Shumica parlamentare dhe reformat
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/9374_timthumb_116.jpg?itok=hMIRZoMZ)
Prej disa ditësh, përfaqësues të opozitës kanë ngritur pretendimin se mazhoranca nuk i ka votat për të kryer modifikime ligjesh apo reforma që kërkojnë shumicë të cilësuar votash në Parlament. Përfshirë reformën e shumëpërfolur territoriale, që pret të marrë formë. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, deklaronte para tri ditësh se “…duam t’u bëjmë të qartë sërish sot se, nuk i kanë numrat e popullit për të votuar një reformë të tillë; kanë vetëm numrat e pazareve dhe kjo vetëm e shumëfishon zullumin e njëanshmërisë për një reformë që zakonet, tradita dhe standardet europiane e kanë shenjtëruar si gjithëpërfshirëse”. Retorika plot patos e Bashës, si dhe deklarimet e të njëjtës logjikë, të zyrtarëve të tjerë demokratë, synojnë të hedhin në publik idenë se shumica e sotme qeverisëse nuk i ka shifrat për të votuar ligje me 84 vota. Sepse, sipas tyre, ajo ka marrë vetëm 83 mandate në zgjedhje, ndërsa dy mandatet e tjera janë shtuar më vonë, si pasojë e atyre që ajo i quan pazare dhe blerje votash nga ana e qeverisë. Një praktikë që në fakt aplikohet prej një dekade në sallën e Kuvendit të Shqipërisë!
Ky i mandateve të pamjaftueshme do të ishte një pretendim me vend, nga pikëpamja etike, nëse nuk do të dilte nga goja e zyrtarëve të PD-së. Të një partie, e cila në vitin 2009 mori vetëm 70 mandate parlamentare dhe që qeverisi e pashqetësuar vendin (jo një ligj apo reformë, por katër vjet qeverisje), me anë të katër mandateve “borxh” të LSI-së, të cilat kishin dalë nga vota që kërkonin largimin e Berishës në zgjedhje. Në këtë mënyrë, ky pretendim korrekt nga pikëpamja etike, rrëzohet nga logjika e mbrapshtë e instaluar në Kuvendin e Shqipërisë prej vitesh, e jo vetëm sot. Kur qeveria e para 23 qershorit mbeti pa kuorumin e 70 votave, pas ikjes së LSI-së, Partia Demokratike nuk ngurroi të “prenotojë” tri mandate socialistësh, për të mbajtur në këmbë kabinetin qeveritar. Duke bërë fiks atë që sot e anatemon jo pa të drejtë!
Mazhoranca e sotme i ka numrat për të aprovuar ligje me shumicë të cilësuar. Është tjetër gjë, nëse duhet ta aplikojë këtë të drejtë formale apo duhet të eksplorojë mundësitë për një marrëveshje sa më të gjerë politike, për reformat kryesore, me palën tjetër.
Opozita ka parashtruar një kërkesë që nga ana politike tingëllon e kuptueshme, por që duket se bie ndesh me të gjithë mekanizmin e praktikën parlamentare, si dhe kuadrin ligjor që e rregullon atë. Në thelb, PD-ja kërkon që vendimmarrja në komisionin e reformës territoriale të ngrijë dhe t’i imponohet votimit në seancë plenare, pa i ndryshuar asnjë presje asaj që do të votojnë anëtarët e komisionit në fjalë. Në pamje të parë, një kërkesë si kjo synon të krijojë një zgjatim të kompromisit për reformën territoriale, nga tryeza e komisionit, në seancën plenare. Kërkohet që formulimet e votuara me konsensus në tryezën e komisionit, të mos modifikohen nga deputetët në votimin final. Dhe kjo do të siguronte që reforma të kishte në themel vërtet konsensusin e gjerë politik, e jo imponimin e 85 votave.
Nga ana tjetër, të kërkosh që 16 deputetë të marrin vendime edhe për 124 deputetët të tjerë, pa u lënë këtyre të fundit që të kenë qoftë edhe më të voglin rol për të luajtur, veç atij të ngritjes mekanike të duarve, duket gjithashtu jonormale. Një komision parlamentar nuk mund të marrë atributet e tërësisë së deputetëve të Kuvendit.
Është e zakonshme që politika shqiptare ta fusë veten rregullisht nëpër qorrsokakë të tillë proceduralë, e kjo buron ngaqë sistemi i rregullave futet në kolaps në mënyrë të përsëritur, për shkak të mungesës totale të besimit mes palëve. Dhe ai që paguan pasojat, si gjithmonë, është votuesi shqiptar.
Reforma territoriale është një moment i madh ndryshimi në jetën institucionale të këtij vendi. Nëse ka një gjest që meriton me plot gojën të quhet “historik”, është pikërisht tkurrja dhe ribërja e një pushteti që sot është njëra ndër gangrenat ekonomike, financiare, si dhe një çerdhe e pashërueshme korrupsioni, keqmenaxhimi të territorit dhe që nuk ofron thuajse asnjë shërbim të prekshëm për miliona votues.
Është më se e këshillueshme që politika shqiptare t’i votojë me konsensus sa më të gjerë reformat e mëdha. Dhe reforma territoriale është një e tillë. Kjo është këshilla e të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, por më së pari, kjo është një rrethanë tejet e rëndësishme për ambientin e përçarë politikisht të Shqipërisë.
Ndërkaq, është gjithashtu e rëndësishme që partitë politike të mos ngatërrojnë degët me rrënjët, duke kushtëzuar reformat themelore me axhendat politike të ditës. Sepse, mosdallimi i asaj që është parësore, nga ajo që vjen në plan të dytë, ka qenë dhe mbetet sëmundja më e vjetër e klasës sonë drejtuese. Duhet një akt emancipues që të mbyllet epoka e sherreve meskine në jetën tonë politike. Reforma territoriale duket rasti për ta bërë diçka të tillë.
"Shqip"
Add new comment