Maqedonia do të udhëhiqet nga fuqia e Gruevskit dhe naiviteti i shqiptarëve
Në Maqedoni përfunduan zgjedhjet. Fituan të njëjtit, humbën të njëjtit. Në shikim të parë, asgjë e re. Por në esencë, këto zgjedhje sollën shumëçka të re, që meritojnë të shikohen më me vëmendje. Maqedonia pas 27 prillit do të hyjë në fazën e kontestimeve institucionale. LSDM opozitare do të kontestojë institucionet e dala nga këto zgjedhje. BDI do të kontestojë Presidentin e porsazgjedhur dhe dy parti opozitare shqiptare, PDSH dhe RDK, secila në mënyrën e vet, do të kontestojnë diçka.
Partia e Gruevskit doli më e fuqishme se asnjëherë më parë. Asaj i ndihmuan edhe aleatët e ardhur nga lagjet e varfra rome, boshnjake, turke. Por mbetet të shihet se si do të arrijë ta menaxhojë këtë fuqi parlamentare kjo parti dhe sa ajo do të mund të lirohet nga ambicia për të drejtuar shtetin, e vetme, pa ndihmën e subjekteve të tjera, sidomos shqiptare. Akuzat në adresë të saj për monopol shtetëror të propagandës dhe veprimeve, që kishin aromë manipulimi, nuk u morën shumë seriozisht nga kryeministri i ardhshëm i vendit. Ai, duke ironizuar me këto akuza, mori shembull boksin për të dëshmuar, se ata që humbin në nokaut klasik, nuk kanë të drejtë të fajësojnë arbitrin. Sipas Gruevskit, LSDM nuk pati ofertë bindëse për të qenë konkurrente e denjë e VMRO-DPMNE-së. Populli e ka kuptuar dallimin e këtyre ofertave, andaj u përcaktua për neve, tha Gruevski.
LSDM ndodhet para përgjegjësisë së dyfishtë: të menaxhojë efektet që do të prodhojë bojkoti dhe të rikuperojë pasojat e humbjes brenda elektoratit dhe strukturave të veta partiake. Kjo parti ka kohë që bojkotin e përdor si mekanizëm për të parandaluar, siç thonë reprezentët e saj, industrinë e manipulimit institucional të vullnetit të popullit nga ana e partisë së Gruevskit. Një tentim për bojkot u provua edhe në prag të zgjedhjeve të fundit vendore, mirëpo në moment të fundit u hoq dorë dhe LSDM sërish doli e mundur nga konkurrenti i saj – VMRO-DPMNE.
Tani, kur kjo parti ka vendosur të mos i njohë këto zgjedhje parlamentare edhe përkundër faktit se ka fituar 34 mandate (deri në momentin kur po shkruhet ky tekst, ky ka qenë rezultati i KSHZ-së), asaj i shtohet edhe një përgjegjësi para vetvetes: të ruajë monolitetin e brendshëm. Një parti që fiton aq mandate, nuk do ta ketë edhe lehtë t’i bindë të gjithë mbështetësit e vet që të heqin dorë lehtësisht nga beteja institucionale dhe nga shanset që jep dialogu i brendshëm institucional.
Legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve gjithsesi do ta përcaktojë edhe shkalla e gatishmërisë së partisë fituese për të rivendosur një komunikim dhe dialog normal institucional në mes të aktorëve politikë, qofshin ata në pushtet, apo në opozitë. Nga keqardhja e Gruevskit për mosnjohje të këtyre zgjedhjeve nga ana e LSDM-së, vërehet se kjo gatishmëri nuk do të mungojë. Se sa ai do të arrijë të rikthejë klimën e (mos)besimit reciprok, kjo do të varet shumë nga ngjarjet, që do të përcjellin këtë periudhë e që lidhet me tejkalimin e problemit me Greqinë, me sfidat para marrjes së datës për bisedime me BE-në dhe para anëtarësimit eventual në NATO.
Por, ajo që do të mungojë tek Gruevski, e që po kërkohet me këmbëngulje nga opozita maqedonase, është gatishmëria për të hequr dorë nga monopolizmi dhe kontrollimi shtetëror i disa resurseve shoqërore e institucionale, siç janë: hapësira mediatike, gjyqësori, partizimi i administratës shtetërore, jotransparenca financiare në disa projekte kapitale etj.
Në ditët në vijim sigurisht do të pasojnë analizat mbi shkaqet e vërteta të këtij bilanci zgjedhor. Do të analizohet më detajisht arsyeja se pse VMRO-DPMNE arriti sërish të ketë kaq shumë besim në elektorat, edhe përkundër skandaleve të publikuara nga ana e LSDM-së. Çka e bën këtë parti të veçantë që të jetë kaq imune ndaj akuzave dhe çka po ndodh me disponimin publik? Është një manipulim mediatik që po përkthehet si sukses, gjithë ky projekt gjigant i Gruevskit, apo po ndodh pamundësia e LSDM-së për të përmbysur këtë manipulim me një ofertë më konkurruese?
Këto dhe pyetje të ngjashme, sigurisht që do të bëhen edhe në të ardhmen. Por situatën asgjë nuk e ndryshon, nëse përgjigjet që do të pasojnë do të jenë të njëjtat, si ato që i kemi dëgjuar deri më tani.
Presidenti i ardhshëm i vendit do të jetë Gjorgje Ivanov. Sa do të ndikojë që rizgjedhja e tij definitivisht të ndajë rrugët në mes të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, apo do të hyjmë në një fazë interesante të kohabitimit, i paparë deri më tani? Në të kaluarën ka ndodhur që presidentin ta kontestojë një forcë opozitare politike. Por, nëse BDI hyn sërish në qeveri dhe ideja e saj për President konsensual do të vazhdojë të jetojë ende në kokat e përfaqësuesve të saj, atëherë shtrohet dilema esenciale: nëse ministrat dhe deputetët e kësaj partie do t’u nënshtrohen disa kompetencave që burojnë nga shefi i shtetit? Si do të sillen deputetët dhe ministrat e BDI-së në situata, kur Ivanovi do të nënshkruajë ligje dhe akte të tjera juridike, që nuk do të jenë në përputhje me vullnetin dhe përcaktimin e tyre politik? A do të njihen ato ligje dhe akte juridike edhe nga ministrat dhe deputetët e BDI-së? Apo ndoshta BDI nuk e njeh vetëm Ivanovin si President jokonsensual, por jo edhe kompetencat e tij?
Kur jemi te BDI, domosdoshmërisht shtrohet edhe çështja e mënyrës skandaloze të zgjedhjes së deputetëve maqedonas të diasporës. Ku qëndron përgjegjësia e kësaj partie për moszgjedhjen e së paku deputetit nga Europa? Si është e mundur që shërbimi diplomatik e konsullor i Maqedonisë në Europë e Amerikë të jetë aq i pandikimueshëm nga kuadrot e kësaj partie dhe a do të ndodhë që të merret në përgjegjësi ndonjë punonjës diplomatik nga radhët e kësaj partie? Apo, ndoshta edhe kësaj radhe do të mungojë analiza e mirëfilltë mbi shkaqet e humbjes së shansit për të zgjedhur një deputet shqiptar nga Europa për në Parlamentin e Maqedonisë. Të presim e të shohim çka do të ndodhë.
PDSH assesi të zgjerojë listën e deputetëve që do ta përfaqësojnë këtë parti në parlament. Arsyeja për këtë moszgjerim qëndron tek mediat, tek RDK, tek tradhtia e Zijadin Selës, tek presionet e BDI-së. Lideri i kësaj partie, me mosedukimin e tij politik për të pranuar humbjen, po hyn edhe më tepër borxh tek shqiptarët e Maqedonisë, duke i konsideruar ata si ‘hajvanë‘ të gjallë, që nuk po dinë ta vlerësojnë drejt largpamësinë politike të tij dhe ekipit të vockël që ai menaxhon. Të gjithë jashtë tij (madje edhe RDK!!!), përveç atij vetë, janë fajtorë për këtë bilanc zgjedhor, i cili mund t’i sigurojë edhe një vegjetim katërvjeçar në opozitë. Edhe 400 vjet BDI do të marrë nga 19, 20 deputetë me këtë lider opozite dhe Ahmeti më tepër se për shëndetin e tij, e lut Zotin që t’i japë shëndet oponentit të tij nga PDSH, sepse vetëm ai i mundëson fitore të tillë kolosale dhe askush tjetër. Të lumtë M.Th që na kënaqe me këtë shërbim, që po i bën konkurrentit tënd politik.
Rufi Osmani përfundimisht e humbi shansin të etablohet si një forcë serioze në skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Sigurisht, edhe kjo parti po paguan tagrin e manipulimit në terren, por analizat e mirëfillta do ta nxjerrin lidershipin e saj të papjekur ende në menaxhimin e resurseve intelektuale, organizative, financiare që ngelën të paainkorporuara në filozofinë e drejtimit dhe fitores së kësaj partie.
Mapo
Add new comment