Venecia, qyteti i ëndrrave për Fellinin, në projektin e një filmi të parealizueshëm

Postuar në 23 Dhjetor, 2016 10:10

Pietro Citati shkruan sot në “Corriere della Sera” për një projekt të Federico Fellinit për Venecian. Një film i parealizuar për një qytet që siç na thotë Citati, e kishte magjepsur mjeshtrin e madh të kinemasë. Fellini erdhi në këtë projekt pas mahnitjes me Venecian, mahnitjes personale si përvojë e ecjes në qytet, e karnavaleve, e gjeografisë së tij. Por edhe si pasojë e leximeve gati maniakale të parardhësve të tjerë që ranë në dashuri me Venecian, këtë magjistare të përjetshme. Frederick Rolfe, John Ruskin, dy mësues të mëdhenj shpirtërorë të regjizorit. Citati na thotë se Venecia vizitohej nga Fellini mes nëntorit dhe marsit, kohë ku dimri vendoste sundimin e tij dhe mbante turistët larg.

“Fellini hidhej nga një ishull në tjetrin duke ecur mbi akull. Përgjonte zogjtë…I pëlqente shumë të fluturonte me avion mbi qytet dhe mbi lagunë: e parë nga lart, Venecia ishte “një alphabet i padeshifrueshëm shenjash dhe hieroglifesh”, një hartë misterioze, një sixhade, një tapet Persian…”, shkruan Citati, në një rrëfim që përcjella magjepsjen nga magjepsia e Fellinit.

Por Fellini duket se hoqi dorë nga projekti, ndonëse la pas një punim prej 200 faqesh. I cili përligj atë imagjinatën e mirënjohur të regjizorit, duke eksperimentuar në planin kompozicional.

Filmi duhet të ishte si një seri vidash që ndahen, shkëputen, e shpërbëjnë tregimin në një shpërbërje kompozicionale molekulare, e kërcënuar vazhdimisht nga një thyerje e fundit, e që megjithatë zbulon në të tërën e saj mirazhin e një uniteti, apo të një vizioni”, citon Citati regjizorin.

Për të vijuar me një refleks(ion) të këtij leximi: Filmi i ngjan lagunës – një ekuilibër i tokës dhe i detit, i gropave dhe i kodrave, hijeve dhe dritave; ai përçohet nga stili befasues dhe i lehtë i pallateve të Venecias, me trininë e tyre të pabesë dhe tërheqëse. Venecia ishte një refleks. Përkundrazi refleksi i një refleksi; refleksi i një gjëje që ndoshta nuk kishte ekzistuar ndonjëherë e që nuk do të ekzistojë kurrë. Njësoj si Venecia filmi është misterioz, i parealizueshëm dhe inekzistent. Nuk mund të jetë, sepse kërkon të shprehë atë që nuk mund të shprehet: një qytet të ndërtuar mbi ujë dhe pikturuar në ajër.

Protagonist është një regjizor i vjetër amerikan, i quajtur Stein. Ai vjen mbi qytet me avion, hyn në një batiskaf, vëzhgon gjatë ishullin e varrezave ku janë varrosur Stravinski, Rolfe, Djagilev, Ezra Pound dhe zhytet në kanalet e qytetit të vjetër të konsumuar, në nekropolin fantastic që ndodhet nën ujë…

Stein është si kapteni Nemo, udhëton natën dhe ditën përmes tabanit nënujor: dritat e batiskafit ndriçojnë një vend të mbytur, një labirint palafit të pafundëm, mes rrënojave të pallateve të humbur nën ujë, aty ku gjallon një jetë nënujore e shumëllojshme. Stein vihet në ndjekje të një të dashure të tij të vjetër…e cila kishte qenë me të një javë, por një mëngjes ishte zhdukur duke lënë krevatin bosh

Ky peizazh i historisë vihet në ballafaqim me peizazhin e imagjinatës, të Venecias të së ardhmes. Kështu skena tjetër na jep një turmë njerëzish që vijnë në qytet: sovranë të shfronëzuar, princër arabë e me ta edhe Kalibani, një pasanik mediash, padron i qytetit. Ai ka blerë thuajse gjithçka; La Chiesa della Salute, pallatet kryesore, hotelet, duke e transformuar një pallat të ‘400-s në një teatër performimi…

Skena vijon me lojën e këtij miliarderi që vret Venecian e ngulitur në memorien imazherike të njerëzimit me imporivizimet e miliardave të veta. Fellini, siç na thotë Citati, vendos të mos e lejojë. Uji i qelbur arrin maksimumin e nivelit dhe është përzjerë me fekale. Cdo gjë braktiset. Me siguri që edhe zhurma e madhe që krijon kjo jetë e gjallë që vjen prej qindra vjetësh pushon menjëherë…

http://www.corriere.it/cultura/16_dicembre_22/fellini-venezia-mai-vista-...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.