T'ua njohim meritën - Të gjithë me brekë nëpër këmbë drejt 25 qershorit

Postuar në 23 Maj, 2017 21:23

Nuk duhet lodhur koka shumë me zbërthimin e Pazarit të 18 majit. Ai po zbulohet vetë nga palët e përfshira atë natë që në fund shpërndanë një tekst si lëmoshë transparence për popullin.

Menjëherë pasi firmosi Pazarin, kryeministri nisi fushatën duke u bërë thirrje demokratëve që të votojnë PS-në se ajo do jetë e sigurtë në pushtet. Fundja siç tha Edi Rama, “ne 71 mandate na duhen”.

LSI-ja me Ilir Metën dolën me vrap për të thënë se ne do jemi forcë e parë, 34 mandate tha Meta aktualisht president, duke caktuar madje kuotat: 7 atje e 4 këtu. Thelbi i këtij deliri: demokratë të dashur, po të votoni PS-në ju nuk u merr njeri në punë. PD-ja po me Lulin ka marrë peropinë, ndaj votoni ne që t’ju gjejmë vend pune. Siç e patë ne dimë të mjelim edhe Berishën edhe Ramën. Mos humbisnin shansin.

Po PD-ja çfarë bën? PD-ja sot me Edmond Spahon ka deklaruar se do të jetë në pushtet pas 25 qershorit, kurse LSI-ja me PDI-unë do jenë në opozitë. D.m.th Spahua i Bashës së Republikës së Re, as e shkon në mend garën me PS-në, atë partinë e kanabisit dhe të drogës. Jo, ajo ka garë me LSI-në dhe PDIU-në sepse e di që të vetët po i lënë shëndenë. Çadra sidoqoftë poqi shishqebap të mirë: 6 ministra dhe ca drejtori. Ndaj demokratëve edhe Basha që tani ka marrë pushimet nga pikniku i protestave mund t’u thotë: unë u sjell në pushtet tak fak. Mos votoni të tjerë.

(Shënim: Edmond Spaho ka sqaruar para pak se ka thënë tekstualisht kështu në takimin e Elbasanit: "LSI dhe PDIU na mori elektorat duke shfrytëzuar pushtetin. Tani që ato do të jenë parti në opozitë, ne duhet të rikthejmë elektoratin e humbur në 2013. Në asnjë rast nuk kam thënë se PD do të bëjë koalicion me PS pas zgjedhjeve". Kjo nuk i heq asgjë kuptimit të parë të interpretimit të bërë

Për këtë arsye është PD-ja që këmbëngul për dënime të ashpra për ata që shitblejnë votën, ndërkohë që vetë, bashkë me kryeministrin po shesin dhe blejnë çdo gjë.

Sa për funeralet që Sali Berisha shtron në Facebook, e të tjera pallavra si këto, ato janë vetëm për ata që duan me çdo kusht të gënjehen. Sidoqoftë, PD-ja e ndihmoi PS-në me kualitetin e ministrave të vet, të cilët nga njëra anë ja nisën qysh sot zanatit të tenderave, por nga ana tjetër, me ekspozimin që Edi Rama me shkrimet e të tjerëve po u bën në media, mundet të thotë: shikoni mor se nuk bëhen njerëz këta.

Teatri është banal në premisat nga niset. Duajeni më shumë veten dhe mos besoni te fjalët “reforma, vettingu” e si këto. Në fakt drejt 25 qershorit janë nisur të gjithë me brekë nëpër këmbë, brekë që mbahen fort nga astari.

Përditësuar

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.