Teatër falas nga LSI-ja/Shezai Rrokaj sfidon Metën për kryetar: Partia ka nevojë të hapet dhe të bëhet më qytetare

Postuar në 16 Shtator, 2016 22:16

Vera ishte e mbushur me teatër politik dhe karagjozë që negociuan për veten në emër të atdheut. Edhe vjeshta duket me supriza. Nuk po na i kursen LSI-ja, pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Partia e Ilir Metës është  forca politike që operon me matematikën 1+1 = 2, por kjo nuk e pengon të  prodhojë shfaqje  të tipit demokraci dhe garë, aq më tepër kur bashkë me matematikën kjo parti po promovon edhe akademikë të linguistikës, si profesor Shezai Rrokaj. Ai do të sfidojë Ilir Metën në garën për kryetar të LSI-së në 6 nëntor ku do të votojë e gjithë anëtarësia.

Një akademik përballë një politikani me stof të veçantë në llogaritë ekonomike që përveç karrierës në Shqipëri, ka në jetëshkrimin e tij dhe titullin si President i Bordit të Institutit për Paqe, Zhvillim dhe Integrim. Çfarë i mungon LSI-së? Shezaiu thotë qytetaria dhe ka bërë publike disa detaje të plaformës në një prononcim pas mbledhjes së kryesisë. 

“Ju e dini shumë mirë që unë vij nga shoqëria civile. Gjithmonë kam punuar që LSI-ja të hapej ndaj shoqërisë civile. Idetë e mia janë bërë publike edhe në postin që unë kam mbajtur. Mendoj që pas një përvoje si kryetari i degës së LSI-së së Tiranës, së mëparshme dhe Tiranës tani si Bashki, mendova se idetë e mia, platforma ime, do ta shëndoshë LSI-në dhe në fund të fundit alternativat gjithmonë i bëjnë mirë një partie.

Partitë tona kanë nevojë që të jenë më pak agresive. Shqiptarët kanë shqetësime shumë më të mëdha dhe mendoj që zbutja e toneve dhe e konfliktit do të jetë një nga drejtimet e mia ku shpresoj që partia të zbutet nga militantizmi dhe fanatizmi politik dhe të hapet më shumë ndaj shoqërisë, të bëhet më shumë qytetare dhe të promovojë më shumë vlerat e intelektualëve. Ta dëgjoj më shumë bazën, sepse ndodh shpeshherë që partitë e shfrytëzojnë bazën për t’u zgjedhur apo në fushatat elektorale, qeveritarët apo deputetët e shfrytëzojnë bazën sa për t’u zgjedhur dhe pastaj nuk i kthejnë sytë nga ajo. Unë jam për një model ndryshe. Vij nga shoqëria civile. Dua të sjell mendimin tim të shoqërisë civile.”-deklaroi Rrokaj.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.