“Skavica”, LSI-ja kërkon të dëgjohen ekspertët shqiptarë: “Vepër me më shumë rëndësi se rruga Durrës-Kukës”
Skavica dhe projektet mbi të, po transformohen në një çështje për të cilën qeveria, dikasteri përkatës i drejtuar nga Damian Gjiknuri, do të duhet të japë më shumë llogari dhe të bëjë më shumë transparencë. Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka deklaruar sot në një prononcim për emicionin “Të bësh ekonomi” në “News24” se kjo çështje do të duhet të konsiderojë fillimisht mendimin e ekspertëve. Madje Vasili ka nënvizuar se nuk po bëhet transparencë. “Ashtu sikurse edhe ju, ashtu sikurse edhe unë, ashtu sikurse edhe opinioni janë shumë pak të qartë se cili është fati i ardhshëm i Kaskadës. Nuk mund të jetë Kaskada pjesë e një beteje politike...Në fund të fundit ata njerëz të cilët kanë ndërtuar vepra, nuk i kanë dëgjuar siç i kanë dëgjuar ca të tjerë. Ata duhen dëgjuar...”, tha përfaqësuesi i LSI-së.
Pak ditë më parë Ministria e Energjetikës zhvilloi një takim të hapur ku propozoi tri variante për Skavicën, ndërkohë që sot, komapnia e akuzuar nga opozita, “Suzer”, ka reaguar duke deklaruar se ka 50 vite aktivitet. Duket se socialistët nuk kanë fuqinë të kalojnë një projekt të tillë pa sqaruar së pari aleatin e tyre, LSI-në. Vasili ka bërë të qartë kushtëzimin në këtë drejtim: “Projektet ose janë projekte efiçente dhe e vënë sistemin energjetik shqiptar në kushte e ekonomisë dhe të efiçentës së plotë, sigurisht e ruajnë edhe nga problemet e mëdha sociale siç janë edhe përmbytjet ose nuk janë të tilla. Dhe në rast se janë kaq strategjike, të gjitha sakrificat që do të kërkonte financimi i tyre të vëna përballë kësaj nevoje të madhe, duke sqaruar publikun e gjerë, do të ishin projekte të pranuara dhe projekte për të cilat shqiptarët do të dinin edhe pse po sakrifikonin. Ne kemi financuar një rrugë të rëndësishme si Rruga e Kombit, që ka kushtuar mbi 1 miliardë euro në fund të fundit në funksion të zhvillimit, etj.. Por nuk besoj kurrën e kurrës se mund të krahasohet me rëndësinë strategjike që ka Skavica e në rast se do të duheshin investime të tilla e të mëdha...Këmba themelore e të ardhmes së zhvillimit ekonomik dhe social të këtij vendi është pikërisht zgjidhja strategjike e problemit të energjisë”.
Add new comment