Na duhen modelet!

Postuar në 29 Prill, 2014 17:25
Ben Andoni

Ermonela Jaho dhe Erkand Qerimaj s'kanë asgjë të ngjashme me njëri-tjetrin, sa i përket fushave të tyre të suksesit. E para është sopranoja më e njohur shqiptare, e kalendaruar në advancë për të dy vitet e ardhshme në skenat më të njohura të botës. Erkand Qerimaj është sportist, kampioni aktual i Evropës në peshëngritje. Me punën, vullnetin, karakterin mëtohet të jetë sportisti i parë në historinë shqiptare të sporteve, që do tentojë të ngrejë flamurin kombëtar në një Olimpiadë. Përndryshe, të dy kanë një gjë shumë të përbashkët: mënyrën sesi po i shfrytëzon politika, grafomanët dhe lloj-lloj marifetçinjsh për t’u identifikuar përmes punës e suksesit të tyre.

E para, ka provuar shumë në Shqipëri deri indiferencën, për të mos thënë keqdashjen e vazhdueshme, që për fat mori fund përkohësisht me shfaqjen e fundit të Butterfly-it. Me Erkandin shkon edhe më tej. Për një faj jo të tij, por të themi të strukturave afër tij, u dënua me dy vjet për përdorim substancash të ndaluara në garë, dhe sërish arriti të shpallet Kampion Evropian në peshëngritje. Çfarë e bashkon tjetër këtë arketip shqiptarësh të suksesshëm? Lidhja e përbashkët në pavetëdijën e tyre për të triumfuar mbi të pamundurën, fillimisht për të identifikuar veten në majat e suksesit, pastaj për të nderuar njerëzit e tyre dhe detyrimisht edhe vendin. Çuditërisht, askush s’ka bërë deri më sot analiza të thelluara për ta. Çfarë i shtyn; pse kërkojnë të identifikohen dhe më kryesorja si arritën në këto maja?! Kanë mjaftuar pritjet e zhurmshme të politikanëve, përmendje të medias, që shoqëria të mendojë se janë vlerësuar! Po, a ka vlejtur? Për propagandën nacionaliste: Po. Për shoqërinë fare aspak.

Për hir të së vërtetës, edhe pse nderimi ka qenë i vazhdueshëm ndaj tyre, përcjellja e vërtetë në shoqëri e modeleve të këtillë njerëzve të suksesshëm, është fare e pakët. Që sapo mbaroi vala e ftesave nga TV-të, apo dalja e politikanëve në foto me ta, pakkush do kujtohet më për ta. Pak herë ka qenë në fokus të shoqërisë dhe njerëzve që flasin për ta vështirësitë e Ermonelës për t’u identifikuar në komunitetin artistik botëror, kërkesat e saj për ndihmë brezit të ri; apo lufta e madhe e Erkandit për t’u stërvitur në kushte të vështira, pothuaj vetëmbrojtja e tij në Gjyqin Ndërkombëtar dhe mbi të gjitha edhe për ta mbajtur veten në periudhën e fundit, kur ishte i penalizuar.

Një zë faustian do të thotë: Epo për vete e kanë! Kuptohet që e kanë për vete, por në çdo mjedis, ata treguan veç egos së tyre edhe se ishin ambasadorë të mirë të vendit. Mu për këtë arsye, s’kemi dëgjuar kurrë që “dashamirët” të ofronin Ermonelën të fliste  në Akademinë e Arteve e të ndante përvojën e saj me komunitetin e artistëve të rinj, apo Erkandit t’i jepej mundësia t’u shpjegojë të rinjve sesi mund të arrihet suksesi, edhe pas orëve të tëra t’vetmisë dhe nën tundimet e vazhdueshme për të vazhduar të mbajë flamurin e vendit apo jo. Në vend të këtyre, politikanët dhe shoqëria sa e kanë prekur pak modelin e dy personazheve tona dhe pastaj i kanë lënë për të vazhduar me modelet e përditshme gjysmake, që i shërbejnë konsumit. Duken sikur ata dy vlejnë vetëm një çast.

E nëse shembujt e shumë prej shqiptarëve të rinj sot priren te figurat gjysmake në televizion, Ermonela dhe Erkandi janë fryt i një pune dhe pasioni të stërmadh. Kjo e bën modelin e tyre të vështirë për t’u kapur dhe vlerësimin për ta realisht të madh. Ermonelës i janë dashur orë e orë të tëra pafund të kultivojë pjekurinë e plotë të zërit, por edhe arritjen e saj profesionale, kurse Erkandi është stërvitur edhe pa dritë, në palestra modeste, shpesh pa ushqimin e duhur, pa ndihmën asnjëherë të nevojshme për të arritur në nivelet botërore. Në të dy rastet pa harruar, shpesh me shpenzimet e tyre. Nëse familjet kanë qenë një shtysë për pasionin e tyre, tjetra, që mbetet është pikërisht egoja e tyre. Kjo e fundit është ajo nga e cila mund të mësojnë sot shqiptarët për modelet e tyre të zhvillimit. Pikërisht pavetëdija kolektive, që sot është e frustruar nga lajmet e errëta dhe modelet e pamjafta, ka nevojë të ushqehet e të marrë si impuls ajo që transmeton qenia e këtyre individëve. Pasi heronjtë e vërtetë (lexo modelet) sot që referohen në shoqërinë tonë janë thjesht politikanë dhe njerëz të ndryshëm që e kapin suksesin me çdo lloj mënyre dhe pa djersë, shpesh pa i njohur kurrë skrupujt. Arketipi i kinse heroit është sot një nga më të zakonshmit, ku shqiptari kërkon të identifikohet gati me dhunë. Jungu besonte se ngarendja për heroin buronte nga vetë arketipi i heroit. Tek ne po krijohet një arketipi i veçantë, i atij që do t’i kapë gjërat pa mundim. Arketipi i vërtetë i heroit është larg nesh, për një vargan kushtesh psikike, kulturore por edhe ekonomike.

Ndaj, kjo të vjen ndërmend, kur kujton punën e këtyre dy njerëzve, që asnjëherë s’jemi munduar t'i njohim në veçantinë e tyre, në arketipet më përfaqësuese që kanë dhe që i ka ndihur drejt suksesit. Si në të gjitha rastet e tjera, jemi thjesht të prirur t’ua marrim suksesin dhe ta përdorim shëmtuar në informalitetin tonë. Për të mos thënë më të keqen: Nuk mund të harrohen blogjet tona sesi derdhej helm ndaj Ermonelës kur takoi kryebashkiakun Basha edhe pse ajo i kërkoi në takim thjesht krijimin e një shkolle opere! Ashtu si përfoljet ndaj Erkandit, në muajt e vështirë, kur kishte nevojën e një solidariteti, teksa përpiqej deri me shpenzimet e veta të mbrohej në një nga gjyqet sportive.

Kështuqë fetishi i tyre i kotë, më shumë na bën t’i neglizhojmë ata. Kjo të kujton këto ditë, që po t’i shikonim pak më në tokë këta modele, e po t’i përcillnim dhe t’i kishim më pranë dhe të mos i gënjenim me premtime, atëherë do të çliroheshim pak më shumë si shoqëri. Ermonela dhe Erkandi kanë nevojë për mbështetje të vërtetë dhe jo për t’i përdorur. Atyre duhet t’u vjelim përvojën, pasi kështu i bëjmë modelet tona të prekshme. Kështu e ndijmë edhe psikologjinë tonë sociale që t’i largohet realitetit krejt informal, ku jetojmë.

GSH

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.