Është bërë propagandë me filmin. Mund të shfaqen me një shpjegim. Disa filma edhe mund të ndalohen

Postuar në 13 Prill, 2017 10:33

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, aktori Timo Flloko flet edhe për debatin e fundit për shfaqjen e filtruar të filmave të prodhuar para viteve ’90. Në ndryshim nga shumë kolegë të tij që kanë mbajtur një farë fanatizmi në mbrojtjen e punës së bërë, Flloko tregohet më i hapur dhe pranon se aspekti propagandistik është prezent dhe se nëse mendohet se duhet ndërhyrë, atëherë nuk ka asgjë të keqe. Më poshtë pjesë nga intervista ku flitet për këtë temë:  

Propaganda komuniste që bartin filmat e ish-Kinostudios, ka çuar në propozimin për ndalimin e transmetimit të disa filmave dhe transmetimin e disa të tjerëve me logon “PPSH”. Ju vetë keni qenë në disa prej këtyre filmave, a ka vend për ‘ndalim’? A ka vend për shqetësim?

Përderisa ka dalë si problem, ka diçka, nuk del nga asgjë. Unë, sigurisht, nuk më takon dhe aq të gjykoj, dhe ndërkohë nuk mund të mos shprehem. Sigurisht, nuk jam për glorifikim të gjithçkaje të asaj kohe, edhe pse filmat përbëjnë histori. Shprehin marrëdhëniet e asaj shoqërie me gjithçka. Ka qenë një censurë fatale, publiku duhet të dijë që momentet më artistike shpesh censura i ka goditur dhe i ka prerë. Unë si aktor më ka ndodhur që më është sakatuar roli. Ato momente për të cilat unë e kam marrë rrolin, janë hequr. Sepse ato kanë qenë të veçanta. Nuk ka qenë vetëm aspekti ideologjik në ata filma, dhe e bukura që artistikisht ishte e bukur, ajo duhej të hiqej. Por, do thosha për filmin për Ismail Qemalin- ç’të keqe ka ai film? Një histori, të rinjtë mësojnë duke parë figurën e Ismail Qemalit duke parë Sandër Prosin.

Por, nuk ka pasur vetëm Ismail Qemal? A ka pasur tendencë skematike dhe keqtrajtuese në disa drejtime?

Po, sigurisht! Jemi tallur e stërtallur me ballistët- ata kanë qenë një kundërshtar politik, ne i kemi bërë qesharakë. I kemi budallepsur, dhe për mua ky është një gabim, sepse nuk i kemi evidentuar si një gjë, si një kundërshtar të denjë, se të tillë kanë qenë në fund të fundit, se në krye të tyre kanë qenë edhe personalitete të kulturës shqiptare e të politikës. Qëndrimi ndaj kulteve fetare e veçanërisht ndaj personaliteteve të fesë, priftit, hoxhës, priftit katolik- kanë qenë ekstremisht tendencioz dhe i gabuar. Madje edhe në filmat ku prifti nuk kishte ndonjë rol të madh. Po kështu, dhe më vjen për të qeshur, unë si partizan, te një nga filmat, hedh një bombë aty dhe i vras të gjithë gjermanët. Kjo është qesharake, por edhe kinemaja amerikanë ka skematizmat e veta. Në kinemanë amerikane, po të jesh rus demonizohesh. Këto janë aspekte skematike.

Cili do ishte propozimi juaj?

Jam i këtij mendimi; nuk ka asgjë të keqe, nuk prishet rinia nga vështrimi i filmave që koha i ka gjykuar. Ç’mund të thuash për një film të jashtëzakonshëm siç është për shembull “Koncert në vitin 1936”?! Ajo është Shqipëria e atëhershme, një Shqipëri anadollake, dy vajza të reja që vijnë me ëndrra pasi kanë studiuar në Itali. Ajo vjen të këndojë me piano në një fshat, në një botë inekzistente.

Ka shumë filma që kanë bërë përshtypje edhe në botë. Është në pjesën e artë të filmave, por qoftë edhe Kapedani për atë anë groteske që ka. Mund të transmetojnë me një bisedë paraprake- por nuk jam për qëndrime të prera- sigurisht, pranohet ndonjë koment, a mbase shpjegim.

Duan ta bëjnë në mënyrë drastike të heqin disa filma? Nëse e shikojnë të arsyeshme komisione të caktuara dhe e vërtetojnë që vërtet ky film luan rol ekstremisht negativ, le të hiqet, s’ka asgjë të keqe. Unë për vete si artist, nuk kam problem, madje po të jepeshin më pak, se jepen pa kriter, pafundësisht dhe ndonjëherë bëhen bajat. Unë kam kënaqësi të shoh Sandër Prosin, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin- figura të tilla.

Jam fare i hapur, nuk kam asnjë dhimbje, absolutisht asnjë dhimbje, dhe nuk e shoh fare në mënyrë emocionale nëse do të hiqen të gjithë filmat. Të mos e marrin si një faj të artistëve që kanë bërë filma që qenë pjesë e propagandës. Për këtë, edhe publiku duhet ta dijë, për atë “faj” në sensin artistik, ne kërkojmë falje. Nëse kemi dhënë informacion jo të mirë.

http://www.gsh.al/2017/04/13/ndalimi-i-filmave-timo-flloko-nuk-kam-asnje...

Comments

Submitted by Zapbone (not verified) on

Me te vertete nuk te lexova deri ne fund! Si mor cte keqe ka filmi per Ismail Qemalin?! Eshte nje film qe fallcifikon historine. Sa i perket fakteve historike: Xhaxhaij i Enver Hoxhes nuk ka qene pjesmarres si Firmetar i Pamvarsise. Karrocieri qe coji Ismail Qemalin ne Vlore eshte kavajes dhe jo durrsak. Shtremberime te fakteve te nje domethenje historike kombetare jane te papranueshme. Filmi nuk ka dinamizmin historik po dhe as artistik, nuk ka peshen, nuk ka dramen, nuk ka aksionin historik qe te mbertheje, nuk ka trillerin artistik; ndertimin kompozicional plane naive me pjesmarrjen e njerzve qe brohorasin nga varkat, kuaj ngordhesire, dialoge patetike te nje ngjarje monumentale te kombit shqiptar ku nuk eshte as ne nivelin ilustrativ te nje dokumentari. Ne filmat shqiptar nuk ka ate me te qenesishmen: Nuk ka Art. Ne filmat shqiptar ka ideologji-trushplarje...

Submitted by Gallapi (not verified) on

Të dijë si një aktorë të mirë.
Përgjigjet që ke dhënë edhe në intervistë, nuk me befasuan, sepse ka kohë se ke shpreh shenja të qarta prej një bukëshkali, ndaj atyre që të mundësuan që të besh emër!
Po ta them popullorçe -pusi të marrët!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.