Manuali i luftëtarëve të importuar
NGA DAVID MALET
Për shumë vëzhgues, ata rreth 11 mijë luftëtarë të huaj që janë derdhur drejt Sirisë gjatë kësaj lufte civile, janë shenja shqetësuese të një tendence në rritje drejt konflikteve transnacionale. Dhe në një kuptim, kanë të drejtë. Që prej vitit 2001, gati 20 mijë rebelë “të jashtëm”, shumica xhihadistë, kanë shkuar nëpër zonat e luftës, nga Afganistani në Irak e Nigeri, për t’iu bashkuar grupeve kryengritëse lokale ose për të themeluar baza të Al Kaedës dhe organizatave të tjera islamike. Në dekadën e fundit, qeveritë kanë harxhuar me qindra miliardë dollarë në përpjekje për të frenuar rradhët e luftëtarëve, dhe qindra milionë të tjera për t’i riintegruar ata pas kthimit në atdhe.
Por në një këndvështrim tjetër, vëzhguesit e kanë gabim. Luftëtarët e huaj vërtet mund të duken si tipar i luftrave të shekullit të 21-të, por në fakt kjo dukuri nuk ka asgjë të re. Gjatë dy shekujve të shkuar, më shumë se 70 kryengritje lokale janë shndërruar me sukses në përplasje ndërkombëtare; ka patur luftëtarë të huaj në të paktën një prej pesë luftrave civile moderne. Lista përfshin Lord Bajronin dhe Komitetin e tij Filhelenik të Londrës që ndihmoi grekët në luftën e tyre për pavarësi nga Perandoria Osmane në vitet 1820, vullnetarët e hurit e litarit që u bashkuan me ushtrinë e Sam Houston-it në luftën teksane për pavarësi më 1836-ën, koalicionin e majtistëve të drejtuar nga Internacionalja Komuniste që mbështetën krahun republikan në luftën civile spanjolle 1936-39, apo grupet paraushtarake hebreje që luftuan në luftën izraelite për pavarësi në 1948-ën.
Ashtu si në dekadat e kaluara, luftëtarët e huaj janë përfshirë edhe në konfliktet më të freskëta anembanë botës. Gjithkush e njeh praninë e tyre në Lindjen e Mesme, por ka edhe raste të tjera. Në fund të viteve 1990-të, shqiptaro-amerikanët luftuan përpkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pak vite më pas, anëtarë të Ushtrisë Republikane Irlandeze u larguan nga Kolumbia, ku qenë arrestuar nën akuzën e stërvitjes së rebelëve të FARK-ut. Dhe sot, disa mijëra luftëtarë të huaj, të kategorizuar në atë që OKB e quajti “diaspora e rebelëve”, janë përhapur përgjatë rajonit afrikan të Liqeneve të Mëdha, disa të lidhur me Ushtrinë e Rezistencës së Zotit, të tjerë me grupet rebele ruandeze.
Edhe pse rebelimet transnacionale përfshijnë grupe tejet të ndryshme në shumë zona dhe epoka konfliktesh, ata gjithsesi kanë shumë gjëra të përbashkëta. Fjala vjen, forca të kësaj natyre dalin shpesh fituese: Rebelimet transnacionale i kanë fituar gati gjysmat e luftrave civile ku janë përfshirë, pothuajse dyfishi i përqindjes së suksesit të kryengritjeve në total. Disa kryeministra izraelitë kanë pranuar se fitorja e Izraelit në 1948-ën u mbështet fort në përvojën e veteranëve të Luftës së Dytë që ndihmuan shtetin e vogël kundër ushtrive arabe. Në konflikte të tjera gjatë historisë, luftëtarë të shquar të huaj ishin faktor kyç ose në forcimin e rebelimeve, ose në shtimin e kostos për shtypjen e tyre: Markezi Lafajet, gjenerali francez që ndihmoi rebelët amerikanë gjatë Luftës Revolucionare; gjenerali italian Xhuzepe Garibaldi, që mbështeti kryengritjen republikane braziliane në vitet 1830; dhe Abu Musab al Zarkavi që ngriti Al Kaedën në Irak nën pushtimin amerikan. Karakteristikat e rekrutimit për këta luftëtarë kaq të ndryshëm e të largët me njëri-tjetrin, janë çuditërisht të ngjashme dhe për shkak të kësaj, të gjithë kanë thembrën e tyre të Akilit.
Motivi i rekrutimit
Grupet kryengritëse, nga ushtria teksane e 1836-ës tek degët e Al Kaedës në Sirinë e sotme, për të rekrutuar luftëtarë të rinj shfrytëzojnë më shumë dëshpërimin, sesa optimizmin. Përgjithësisht, ata u thonë rekrutëve se po humbasin në luftën për mbijetesë dhe se është në lojë ekzistenca e tyre. Mbase nuk duket teknikë bindëse, sidomos për luftëtarë që nëse pranojnë, duhet të thyejnë disa ligje dhe të marrin armët në një territor të panjohur. Por funksionon. Sepse këto grupe e bindin individin se ai apo ajo janë pjesë e një komuniteti të rrezikuar dhe janë të obliguar ta mbrojnë. Strategjia funksionon edhe më mirë me rekrutët e huaj që ndajnë ideologjinë dhe bindjet fetare të grupit, por që ndryshe nga luftëtarët vendas, nuk kanë familjarë e të afërm në vijën e parë të zjarrit.
Por rekrutuesit mund të afrojnë gjithashtu edhe vullnetarë që kanë lidhje të dobët, apo që janë thjesht simpatizues të grupeve të saktuara. Zakonisht kjo kategori bindet lehtë, për shkak të lidhjeve të dobëta me identitetin kombëtar dhe vendin e vet, sidomos kur bëhet fjalë për ardhacakë të paasimiluar, grupe të shtypura politikisht apo në nevoja të mëdha ekonomike. Është tipike që shumë rebelime transnacionale, kanë preferuar të sjellin këta ushtarë të huaj kudo shtrohet nevoja, sesa të rrezikojnë në fushëbetejë anëtarët e vet të sprovuar. Kjo strategji duket se funksionon në konfliktet ideologjike, por është më e zorshme të aplikohet nga grupet rebele etnike. Në fakt, akoma dhe rebelimet më të suksesshme etno-nacionaliste kanë tentuar të mos i përdorin luftëtarët e huaj. Tigrat tamilë në Srilanka dhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit në Turqi, kanë arritur me sukses të mbledhin mbështetje financiare të huaj, por duket se nuk kanë kërkuar më shumë se kaq. Ata importuan armë, jo njerëz, mbase duke e ditur se kauza e tyre nuk do bëhet kurrë e besueshme si një rrezik për ekzistencën, nëse do kërkonin ndihmë trupash nga diaspora.
Në rastet kur luftëtarët e huaj janë rekrutuar me sukses mbi këto premisa, si në Afganistan dhe Irak, propaganda prodhon problemet e veta. Në këto konflikte, të huajt që shtyhen nga besimi se po luftojnë një përplasje për jetë a vdekje deri në fund, veprojnë më egërsisht se rebelët vendas – qoftë edhe kur janë duke fituar. Nuk është rastësi që shumica e misioneve vetëvrasëse në Afganistan e Irak janë zbatuar nga luftëtarë të huaj dhe jo militantët lokalë. Kur luftojnë për një ideal abstrakt, pa patur shqetësime konkrete për raprezalje ndaj familjeve të tyre, luftëtarët e huaj nuk tregojnë shumë mëshirë. Disa grupe rebele, si Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit, ISIS, apo Jabhat al Nusra në Siri, e kanë shfrytëzuar këtë dinamikë duke përdorur rebelë të huaj për të shënjestruar civilë, aty ku luftëtarët e tyre vendas nuk donin.
Dallimet dhe diferencat mes rebelëve vendas dhe atyre të huaj, mund të sjellin mosmarrëveshje mes tyre. Dekada e kaluar na ofron evidenca të shumta se angazhimi i luftëtarëve të huaj ka patur edhe disavantazhe, përveç përfitimeve. Në Irak, kulmi i një dhune sektare të ndërmarrë nga grupe rebele alkaediste të dominuara nga të huajt, bëri që kryengritësit lokalë sunitë të kthehen kundër tyre dhe të grupohen në të ashtuquajturën Lëvizja e Zgjimit, përkrah forcave të koalicionit. Në Afganistan, një grup vendasish në qytetin Gizab, që donin të dëbonin talebanët nga provinca e tyre, u bashkuan me ushtarët amerikanë, që i quanin këta “Djemtë e Mirë të Gizabit”. Në luftën civile somaleze, udhëheqja lokale e grupit islamik Al Shabab u kundërvu ndaj xhihadistëve perëndimorë me akuzën se dështuan të mbrojnë interesat e rebelëve, duke favorizuar pikëpamjet tejet agresive të Al Kaedës. Së fundi, në Siri, ISIS dhe Al Nusra i kanë kushtuar po aq energji luftës ndaj kryengritësve të Ushtrisë së Lirë Siriane dhe njëra-tjetrës, sa ndaj regjimit të Bashar Al Asadit.
Besnikëria është problem më vete. Edhe pse disa rekrutë të huaj i mbeten besnikë kauzës së tyre gjatë gjithë jetës, histori të pashmangshme luftëtarësh të larguar, ua bëjnë të vështirë udhëheqësve të shtrëngojnë rradhët e mbështetësve të tyre. Rëndom, pas një vale të parë entuziazmi, vala e vullnetarëve në rebelimet transnacionale zbehet, sa më shumë shtohet pesimizmi dhe morali i ulët, dhe dëmet e mëdha ndaj civilëve. Ndodh që pas betejave madhore apo një fitoreje finale, entuziazmi rritet sërish dhe luftëtarë të “ftohur” afrohen për të kërkuar pjesë të plaçkës së fitores. Në Afganistanin e viteve 80-të, për shembull, Osama Bin Laden nuk ka patur kurrë me vete më shumë se rreth 200 vullnetarë kundër trupave sovjetike, por pasi Ushtria e Kuqe u largua, rradhët e tij u bënë mbi 10 mijë. Historikisht, shumica e luftëtarëve të huaj nuk kanë qëndruar, edhe atëherë kur grupet etnike apo nacionale kanë fituar sovranitetin, si me revolucionin e Teksasit, ku shumë meksikanë dhe emigrant europianë u rreshtuan në ushtrinë teksane. Kur ish luftëtarët janë kthyer në shtëpi, shërbimet inteligjente i kanë mbajtur nën vëzhgim. Në luftën civile spanjolle, veteranët e brigadës “Abraham Linkoln” - formacioni i rreth 3 mijë vullnetarëve amerikanë që luftuan për republikanët – ishin të vetmit amerikanë me përvojë luftarake para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Por ata u ndaluan nga mobilizimi në ushtrinë e SHBA-së. Gjithsesi, në shumicën e rasteve luftëtarëve të huaj iu dha amnisti nga qeveritë e tyre. Pjesa dërrmuese e tyre iu rikthye jetës civile, edhe kur mbetën aktivë në politikën radikale, atë sektare apo në komunitetet e diasporës.
Të pakthyerit
Rreth 25 vjet më parë, u bë më e vështirë për luftëtarët e huaj të riktheheshin në shtëpi, pasi muxhahedinët arabë që luftuan kundër pushtimit sovjetik në Afganistan, themeluan Al Kaedën. Edhe pse luftëtarët ndiheshin plot besim se kishin mposhtur Ushtrinë e Kuqe dhe përshpejtuan rënien e një superfuqie, ata e dinin se qeveritë e tyre arabe, që i shikonin si kërcënim për vendin, nuk do t’i lejonin të riktheheshin. Si rezultat, këto grupime u bënë vërtet luftëtarë pa shtet dhe rebelë transnacionalë, që përdorën rrjetet e tyre për të lëvizur nëpër zona konflikti, nga Bosnjë në Filipine. Edhe apeli I tyre mori ngjyrim global, duke folur për gjithë komunitetin mysliman që duhej të luftonte për mbijetesë kundër doniminimit perëndimor. Kësisoj, ata ja dolën të kornizonin çdo konflikt të mëpasëm ku morën pjesë, si një front i një lufte më të madhe.
Siria e ka ndryshuar disi këtë narrativë të xhihadit, nga linja e njohur e mbrojtjes së myslimanëve ndaj fuqive perëndimore, tek ajo e shpëtimit të vëllezërve sunitë nga regjimi alavit i Asadit, që mbështetet nga shiitët e hezbollahut dhe Iranit. Luftëtarët e huaj që iu bashkuan katrahurës së Damaskut rreth një vit pas fillimit të kryengritjes, kishin përvojë të mëparshmeme këtë lloj lufte sektare nga Iraku; ata menjëherë futën në zbatim taktika brutale, përfshirë prerje kokash dhe atentate kamikaze. Në përgjigje, rreth 5 mijë luftëtarë të Hezbollahut, plus militantëve të tjerë të huaj shiitë, rrëmbyen armët në mbështetje të ushtrisë siriane.
Për faktin se Siria paraqet tipikisht llojin e një territori të paqeverisur që josh luftëtarët e huaj, dhe sepse shumë pak prej luftëtarëve të huaj aty do të mirëpriteshin nga qeveritë e tyre nëse e braktisnin fushë-betejën, shumica e tyre kanë shumë pak arsye për t’u larguar. Për të kuptuar se çfarë vjen më pas në Siri, e shkuara duket se është parashikuesja më e mirë e të ardhmes, përderisa me ndërgjegje grupet militante transnacionale, kopjojnë njëra-tjetrën. Sado e çuditshme të duket, rebelët transnacionalë të Teksasit më 1836-ën, lufta civile spanjollë një shekull më pas dhe lufta izraelite e pavarësisë më 1958-ën, kanë frymëzuar zhvillimin e muxhahedinëve të viteve 80-të në Afganistan, prej nga rrjedhin të gjitha grupet xhihadiste të ditëve tona.
Komuniteti ndërkombëtar i ka mbështetur shumë rrallë luftëtarët e huaj si fenomen, pasi ata kërcënojnë sovranitetin individual të shteteve dhe autoritetin e shtetësisë e shërbimit ushtarak kombëtar. Shtetet kanë kryer marrëveshje formale paqeje, ku si parakusht për bisedime është vënë dëbimi I luftëtarëve të huaj, sin ë Spanjë në vitet 30-të, apo në Bosnjë e Pakistan në vitet 90-të. Por me daljen e Al Kaedës dhe rimishërimit të saj të fundit në Siri, luftëtarët e huaj ka më pak gjasa të sporsorizohen nga shtetet, siç ka ndodhur në të kaluarën; e rrjedhimisht, është më e vështirë t’I largosh ata përmes negociatash. Çdo përpjekje tjetër ndërkombëtare për të bllokuar rrjedhën e luftëtarëve të huaj drejt Sirisë, ka gjasë do të jetë e kotë por edhe kundërproduktive. Kufijtë nuk mund të vulosen, dhe lëvizja e amëve nuk kontrollohet dot në një vend ku grupe të ndryshme – qeveria, ushtria e Lirë Siriane, islamikët raikalë dhe rebelët kurdë – pretendojnë kontrollin e zonave të ndryshme kufitare dhe rajoneve të vendit. me të njëjtën logjikë, ndalimi I militantëve të kthehen në atdheun e tyre kur lufta të mbarojë, do të ishte një gabim strategjik. Qeveritë shqetësohen me të drejtë për radikalizimin, por luftëtarët që kthehen në shtëpi, me gjasë do të sjellin me vete edhe rrëfimet e zhgënjimit, çka efektivisht do të minonte çdo program rekrutimi. Ashtu si me vetë makthin sirian, reagimi më i mirë i qeverive, qytetarë të të cilave kanë shkuar në luftë, është izolimi i kujdesshëm. Si shumë luftëtarë të jashtëm përpara tyre, at vullnetarë të Sirisë ndodhen aty për të bërë atë çka e perceptojnë si luftë mbrojtëse. Prandaj duhen futur në punë mësimet nga e kaluara, sidomos duke u përpjekur të pakësojmë ndjesinë se një grup specifik etnik ose sektar ndodhet nën kërcënim të drejtpërdrejtë. Kjo do ishte rruga më e mirë për thyer qerthullin e rekrutimit.
Nga Foreign Affairs
revista Klan NR.865
Add new comment