Praktikat e pazakonshme të OSHEE-së dhe një Ent Rregullator që ngre supet

Postuar në 23 Shkurt, 2016 16:07

Drejtuesja e Autoritetit të Konkurencës, Lindita Lati ka përsëritur sot kërkesën që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, t’i japë fund praktikës së deritanishme të tenderave të energjisë. Kjo praktikë qëndron jashtë ligjit për prokurimet dhe ndjek këtë logjikë: OSHEE merr fillimisht ofertat nga tregtarët privatë dhe pas tenderit hyn në negociata individuale me secilin prej tyre. Diçka krejt origjinale, por që ka sjellë ankesa nga tregëtarët.

“Një procedurë e bazuar në negocim nuk është gjë tjetër veçse një instrument jotransparent dhe i vendos palët në një asimetri informacioni. Mbi të gjitha një procedurë negocimi sjell potencialisht dhe zgjedhje oportunistike. Ne kemi marrë ankesa nga tregtarë që ofrojnë energjinë elektrike për mbulimin e këtij segmenti për mugnesën e transparencës dhe të konkurrencës”, tha Lati në një prononcim për “Top-Channel”(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=320209&fundit).

Kësaj i do shtuar edhe çudia tjetër e Korporatës Energjetike Shqiptare që e shet energjinë elektrike nën kosto. Po sot, revista ekonomike “Monitor” raporton se KESH-i ka finalizuar “garën për shitjen e 79,380 MW kundrejt një shume prej 1.4 milionë eurosh”. “ Sasia e energjisë ka rezultuar si tepricë në prodhim pasi KESH ka plotësuar kërkesën e OSHE, nisur nga rezerva e kënaqshme hidrike që kanë krijuar reshjet. Duke ju referuar të dhënave zyrtare të kompanisë KESH. Energjia është eksportuar me një çmim mesatar 18.8 euro për MW/h. Ndërsa bursa hungarezë e energjisë e cila merret si referencë në tenderët e tregtimit i të energjisë nga kompanitë shtetërore KESH dhe OSHE ofroi dje një çmim bazë prej 24 euro për MW/h ndërsa çmimet pik shënuan një vlerë prej 30 euro për MW/h. Të dhënat tregojnë se KESH ka eksportuar energjinë 27 për qind më lirë se bursa me çmimet bazë dhe 59 për qind më lirë se çmimet pik”, raporton revista. Arsyetimi i kompanisë? “KESH i shet tepricat e energjisë në fasha, të cilat kushtojnë shumë më lirë se çmimet pik dhe çmimet bazë”(http://www.monitor.al/kesh-shet-per-1-4-mln-euro-tepricat-e-energjise-cm...)

Alibi të ngjashme ka edhe Enti Rregullator i Energjisë, që në vende se të ndërhyjë për të mos lejuar praktika të tilla që po dihen mirë se ku çojnë, rri e vështron, me premtimin e një rregulloreje të re. “Kemi ngelur pikërisht në draftin e fundit që na erdhi nga ERE për rregulloren, e cila përsëri bazohej në një procedurë negocimi, ku ne përsëri gjykojmë që kjo nuk është e duhura që duhet ndjekur”, thotë Lati i Autoritetit të Konkurencës, ndërkohë që nga Enti shprehen se “Enti nuk mund të ndalonte OSHEE-në të negocionte për uljen e çmimeve”. Po për çfarë është Enti atëherë, apo që t’i shërbejë si çati OSHEE-së? Petrit Ahmetaj, drejtues i Entit ka preferuar të flasë jashtë kamerave, sikur të ishte duke rrëfyer ndonjë sekret. “Enti do të marrë në konsideratë rekomandimin e Konkurrencës”, citon TCh Ahmetajn, drejtues i një institucioni që duket se u thotë qytetarëve: “Kështu e kanë këto punë! Mos u mërzisni!” 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.