Bashkëqeverisja si lypje e nevojtarit, jo ofertë vizionari
Dy vitet e fundit kryeministri është lodhur dhe n aka lodhur duke kërkuar bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike. Hapur, tërthorazi, në vijimësi, z. Rama ka kërkuar ta ulë Lulzim Bashën në tryezë dhe t’i japë ca ministra. Nuk ja ka dalë. Arsyet janë disa.
Ftesa e fundit që u bë ishte me emergjencën e tërmetit. Kushdo mund të lexojë atë që ka ndodhur. U përsërit sërish në një farë mënyre, por sipërfaqësore me ardhjen e pandemisë. Sot z. Rama ka sulmuar PD-në:
PD s'mund të japë mend as për tabelën e shumëzimit, jo më për strategjinë e testimit! Strategjia e testimit është detyrë e Komitetit Teknik që udhëheq luftën në vijën e zjarrit. Detyra e politikës, qeverisë a opozitës është të dëgjojë dhe mbështesë ekspertët. Të tjerat janë 7x7=42
shkruan z. Rama në tuiter.
Që këtej ne kuptojmë se kryeministri e bën apelin për bashkëqeverisje nga pozitat e nevojtarit, jo të vizionarit siç pretendon. Pasi përndryshe pse duhet ky sulm ndaj opozitës e cila ka propozuar atë që propozon një komunitet i tërë ekspertësh dhe përmbi të gjitha nuk është se ka kundërshtuar edhe aq masat e karantinimit?
Arsyeja duket e qartë: zoti Rama së pari e ka shumë të vështirë si mentalitet të ndryshojë taktikën dhe strategjinë e vet dhe së dyti do që rolin e heroit të mos e ndajë me askënd. Dhe një mënyrë për ta bërë këtë është të mos marrë parasysh asgjë që mund të vërë në pikëpyetje efektivitetin e masave të marra në të ardhmen. Kaq është e gjitha, kuptohet përveç faktit se ndoshta në karantinë ka mësuar përmendësh tabelën e shumëzimit.
Add new comment