Replikë me Nexhmedin Spahiun për shkrimin "Cubat e vitit 2050"

Postuar në 31 Tetor, 2018 21:47
Lis Bukuroca

 

Ky shkrim nuk ka për qëllim të zbukurojë gjendjen politike dhe vendin e fundit të shqiptarëve në Europë, por vetëm të shquajë shkaktarët historikë të shpërfillur në artikullin e profesorit Spahiu, (“Cubat e vitit 2050”), por pa u ndalur në pjesën e fajit tonë, që e kemi sot.

Ai nisë ligjërimin e tij me stereotipat për kombet. Ato janë bindje për një komb, të përhapura në masën kryesisht të arsimuar pak, të arsimuar përgjysmë, ose te ekstremistët e të të gjitha llojeve.  Ata, për ta bërë një popull të urrejtshëm, të përbuzshëm dhe të mirë për zhdukje, çnjerëzojnë atë në tërësi. Urrejtja që pason si vijim logjik, pranohet nga individi i pushtuar me bindje negative, sa besohet, se të gjithë, janë të ligë. Kjo është ajo periudha e parapërgatitjes teorike, psikologjike, ku nisë shkatërrimi i një identiteti social dhe gjakimi për të krijuar një tjetër, sepse krijimi i bindjeve të reja, nuk është i mundur, nëse nuk shpartallohen ato që ekzistojnë. 

Kështu veprojnë edhe partitë radikale politike, edhe ato fetare. Pasi të kenë arritur suksesin dhe masa të jetë bindur, atëherë edhe vrasja e një grupi të caktuar etnik, është përgjithësisht i pranueshëm në popull. Sepse, pas djallëzimit të tyre, (ata nuk konsiderohen më njerëz me dinjitet), empatia, respekti dhe pranimi i tyre, anulohet. Pa ato parakushte, nuk mund të niset asnjë luftë! Në doktrinën militariste është traditë, përndryshe nuk do të mund të mobilizohej  një popull, një armatë, për të vrarë, ose dëbuar njerëz të mirë!

Një njeri me bindje radikale apo një grup, shkëputet nga normat e përgjithshme sociale, krijon të vetat dhe paragjykon me bindjet e veta fikse. Ai ose ata, nuk pranojnë shpjegime tjera, sepse racionaliteti, do të asgjësonte paragjykimet e tyre. 

Profesori ligjëron këtë herë për një takim të vitit 92 në një lokal të Tiranës, ku ai dhe disa anonimë, paskan debatuar për klishetë mbi kombet. Aty paskan konstatuar ”se  shqiptari nuk është mjeshtër, ai vetëm aktron mjeshtrin. Shqiptari nuk është mësues, ai vetëm aktron mësuesin. Shqiptari nuk është luftëtar, ai vetëm aktron luftëtarin. Shqiptari nuk është mjek, ai vetëm aktron mjekun”, por njëri nga të pranishmit, qenka revoltuar dhe paska kundërshtuar nxirjen kolektive dhe paska shtruar këtë pyetje:”... si mund të ishte aktori më i mirë jugosllav i të gjitha kohërave, shqiptari Bekim Fehmiu?

Kësaj pyetje do t’i japë përgjigje profesor Spahiu duke pohuar me bindje të plotë se, Aktorët shqiptarë kanë për publikë aktorët. Dhe këtu nuk dihet nëse aktorët më të zotë janë ata që janë në skenë apo ata që janë të ulur në sallë si publikë.” 

E lexove? Profesori pa u tunduar aspak nga dyshimi, që është parim kryesor në botën intelektuale, përkufizon se  “aktorët shqiptarë kanë për publikë aktorët”,  dhe tani mbetet vetëm të zëvendësohen: publiku të futet në skenë, aktorët në sallë. Nuk thotë disa shqiptarë në publik, por përdor njëjësin gjithëpërfshirës: shqiptari, që nënkupton krejt spektatorët dhe krejt shqiptarët. Kjo mënyrë rezonimi përdoret për të rrënuar një tërësi, një popull nga ekstremistët e të gjitha llojeve. Kur pranohet diferencimi dhe trajtimi individual, mund të shembë bindjet, prandaj ajo duhet përforcuar sa më shumë, duke shpërfillur mundësinë e ekzistimit edhe të një personi në sallë, që nuk është aktor. Edhe pse e thotë për të përbuzur, në fakt ai mendim flet për cilësi të mëdha intelektuale, sepse diku tjetër në botë, ajo zhvendosje masovike, do të ishte e pamundur, por te ne, sipas profesorit, të gjithë janë, ose të nivelit të aktorëve, por sipas tij, ndoshta edhe më të mirë. Pra, ai është i bindur se publiku shqiptar është aktor dhe sipas atij gjykimi, spektatorët e një ndeshjeje futbolli, janë të gjithë lojtarë. Edhe më të mirë se ata në fushë! Këtë shembull ai nuk e merr, sepse praktikisht, do të shfuqizonte një paragjykim, por atij i duhet për të prodhuar përbuzje dhe mosdurim ndaj kombit si tërësi, jo ndaj disa vetave dhe për të krijuar bindje për moralin e dyfishtë, qëndrimin e pasinqertë te shqiptari (pasojë e patriarkalizmit) dhe sipas tij, të gjithë shqiptarët, shtiren dhe ai që nuk e bën, është vetëm profesor Spahiu. Dyshimin ai përdor vetëm kur i nevojitet për të përforcuar qëndrimin negativ dhe arrin në përfundim, se në publik, mund të ketë “njerëz më të zotë se sa vet aktorët.”

Cilat qenkan tiparet, që na karakterizojnë? “Shqiptarit i mungon durimi (me përjashtime, kuptohet). Shqiptarit i mungon pasioni për punë (me përjashtime, kuptohet). Prandaj, shqiptari nuk mbjell se kjo do punë dhe nuk pret që fryti të piqet se kjo do durim. Shqiptarit i pëlqen që të grabisë frytin e tjetrit, ashtu të gatshëm.”

Tani mund të thuhet se u këndell dhe nuk i përfshin të gjithë si në teatër, por shquan edhe përjashtime, megjithatë, të gjitha ato karakteristika, janë të pranishme në Ballkan, edhe te shumë popuj të shtypur dhe nuk janë veçori shqiptare, por të shohim arsyetimin në vijim: “Shih në anën tjetër vëllezërit e tyre. Shqipëria nuk u bë shtet tamam as edhe për më shumë 100 vite qëkur Fuqitë e Mëdha e njohën për shtet.”

Shtetet e Ballkanit janë në një derexhe pak a shumë të njëjtë.  Për të kuptuar pse disa janë një hap para nesh, duhet parë kur u çliruan ata nga obskurantizmi osman. Ky është faktori i parë. I dyti është viti i hapjes së shkollës së parë fillore, pastaj i universitetit dhe i treti, pozita e gruas, e nënës, e motrës. Këto tri fakte janë përcaktuese për të ligjëruar drejt, objektivisht dhe pa synuar stigmatizimin kolektiv.

Greqia fiton autonomi në vitin 1828.  Në Serbi gjimnazi i parë u themelua në vitin 1791. Në vitin 1867 largohet nga Serbia ushtari i fundit osman. Sipas historisë zyrtare osmane, Kalifati Osman  ekziston që nga pushtimi i Egjyptit, pra që nga viti 1517, por në Kushtetutë, është shkruar në vitin 1876. Në vitin 1924, asambleja turke e shfuqizon dhe shpërbën Kalifatin.

Nuk është vetëm pavarësia, që mësoi njerëzit të ndërtojnë administratë, shtet ligjor, por tregues i madh është edhe liria për t’u arsimuar: si të burrave, ashtu edhe të grave! Në të gjitha trojet shqiptare, deri në vitin 1912, ishin të ndaluara të gjitha shkollat shqipe!

Kadare shkruan: “Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!”

Universiteti i parë grek themelohet  në vitin 1837. Shkolla e lartë në Beograd u themelua në vitin 1808. U shndërrua në Universitetin në vitin 1908, katër vite para pavarësisë shqiptare. Universiteti i parë shqiptarë hapet në Tiranë në vitin 1957. Në vitin 1958 hapet Shkolla e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, kurse Universiteti i parë shqiptar në Jugosllavi, themelohet në vitin 1969. Pra 137 vjet pas atij grek dhe 61 pas atij serb.

Pse nuk ndërtuan shqiptarët shtet? Ja ligjërimi dhe përligjja e profesorit: Shqiptarët nuk ndërtuan shtet, se nuk u shquan në ndërtime, por në grabitje. Këtë profesion e shpurën deri në përsosmëri.” Këtu profesori ligjëron për kohën e pushtimit, kur ballkanasit nuk kishin shtete, por në fjalinë tjetër në vazhdim pohon:  “Kulmi i këtij profesioni ishte kur shqiptarët ua grabitën sulltanëve Perandorinë Osmane. Kulmi i profesionit, sic!!?

E kuptuat mirë profesorin? Kulmin e profesionit e paskemi dëshmuar, kur sulltanëve u paskemi grabitur pushtetin! Tani i kthehet përsëri diskursit gjithëpërfshirës, sepse i konvenon në ngritjen e përçmimit. Ai flet përsëri në shumës, edhe pse ishin disa veta apo një, që kishte rrëmbyer pushtetin, ai thotë, shqiptarët, pra të gjithë. Edhe pse ai rrëmbim nuk ishte i huaj, nuk ishte jonormal, sepse Qypërlinjët, ishin nënshtetas të asaj perandorie. Sipas asaj logjike sipërfaqësore, meqenëse Trumpi është me origjinë gjermane, atëherë gjermanët, ua kanë grabitur shtetin amerikanëve, hungarezët me Nicolas Sarközy francezëve, pakistanezët me Sadiq Khanin Londrën e kështu me radhë. Më lartë profesori tha se shqiptarët edhe pas 100 viteve nuk bënë “shtet tamam.” Po Turqia, a din Turqia të ndërtojë shtet tamam ligjor? Nga viti 1960 deri sot kanë ndodhur gjashtë grusht shtete!

Ajo edhe pse me përvojë shekullore shtetërore, nuk ka arritur kurrë me sukses të ankorojë demokracinë, por vetëm diktaturat! Meqenëse mentaliteti osman është akoma i pranishëm në Ballkan, asnjë shtet i Ballkanit, nuk ka ngjashmëri minimale, me shtetin ligjor të Perëndimit, por janë vetëm surrogate të tyre. Si në Turqi, edhe në Ballkan, demokracia nuk funksionon. Vendet perëndimore kanë përjetuar iluminizmin, lirinë, prosperitetin, por në gjendjen e Ballkanit apo më të rëndë, kanë qenë më herët. Ne nuk kemi dëmtuar njerëzimin sa Gjermania, që ka sot shtet ligjor, as si Franca, si Spanja, si Anglia, si Turqia dhe Portugalia me koloni. Ne kemi dinjitetin nacional pothuaj të pa damkosur! Ne jemi viktimë nga mungesa e miqve, çfarë i kishin popujt ortodoks dhe katolik në Ballkan. Shtetet e Ballkanit, u krijuan sipas fuqisë së katolikëve dhe ortodoksëve. Stagnimi jonë nuk është vetëm pasojë e jona, por shpesh edhe i imponuar nga jashtë.

Shpresoj se nuk të ka ikur nga vëmendja ai fakt, kur profesori thotë se shqiptarët grabitën pushtetin dhe atë rrëmbim, vlerëson si koha më e lavdishme e shqiptarëveedhe pse  ajo ndodhi, dëshmon se Qypi dhe shpura me Qypa të tjerë, kishin identitet kulturor osman, e jo shqiptar. Mu ashtu siç e ka Trupmi identitetin kulturor amerikan, ose Sadiku pakistanez, atë anglez, edhe ata Qypërlinj, nuk ishin më shqiptarë. Edhe në kohën e Jugosllavisë kishim grabitur pushtetin dhe i fundit ishte Rrahman Morina. Derisa të mos provohet kontributi i tyre për kombin e vet, ata mund të pranohen si me origjinë shqiptare, por me identitet të tjetërsuar. Ata thjesht ishin osmanë, si shumë njerëz me origjinë gjermane në SHBA, por që kanë luftuar kundër Gjermanisë në kohën e fashizmit.

Profesori që quan kombin shqiptar si më aktor se aktori, fisnikëron dezertimin nacional, asimilimin, mercenarizmin, veturrejtjen, sepse marrjen e pushtetit, vlerëson si “epokë më të lavdishme.” Ai duke dashur të mos shfaqet vet si aktor, demaskon vetveten. Lexojeni me vëmendje: “...në shkrimin paraprak tek revista “Shenja” kam shpjeguar se si Qypërlinjtë shqiptarë e grabitën pushtetin perandorak...”

Bukur shumë! Të lexojmë tani çfarë paska ligjëruar herën e kaluar:Në 5 vitet e sundimit të Mehmet Pashë Qypërliut, Perandoria Osmane e rimori vetën për herë të parë pas rënies që kishte pësuar me vdekjen e Sulltan Sulejmanit I, që pat sunduar 46 vite (1520-1566).

E lexove? Për pesë vite sundimi Qypërliu, ringrit Perandoria Osmane, por më lartë e konsideronte “epokë më të lavdishme shqiptare!”, edhe pse aty flet për ringritjen, rimëkëmbjen e perandorisë, që kishte pushtuar atdheun e Qypave! Ku ka vendin tani profesori? Në skenë apo në publik? Pra, atë marrje pushteti, të cilën e quan si grabitje, tani e çmon si të mirë për Perandorinë! Si grabitje pozitive të shqiptarëve, që nuk dinë të ndërtojnë, por që ngrenë nga gërmadhat një Perandori. Suksesi në stabilizimin e  Perandorisë tregon se Qyperlinjët në aspektin social dhe kulturor, ishin të asimiluar dhe kontribuonin në shtetin, që e konsideronin të vetin, pra ishin më osmanë se osmanët apo po aq osman, sa edhe ata!

Profesori nuk flet vetëm për të kaluarën, por ai parashikon edhe ardhmërinë:  Shansi i shqiptarëve do të paraqitet në Bashkimin Evropian. Livadhet e gjëra të kësaj perandorie moderne do të jenë pre të lehta për cubat shqiptarë.”

Europa është hapësirë multi etnike, multi kulturore, kontinent i vlerave, që ekzaltohet nga suksesi dhe nuk merr për bazë origjinën, gjuhën, kombin, religjionin, por aftësitë! Për të ndërlidhur me Qypërlinjët dhe për të përçmuar ai këtë sukses, thotë “faza e parë, ajo kulturore, veçse po vegjeton: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi… Majlinda Kelmendi e sportistë të tjerë në klubet anë e mbanë Evropës...”  Këtu arrijmë te faktori i tretë, se mungesa e barazisë ligjore të gruas, pamundëson ndërtimin e shtetit ligjor. Në epokën e lavdishme osmane, të gjitha gratë shqiptare, një qind për qind, ishin anonime dhe analfabete, por periudhë e lavdishme sipas profesorit!

Cilët cuba amerikanë me origjinë italiane, kanë lënë gjurmë në SHBA? Do të përmenden vetëm disa, që për popullin, që është më aktor se Bekim Fehmiu, janë të njohur:  Madonna,  Robert De Niro, Francis Ford Coppola, Nancy Pelosi, Frank Sinatra,  Rudy Giuliani, Martin Scorsese, Enio Morricone dhe qindra dhe mijëra të tjerë në fusha tjera.

Çfarë bëjnë delet shqiptare në livadhin europian?  Ata “veçse dëshmojnë energjinë e ndrydhur të prindërve të tyre, me ëndrrat e lëna përgjysmë...”, pra, jo pse ata janë të mirë, jo pse ata kanë talente, jo pse janë të përkushtuar dhe plot pasion, jo pse u respektohet dinjiteti dhe barazia, por me arritjet e tyre, ata do shpalosin vetëm energjinë e ndrydhur dhe ëndrrat e braktisura të prindërve të tyre! Domethënë, nëse shqiptarët nuk arrijnë suksese, atëherë ajo mungesë, do të dëshmojë për prindër me ekuilibër të shëndoshë!

E çfarë do të bëhet pastaj?Sepse pas fazës kulturore e sportive vjen faza e ambicieve më të mëdha, ambicieve politike... Livadhet e mëdha të Bashkimit Evropian do të jenë kafshatë e lehtë për këta fëmijë të prindërve me ëndrra të thyera.”

Do të përmenden vetëm disa cuba me origjinë gjermane, që kanë arritur sukses në livadhin amerikan: Hans Nicolaus Eisenhauer, parardhsë i  Dwight D. Eisenhower, Friedrich List, Hayum Lehman, bashkëthemelues i bankës Lehman Brothers, Levi Strauss, tekstil, Wilhelm Böing, i ati i William Edward Boeing, themelues i ndërmarrjes së avionëve, Marlene Dietrich, Herbert Marcuse, Henry Kissinger, Heidi Klum. Nuk do të vazhdohet tutje sepse gjenden qindra dhe mijëra personalitete në filozofi, letërsi, art, politikë dhe në industri.

Dhe, profesori, me plot seriozitet, vazhdon: „... brezi i këtyre që tani janë 10-20 vjeç, e që më 2050 do të jenë në kulmin e karrierës së tyre politike, nuk është duke u edukuar aspak me frymë patriotike.”

Meqenëse epoka e Qypërlinjëve konsiderohet e lavdishme, ku u edukuan ata në frymë patriotike, sa karrierizmi i tyre të cilësohet si epokë e suksesshme shqiptare? Cili italoamerikan, ose cili gjermanoamerikan, është edukuar në vend të huaj në frymën e vendit, ku nuk jeton? Kur të lexojë profesori për tri socializimet e njeriut në jetë, do të kuptojë motivet!

Ai atë Europë, që konsideron livadh dhe për të cilën parashikon grabitjen e pushtetit nga shqiptarët, (sepse ne kemi përsosur grabitjen), tani predikon rekomandime, si ta rrëmbejmë Europën dhe si ta përparojmë këtë livadh të prapambetur. Lexoje: Nëse tani do të bënim reforma rrënjësore në edukimin tonë patriotik, Nëse tani nxënësit tanë do të mësonin nga abetaret e viteve 1941-1944 dhe frymën patriotike që mbartin ato tekste shkollore, në vitin 2050 Evropa jo vetëm që do të ishte në dorë të shqiptarëve, por edhe do të përjetonte lulëzim.

Pra, për ta lulëzuar këtë livadh djerrinë, ne duhet të ndryshojmë vetëm parimet atdhetare, tek ata popuj, që jeton në fazën post-nacionaliste dhe post-patriotike, por edhe na duhen edhe abetaret e vitit  1941-1944. Jo abetare që bazohen në pedagogjinë moderne, por abetaret e epokës fashiste, kur ne ishim të pushtuar, sepse fashizmi, dëshironte që ne të bëhemi atdhetarë shembullorë! Pse pikërisht ajo abetare, nuk  tregon profesori, as cila qenka fuqia didaktike, pedagogjike dhe psikologjike e saj!  E çfarë do të ndodhë nëse ne nuk përdorim atë abetare? Edhe këtë e din profesori, edhe pse e din se Qypërlinjët, pa abetare, grabitën pushtetin e Perandorisë! Madje bashkatdhetarët e tyre, pasardhësit, edhe me abetare shqipe të ndaluar!

Në të kundërtën, nëse vazhdojmë kështu, Evropa më 2050 do të jetë në duar të shqiptarëve, por nga ky fakt nuk do të kenë dobi as shqiptarët e as evropianët e tjerë". Ky mendim i duhet për të përkëdhelur sedrën, që ia rrënon shqiptarit dhe për të krijuar përshtypje, se dëshiron të jetë i drejtë! Sipas tij fati i Europës ashtu-ashtu do të jetë në duar tona, shpëtim nuk do të ketë, por pa atë abetare, Europa nuk do të përfitojë nga cubat shqiptarë. E çfarë bëjmë ne jashtë?  Ata presin të bëhen pjesë e një Perandorie..., t’i kapin majat e saj si dikur që i kapën Perandorinë Osmane.”

Përfundim

Sa më i pranishëm patriarkalizmi dhe religjioni në një shoqëri, aq më e pamundur demokracia. Patriarkalizmi pamundëson shtetin ligjor, sepse në shtëpi mësohen shpërfillja e ligjeve. Kuota e inteligjencës nëpër popuj është rezultat i jetëgjatësisë së arsimit në vendet e tyre. Në Ballkan nuk funksionon demokracia. Nuk ka shtet ligjore! As në Turqi jo.  E dëshmojnë puçet ushtarake të vitit 1960, 1971, 1980, 1997 dhe 2016. Ballkani ka bakshish-mentalitet! Arsimi është rezultat i mëvetësisë dhe sovranitetit.

Mosrespektimi i barazisë ligjore, krijon shoqëri jodemokratike dhe shtete të padrejta. Krahasimi i popujve të lirë, me popujt e robëruar disa shekuj, është tendencioz dhe qëllimkeq. Nuk ka popuj të mirë dhe të keq, por ka individë të ligë, që rrëmbejnë pushtetin dhe krijojnë imazh të gabuar për një vend. Sukseset shqiptare jashtë, nuk janë pasojë e ëndrrave të thyera të prindërve, por të mundura, sepse respektohet dinjiteti i njeriut, çmohet aftësia, jo përkatësia etnike, etare apo fisnore. Ne kemi dy shtete e gjysmë me paterica, por është sukses që i kemi! Për të krahasuar shtetet në mes vete, duhet të jenë çliruar nga robëria në kohë të njëjtë, nëse jo, atëherë për studim kooperative, duhet të merren 10 vitet e Kosovës, me 10 e para të Greqisë, ose Serbisë pas çlirimit nga osmanët!

Ne duhet të mësojmë një herë e përgjithmonë, se mburrja me personalitete, që patën origjinë shqiptare biologjike, por që bënë karrierë sepse ndryshuan identitetin e tyre kulturor dhe u asimiluan, por që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për vendin e vet, qoftë pse kanë mohuar origjinën e vet, qoftë pse kanë e kanë heshtur me vetëdije të plotë, nuk janë shfaqje për krenari, as shëmbëlltyra për mburrje, por për keqardhje dhe të huaj për ne, siç ishte veprimtaria dhe kontributi i tyre! Pema që shkulet nga Ballkani dhe mbillet në Gjermani, nuk prodhon frute për ballkanasit, por për gjermanët! Pemët tona në Romë dhe Stamboll, janë frute të atyre vendeve! Ata kanë të drejtë të krenohen me ta, jo ne!

Është naivitet mburrja me qesarët e Romës, kur ata mbanin të pushtuar edhe atdheun e tyre, siç e kishte bërë një Qesar romak para tij. Është naivitet krenaria me pashallarët dhe vezirët, sepse ata zbatonin vetëm politikën dhe interesat e Perandorisë, që i shërbenin dhe nuk ndërtohej, nuk pasurohej, nuk arsimohej vendi i tyre, por ata për të fituar besimin, përpiqeshin të duken më romak se romakët, më osmanë se osmanët. Madje asnjëri prej këtyre të fundit, nuk kishte marrë mundimin të anulojë ligjin, që kishte ndaluar gjuhën e tyre amtare.

Rrahagjoksja me aftësitë dhe zotësitë e një karrieristi, nuk është normale, por dëshmues i një boshësie, i një dezorientimi, i një injorance, i një mjegullnaje, i depersonalizimit dhe i mungesës së shëmbëlltyrave brenda shoqërisë në kohën e tashme.

Nëse përdoret një metodë krahasimtare, e cila do të bazohej në fakte empirike, atëherë nuk mund të lihen anash faktet kryesore si liria dhe mëvetësia. Për profesorin duhet të jetë i njohur John Stuart Mill me konkordancat dhe metodat diferencuese. 

Nëse në Perëndim prindi brengoset pse fëmija nuk është pavarësuar, kur pyet prindin, te kombet e pabëra, papjekuria e tij konsiderohet nder. Problemi është te edukata kollektiviste në vendet e pazhvilluara, kurse në Perëndim, ajo individualiste! Kjo e fundit sot prodhon çdo pajisje elektrike! Profesori, gjatë ligjëratës së tij, në mënyrë sporadike është shkëputur nga nxirja tërësore e kombit shqiptar, sepse përmend edhe disa personalitete, por në këtë shkrim, janë marrë në shqyrtim vetëm mendimet që dëshmojnë një disonancë, kryesisht ato me shtrembërim, ose përdredhje kognitive!

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Besoj se artikulli i Nexhmedinit para nja dy javesh nuk pretendonte te thosh 100% te verteten! Ai artikull kish si qellim te sensibilizonte shqiptaret, me se shumti pseudo-patriotet e rinj an e mban, e ti bente ti vinin pak gishtin kokes. Persa i perket pastaj shifrave dhe realitetit, eshte e qarte qe ato nuk i pretendonte ai artikull gazetaresk.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.