Në Himarë katër vjet më parë...dhe dyzimi për një minoritet në bregdet
Pas incidenteve të fundit në Himarë ku në Këshillin Bashkiak pati përplasje fizike, reagoi Ministria e Jashtme greke. Në fokus është çështja e pronave, por Greqia ngre pretendime për të drejtat e minoritetit. Një ditë më pas, pra sot, është përgjigjur Ministria e Jashtme shqiptare që ndër të tjera thotë: “Është e papranueshme që, apriori dhe çdo herë, të nxiten dhe legjitimohen pretendime paternaliste mbi Himarën. Si historia ashtu dhe e tashmja dëshmojnë qartazi se nuk ekziston kurrëfarë baze për të reklamuar Himarën si hapësirë minoritare. Përpjekjet e vazhdueshme për të instrumentalizuar çdo pakënaqësi individuale ose kolektive, synojnë shtrëmbërimin e realitetit të bashkejetesës së shkëlqyer midis popullsisë shqiptare dhe minoritetit grek, i cili gëzon të drejta të plota, në baze të legjislacionit vendas, si dhe normave dhe konventave ndërkombetare”.
A ka patur këtë mendim përherë shteti shqiptar? Dihet që jo. Le të kujtojmë qëndrimet e afërta, p.sh atë që deklaronte në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2014, eprori i ministrit të Jashtëm, kryeministri Edi Rama. “Kur vjen puna për disa çështje delikate që lidhen me historinë dua t’i jap fund një debati që zgjatet prej 20 vitesh dhe që lidhet me Himarën. Për mua e për ne Himara është si Shkodra, Tropoja, Dibra e Kavaja e si gjithë bashkitë që u krijuan bazuar në kriteret e zonës funksionale, dhe nuk ka asnjë kriter tjetër. Por, fakti që në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton asnjë gjë tjetër veç respektimit të lirive dhe të drejtave individuale të tij. Këtë ne nuk e kemi njohur sot, por e kemi njohur e do ta respektojmë gjithmonë. Megjithë përpjekjet e vazhdueshme të shumëkujt që ka dashur ta shikojë Himarën ashtu siç ajo nuk është. Meqë përmende dhe origjinën time, jam krenar që jam një pjesë nga Himara, dhe nuk e quaj epërsi që jam shqiptar, por jam shqiptar. Nuk më bën të ndjej superioritet ndaj grekëve, por as të ndihem inferior...”(http://www.respublica.al/content/një-moment-i-rëndësishëm-diskutimi-në-parlament-kryeministri-pranon-se-në-himarë-ka).
Pra kryeministri i Ditmir Bushatit pranon që ka minoritet, ndonëse ky mund të jetë edhe lapsus. Pasi ka një kategori njerëzish tek të cilët edhe gabimet thelbësore mund të shihen si lapsuse. Por ka edhe një aspekt, ai i pronësisë, që është më në zemër të problemit. Meqenëse së fundmi në Himarë ka lindur sërish çështja e regjistrimit të pronës, është e udhës që të sjellim këtë problem në raport me premtimet e z. Rama. Secili mandej e verifikon vetë si qëndron puna.
Add new comment