Europa mbi Gjermaninë, pse ndryshoi kurs kancelarja Merkel
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se vendimi i Britanisë për t'u tërhequr nga BE-së dhe zgjedhja e Emmanuel Makron në Presidencën franceze kanë ndryshuar qëndrimin e saj për BE-në dhe përpjekjet për një Europë më të fortë.
Komentet e Merkelit vijnë dy muaj para zgjedhjeve federale dhe nënvizojnë vendosmërinë e saj për të forcuar integrimin evropian, nëse rizgjidhet për një mandat të katërt si kancelare. "Për shumë njerëz, duke përfshirë edhe veten time, diçka ndryshoi kur pamë britanikët të largohen nga Bashkimi Europian dhe kur u shqetësuam në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve në Francë dhe Holandë"- u tha Merkel votuesve.
Duke cilësuar praninë gjermane në BE një nga përparësitë më të mëdha të vendit Merkel tha se vendimi i Britanisë për Brexit dhe zgjedhjet në Francë dhe Holandë, ku partitë pro-europiane mbizotëruan mbi kandidatët populistë ndryshuan perspektivën. Kancelarja e qendrës së djathtë ka pranuar se BE-ja është larg të qenit e përsosur dhe se Brukseli është nganjëherë shumë burokratik.
"Megjithatë, ne kemi kuptuar muajt e fundit se Evropa është më shumë se rregulloret burokratike dhe financiare. Europa dhe bashkëjetesa në BE janë të lidhura ngushtë me dekadat e paqes pas Luftës së Dytë Botërore. "Ia vlen të luftojmë për Europën. Kjo është arsyeja pse një nga pankartat tona parazgjedhore shkruan. Nëse Evropa është më e fortë, atëherë Gjermania do të jetë më e fortë"- shtoi kancelarja.
Add new comment