Aleanca e "të fortëve" keqkuptohet për çështje etike
Prej disa ditësh po shohim shfaqjen kombëtare PS-LSI, dy parti që kanë bërë bashkë Ilir Metën me Edi Ramën, dy personazhe që 4 vjet më parë hodhën firmën për të rilindur Shqipërinë. Bazuar mbi asnjë princip tjetër veç pazarit për transformuar qeverisjen Meta - Berisha në një rikonfigurim Meta-Rama, tradhëtia e 85 mijë zemrave opozitare u vulos nga "tradhëtia e shuplakave", një telenovelë e njohur që gjithsesi u gëlltit pa probleme nga populli socialist.
Të dyja palët janë kapur mat me çështjen e Kelmend Balilit dhe mesa duket presioni ndërkombëtar ka çuar atje ku nuk mban më ujë pilafi. Qeveria shqiptare po ekspozohet keq dhe bashkë me të edhe mbështetësit amerikanë që pranuan dështimin e policisë. Si gjithmonë ai që nuk pranon të dorëzohet dhe të lëvizë ushtarët e vet është Edi Rama që në çdo rast ka gati pamfetin në funksion të devizës "e bëmë keq për ta bërë më mirë". Çudia në këtë rast është se edhe amerikanët edhe LSI thotë se dështoi policia, por këtij varianti Edi Rama vazhdon t'i rezistojë, që megjithatë e sheh LSI-në si aleatin strategjik në funksion të së ardhmes se Shqipërisë. Qershinë mbi tortë e vuri sot ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili la të kuptohet se në çdo rast pazari PS-LSI nuk prishet për pako gjëra.
“Padyshim të dyja forcat i shoh bashkë dhe shumë të forta. Ato që dëgjojmë, janë elementë normal të zhvillimit të një marrëdhënie, gjeja më normale është të ketë debate. Ka nevojë të ruhet një etikë politike, por aleanca është sot e konsoliduar”,- tha ai për News 24, duke qetësuar popullin e majtë për seritë e ardhshme të telenovelës "Me qetësi dhe Dashuri".
Add new comment