Na duhet një Dhjetor i Dytë, qoftë edhe në Janar...

Postuar në 18 Dhjetor, 2018 21:41
Arben Demo

 Lëvizja e tanishme e studentëve të Universiteteve publike është me kërkesa përgjithësisht të drejta për trajtimin e tyre dhe sistemin e Arsimit të Lartë. Ato duhet të merren parasysh dhe të shqyrtohen nga shteti (Legjislativi dhe Ekzekutivi) sa më parë dhe me afate realizimi të përcaktuara qartë.

Ata, studentët, nuk duan ta quajnë politike Lëvizjen e tyre dhe kërkojnë të mos marrin pjesë me ta në proteste partitë politike sepse janë shkaktare të gjendjes së sotme. Ata refuzojnë madje edhe individë që u dihet përkatësia politike. Kjo është e drejta e tyre, pavarësisht se nuk ka asnjë Lëvizje  jashtë politikës. Të dy palëve në konflikt ju pëlqen konfrontimi verbal e me parulla dhe mostoleranca ndaj njëri – tjetrit. Edhe kjo është një e drejtë e tyre.

Përtej këtij aspekti, le të marrim në shqyrtim kërkesën bazë qëka shtruar sot protesta: Arsim i lartë falas.

Duhet të themi se shkolla e lartë  nuk  është e detyrueshme, pra falas, por  kudo  në botë  në arsimin publik (shtetëror) ka dallime në tarifat në varësi të gjendjes ekonomike dhe përparimit në studime, d.m.th. të varfërit ndihmohen me bursa dhe strehim. Por tarifa është vetëm një dhe vetëm një herë paguhet. Ajo shkon në buxhetin e shkollave ashtu si pjesa që jep shteti e përdoret në të njëjtën mënyrë.

Duhet të pranojmë edhe se shteti nuk duhet të heshtë e të bëjë sehir, edhe sepse sot problemet e Arsimit të Lartë dhe studentëve janë shumë të mëdha e të shumta. Konkretisht do t’i listonim si më poshtë:

1. A është kjo e sotmja shkollë reale (programe, mjete e mësimdhënëse)?

2. A do të gjejnë të diplomuarit punë nesër?

Pra do t’i shërbejnë vetes dhe vendit (për këtë edhe ndihmohen)? Po kështu jo të pakta janë dhe problemet që lidhen me Ligjin përkatës për të cilin me të drejtë ankohen studentët se është klientelist për shkollat private dhe duhet ribërë nga një bazë e gjerë hartuesish, përfshirë dhe studentët.

Është jashtë çdo diskutimi që është e drejta e studentëve që protestojnë të përcaktojnë qëllimin dhe organizimin e Lëvizjes. Me sa duket ata nuk kanë punë as me estabilshmentin e as me sistemin. Nuk kërkojnë asgjë me tepër por vetëm tetë pikat. Por për të mirën e vetë protestën ne mendojmë se ato duhet të plotësohen siç e thamë më lartë. Sa më parë aq më mirë, ndryshe do të thotë që Qeveria e do protestën që të mos merret kush me projektet e saj korruptive e të përbashkëta me oligarkët, si një strukturë e vetme që bashkarisht shkelin ligjet. Jemi përpra një faji për të cilin qeveritarët duhet të përgjigjen jo me fjalime dhe akuza opozitarësh, por me padi zyrtare e presion publik në Prokurori.

Por  nuk mund të mos vërehet, pra e të mos shprehemi edhe për një tjetër aspekt që është hedhur si spekullim gjatë ditëve të protestës. Është fjala për analogjinë e dy dhjetorëve, pra atij të vitit 1990 dhe këtij të këtij viti. Kjo që po ndodh dallon nga dhjetori i parë e i vetmi deri më sot,  në të cilin në tri ditë, studentët dhe dhjetëra-mijëra qytetarë të Tiranës arritën të përmbysnin regjimin. Kjo është një e vërtetë; na pëlqen ta pranojmë ose jo sipas qëndrimit tonë politik është tjetër gjë. “E çuditshmja” është se e mohojnë madje edhe ata që nuk gatuajnë më në hale me furnela vajguri, jetojnë në vila, që e kanë Rinasin të shpeshtë, që shkollojnë fëmijët jashtë në shkolla të shtrenjta, e që vozisin vetura të grupeve E apo S ( me para të fituara me djersë ose dhe ndryshe çka është punë e tyre....).

Nuk e bënë atë dhjetor as njerëzit e Ramizit, përkundrazi, as spiunët e Sigurimit (pati dhe të tillë në të gjitha nivelet), e as gjashtë veta rastësisht me pardesy të bardha që është përgojimi më i turpshëm.  Ishte dëshira e shumicës së shqiptarëve për të përmbysur një diktaturë të urryer komuniste dhe izolimin nga bota e qytetëruar. Në ato ditë e vitet që pasuan, pati nga ata që humbën privilegjet ose ju shembën idealet (ani se u shemb një sistem botëror - ai komunist), pati edhe nga ata që  hezituan për t’u përfshirë...nuk patën besim te drejtuesit dhe idetë... nuk patën kurajë...apo u tërhoqën më vonë nga keqtrajtimi që pësuan, përditshmëritë e deziluzionet... është problem personal i tyre, por dhe i drejtuesve të atyre viteve.

Sido që të jetë, kjo nuk justifikon vrerin dhe mllefin e përditshëm që shprehin në këto vite të tranzicionit zvarritës për faje ndër të tjera dhe të  drejtuesve keqbërës apo të paaftë. Mbetet i vetmi shpëtim rikthimi i votës së lirë dhe të ndershme, largimi nga politika dhe dërgimi në gjykatë i të korruptuarve dhe i njerëzve të krimeve. Ky është kushti i parë për rikthimin në demokraci e ekonomi të tregut të lirë, ndryshe do bëhemi më keq. Nuk duhet të jemi indiferentë. Duhet të pranojmë që pakënaqësitë e vuajtjet kanë shkaqe reale që vijnë e shtohen dhe janë bërë të padurueshme e për këto duhet ngritur në këmbë për një dhjetor të dytë...qoftë dhe në janar.

Le të shpresojmë dhe të jetë një Urim i Natës së Vitit të Ri.

Comments

Submitted by moderni (not verified) on

Dhjetori i dyte duhet ne kuptimin e nje ndryshimi te thelle ne raportin e klases drejtuese me pjesen tjeter te shoqerise. Ne vitet e domokracies ky raport ka qene i bazuar ne shrytezimin e pushtetit per pasurim, 8 vjet PD 8 vjet PS e kshu me rradhe, pa piken e pergjegjesise dhe llogaridhenies ndaj shoqerise. Permiresim ka pasur, nuk them, se Sali psikopati ka djegur vendin dhe ka vrare protestues sa here ka mundur ndersa keta qe jane tani te pakten te lene te protestosh pa te vrare, po duke qene Sali skicofreni standarti edhe permiresimi do jete i vogel. Shoqeria eshte emancipuar nga pak, se studentet e sotem kane lindur pas 97es, dhe kerkojne t'u respektohen te drejtat qe u takojne si qytetare taksapagues dhe mos te trajtohen si dele sic jane trajtuar deri tani. Ata po ngrene starndartet me protesten e tyre, po me ato 8 pika kerkojne shume me pak se c'u takon. Ata si pjesa me aktive e shoqerise duhet te behen zedhenesit e kerkesave te gjithe koletivitetit per te pasur nje klase drejtuese qe nuk i tradhton, qe nuk vjedh nepermjet korrupsionit te koncesioneve, pa gjyqtare qe shesin vendimet etj. Ky eshte minimumi qe duhet ti kerkohet klases drejtuese. Pastaj i takon shoqerise te beje pjesen e vete per tu pasuruar dhe dale nga verferia. Po duhet te dime qe klasa drejtuese nuk vjen nga marsi, ajo eshte shprehi e shoqerise ne nje fare mase, dhe deri me sot shoqeria i ka pranuar ne menyre pasive ne mos nxitur mekanizamt korruptive..pa shume aspirata per nje shoqeri me te drejte. Un shpresoj te protesta e sudenteve qe te cojne jo vetem ne konvikte me te mira qe eshte minimalja po ne nje ndryshim te thelle te raportit shoqeri-klase drejtuese.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.