnë të dhënat e reja çdo 36 muaj kalendarikë, sipas qarkores këshilluese. Pesha e pasagjerit mbetet konfidenciale, sipas udhëzimeve të FAA.
Add new comment