Biznesmenët e huaj rezidentë në Shqipëri, qeveria ndryshon ligjin
Qeveria forcon kriteret për pajisjen me leje të përhershme qëndrimi për biznesmenët e huaj që investojnë në Shqipëri. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj, i cili ndryshon ligjin ekzistues për të huajt.
Sipas draftit, një biznesmen i huaj mund ta përfitojë lejen e përhershme të qëndrimit në Shqipëri vetëm nëse ka investuar të paktën dy milionë euro dhe ka hapur minimalisht 100 vende të reja pune. Në ligjin ekzistues, shuma e kërkuar e investimit është një milion euro, ndërsa numri i vendeve të punës vetëm 10 vetë.
Por, ndërsa shtrëngon kërkesat për lejen e përhershme të qëndrimit që u jepet biznesmenëve, drafti e bën më të lehtë për kompanitë e huaja që kanë kryer investime në Shqipëri të transferojnë staf nga jashtë, duke shkurtuar kohën dhe procedurat për marrjen e lejeve.
Një tjetër ndryshim në ligj është ai që heq tarifën 10 mijë lekë për studentët me përkatësi etnike shqiptare, të cilët kryejnë studimet në Shqipëri. Qeveria thotë se nevoja e këtyre ndryshimeve ka lindur për shkak të mangësive dhe mospërputhjeve të ligjit aktual për të huajt raporton Top Channel.
Add new comment