FMN: Reforma në drejtësi, kyçi i rritjes ekonomike

Postuar në 07 Maj, 2016 17:52

Fondi Monetar ndërkombëtar paralajmëron se reforma në drejtësi do të jetë kritike për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Në raportin e fundit për ekonomitë e rajonit, FMN vlerëson se dy reformat që mund të përshpejtojnë më shumë rritjen ekonomike të shqipërisë janë ajo e gjyqësorit dhe siguria e pronës.

Sipas Fondit, përmirësimi i sistemit gjyqësor dhe forcimi i të drejtës së pronës mund të rrisin produktivitetin e ekonomisë shqiptare deri në 35 për qind, çka do të përshpejtonte ndjeshëm rritjen e prodhimit kombëtar.
Ekspertët e fondit nuk kanë dhënë detaje mbi mënyrën e llogaritjes së këtyre rezultateve. Por sipas tyre reformat e tjera strukturore si lehtësimi i procedurave të biznesit apo heqja e  kufizimeve mbi investimet e huaja do të kishin efekte shumë më të vogla në nxitjen e ekonomisë se sa ndërhyrjet në gjyqësor dhe të drejtën e pronës.
Ngadalësimi i rritjes së produktivitetit është shkaku kryesor se pse rritja ekonomike në Shqipëri u tkurr me ritme dramatike nga 6 për qind që ishte para krizës, në gati 0 në periudhën 2012-2013.  Nga ana tjetër shoqatat e investitorëve të huaj vendosin mungesën e besimit tek gjykatat si një nga pengesat kryesore për investimet e huaja dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre në Shqipëri.
FMN thotë se pas vitit 2008 ambienti ekonomik botëror është bërë shumë më i vështirë. Ndaj sipas fondit, ecuria ekonomike e vendeve do të varet nga suksesi i reformave të vështira strukturore, ku ato në fushën e drejtësisë duken më të rëndësishmet jo vetëm në Shqipëri por thuajse në të gjitha vendet e rajonit.
/ Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.