FMN për transparencën e buxhetit: Dekadën e fundit qeveritë kanë fryrë parashikimet
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se buxheti rrezikohet nga parashikimet që qeveria bën në mbledhjen e të ardhurave, duke i mbivlerësuar parashikimit. Në raport, ndërkombëtarët ngrenë shqetësimin se buxhetit i kanë munguar të ardhurat për shkak të mosrealizimeve dhe kjo e ka detyruar qeverinë të ndryshojë buxhetin, por kjo ka minuar besueshmërinë e këtij buxheti.
Gjatë dekadës së fundit, zyrtarët i kanë mbivlerësuar parashikimet për rritjen ekonomike nga 1.5 për qind dhe arkëtimin e të ardhurave me 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
Si rezultat, buxheti i miratuar shpesh është ulur ndjeshëm gjatë vitit për shkak të mungesës së të ardhurave, duke minuar besueshmërinë e tij”, citon “Panorama” raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Më tej raporti vlerëson se të ardhurat mbulojnë shpenzimet e qeverisë dhe pagimin e borxhit. Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë 7 rekomandime qeverisë për përmirësimin e transparencës fiskale. Fillimisht në raport rekomandohet ngritja e një këshilli të pavarur fiskal, që do të vlerësojë parashikimet si për të ardhurat, ashtu edhe për rritjen ekonomike.
E thënë ndryshe, Fondi kërkon ekspertë të pavarur që të shohin nëse parashikimet që bën qeveria për mbledhjen e të ardhurave në buxhet janë të fryra apo të realizueshme. Po ashtu rekomandohet në raportet fiskale përfshirja e opinioneve të ekspertëve për përmirësimin e gjendjes së deficitit buxhetor, borxhin dhe të ardhurat.
Add new comment