“Hëna e Shqipërisë”, një kontribut i rëndësishëm

Postuar në 01 Maj, 2014 03:00

Anastas Angjeli 

Gjithmonë kam besuar se detyra e një studiuesi është të analizojë realitetin në të cilin jeton dhe të parashikojë ndryshimet që mban brenda saj e ardhmja (duke marrë parasysh rreziqet që përmban në vetvete çdo parashikim). Nga ana tjetër, detyra e një shkrimtari është që nëpërmjet fjalës së shkruar të përmbledhë shpirtin e epokës në të cilën jeton, të shoqërisë së cilës i përket dhe të gjeneratës në të cilën bën pjesë dhe ta bëjë këtë shpirt të pavdekshëm. Te miku im Ben Blushi detyra e studiuesit dhe përgjegjësia e shkrimtarit shkrihen në një qenie të vetme. 
Për këtë arsye është një kënaqësi sa herë që marr në duar dhe lexoj një vepër të tij, kënaqësi që e kam ndjerë ku rrekesha duke lexuar "Të jetosh në Ishull" kur shfletoja "Otellon" apo kur kërkoja të hyja në brendësi, në thellësi te "Shqipëria". Të njëjtën kënaqësi dhe kërshëri ndjeva edhe kur lexova librin e tij të fundit "Hëna e Shqipërisë", libër të cilin po e promovojmë sot në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Një libër që analizon problematika të një rëndësie të veçantë, të cilat lidhen jo vetëm me vendin tonë, por edhe me Evropën, pjesë e të cilës jemi dhe në të cilën duam të integrohemi, ekonomikisht, politikisht, shpirtërisht dhe kulturalisht. 
Miqtë e mi, 
Para pak kohësh, kur lamë avionin e linjës Tiranë-Frankfurt dhe morëm Shatllin për Straburg, në përbërje të Delegacionit Parlamentar Shqiptar për Marrëveshjen e Stabilizimi Asociimit në BE (i cili, siç mund të jeni në dijeni, për fatin tonë jo të mirë, nuk përfundoj me një deklaratë të përbashkët mes pozitës dhe opozitës dhe Delegacionit të PE ), miku im Blushi më tha: -Anastas e përfundova librin, së shpejti del në qarkullim. Veç premtimit për të bërë këtë diskutim të tij këtu, gjatë gjithë rrugës, por edhe më parë kishim shkëmbyer mendime rreth temave të eseve të këtij libri. Edhe takimi me delegacionin e PE na u duk si pjesë e problemeve të këtij libri. 
Prandaj, të flasësh për çështjet të cilat autori trajton në libër nuk është një gjë e lehtë. Të diskutosh për tema që konsiderohen tabu është akoma edhe më e vështirë. Por në fund të fundit guximi shkencor është pikërisht ajo çka mungon nga shoqëria jonë sot. Dhe guximi për ta parë realitetin në sy, pa u ndikuar nga stereotipet dhe paragjykimet vetëm mirë mund t'i bëjë shoqërisë sonë. Sepse një shoqëri që bën autokritikë dhe ve në dyshim vetveten është një shoqëri që mund të shpresojë të përmirësohet. 
Jetojmë në një epokë ku hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve po rritet gjithmonë e më shumë. Ku problemet sociale po thellohen dhe qeveritë e kanë të pamundur të përballen në mënyrë efikase me këto probleme. Ku të rinjtë gjithmonë e më shumë po ndihen të përjashtuar nga sistemi. Ku konsumi është kthyer në qëllim në vetvete. Ku kontrolli i mendimit dhe i veprimit nga ana e pushtetit dhe medias po merr përmasa shqetësuese. 
Këto probleme që shqetësojnë shoqërinë globale nuk ka sesi të mos shqetësojnë edhe shoqërinë tonë e cila akoma nuk po shpëton nga kthetrat e tranzicionit të gjatë. Por kuptohet që përveç këtyre çështjeve madhore, të cilat mund të konsiderohen edhe si probleme të vetë sistemit, shoqëria jonë po përballet me një sërë problematikash të veçanta, të cilat nëse nuk i shikojmë drejt e në sy, sot do ta kemi shumë të vështirë t'i zgjidhim nesër. Cila do të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe e sistemit tonë politik? Si do t'i zgjidhim ngërçet e vazhdueshme të këtij sistemi? Po çështja e të quajturit bashkim kombëtar? Si do të zhvillohet më shumë vendi ynë dhe do të zvogëlohet pabarazia e do të minimizohet varfëria? Çfarë qëndrimi duhet të mbajmë si shoqëri në lidhje me ekstremizmin fetar dhe me politizimin dhe instrumentalizimin e fesë etj? 
Këto janë disa nga temat, të cilat autori trajton në librin e tij të fundit. Pavarësisht qëndrimit që ai mban në lidhje me to, mendoj se më e rëndësishme dhe më jetësore për shoqërinë tonë është fakti që tema të tilla, nga të cilat të gjithë ne si qytetarë ndikohemi drejtpërdrejt, po fillojnë të diskutohen. 
Dhe është pikërisht ky fakt që e bën librin "Hëna e Shqipërisë" së Ben Blushit një kontribut të rëndësishëm intelektual për shoqërinë tonë. 

"Gazeta Shqiptare"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.