Fushata parazgjedhore: mes ‘Shit Storm’-it virtual dhe realitetit brutal

Postuar në 10 Maj, 2014 06:38
Beqë Cufaj

Sipas të dhënave të përgjithshme të UNDP-së, Kosova është vendi i parë në rajon me numrin më të madh të përdoruesve të internetit. Nga lagjet urbane të Prishtinës e Prizrenit, Gjilanit e Gjakovës përmes qytezave të Malishevës e Deçanit e deri në fshatrat e Lipjanit e Anamoravës pothuajse nuk ka shtëpi që s’ka qasje në jetë virtuale. Është i lirë. Praktik. Dhe efikas. Ndoshta e vetmja dobi e mirëfilltë dhe lehtë e prekshme me të cilën bashkësia ndërkombëtare mund të krenohet gjatë pranisë së saj të gjatë në këtë pjesë të Ballkanit ishte kyçja në internet. Dhe kjo për shkakun që menjëherë pas çlirimit të Kosovës, OKB-së i duheshin mjete komunikimi duke bërë kështu çdo gjë që internetit t’i jepej përparësia.

Ndërlidhur me këtë shtrirje impresive të teknologjive moderne- nga Google e deri tek FB e Twitter, Kosova jo vetëm që i ngjet një shteti modern por faktikisht mund të shtyhet edhe me vende të zhvilluara. Rënia e lexueshmërisë së mediave të printuara, pragmatizmi në marrjen e informatave të caktuara nga  tv-të  ka nxitur edhe hiperaktivitetin e rrjeteve sociale, të cilat edhe ashtu janë të stërngarkuara me ‘shit storm’-in e famshëm i cili s’është asgjë tjetër pos goditjeve milionëshe të jokualitetit dhe mosfiltrimit.

Në Kosovën e fushatave elektorale të viteve 2004, 2007 por edhe 2010 kishte aktivitet virtual në përmasa normale. Por ishin zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ato që dëshmuan rëndësinë e këtij dimensionit virtual në aktivizmin qoftë të kandidatëve ashtu edhe partive politike. Një bazë iniciuese në këtë mes kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë portalet e famshme të cilat s’ka si të mos jenë të të dy llojeve: të afërta me parti politike apo edhe të pavarura. Me apo pa këto afërsi është e sigurtë që shpejtësia e informatës, kondenzimi dhe mëpas përhapja e saj janë bërë jetike edhe për politikën e Kosovës. Sidomos në kohë fushate.

Prandaj nuk ka asnjë dyshim që liderët e të gjitha partive, duke filluar nga Thaçi, përmes Mustafës, Haradinajt e Kurtit, sidomos pas leksioneve të zgjedhjeve të fundit lokale e kanë “kapur” rëndësinë e këtyre mjeteve të reja të komunikimit dhe secili me formën e vet do të provojë edhe ta promovojë veten por edhe të sulmojë kundërshtarin. Aradha të tëra të të rinjëve nga të gjitha partitë në fjalë thjesht nuk do bëjnë gjë tjetër pos do ta luftojnë njëra-tjetrën virtualisht, në mënyrë që kundërshtari të përbaltet. Kësaj i ndihmon sidomos ajo semi gazetaria e cila nuk ka si të jetë e paanshme.

Se a do ketë një përsëritje historie kur vetëm një apo dy portale do ta mbajnë flamurin e gazetarisë mercenare: dmth. kur detyra e tyre është që thjesht pos të promovojnë akëcilin lider edhe ta “godasin” kandidatin tjetër, apo edhe që përmes ushtrimit të presionit përmes lëshimit të turli komenti lexuesish edhe në këto zgjedhje të kenë efektin e tyre?

Them që jo. Sepse këso radhe duket që të gjithë janë “armatosur” kundër të gjithëve. Si në realitet ashtu edhe një rrjete virtuale.

Prandaj duhet të jemi kurioz nëse edhe vet “shit storm”-i virtual dalngadalë do fillojë të filtrohet dhe edhe në gazetarinë online, të fillojë diçka që do të mund të quhej pavarësi editoriale dhe korrektësi në informomim.

Sepse në terrenin real, atë të fushatimit dhe prekjes me votuesin gjatë fushatës, s’ka dyshim që vrapimi do jetë i rëndë. Për ta bindur votuesin dhe me këtë (ndoshta) edhe për ta ndryshuar gjendjen në vend.

Në këto dilema një është e sigurtë: përzierja e ‘shit-storm’-it virtual me realitetin brutal do ta nxjerrin në pah nevojën e të dy palëve që të jenë sa më sugjestive dhe me këtë edhe agresive. Kjo është njëra anë.

Kurse ana tjetër e kësaj fushate do jetë kjo: sa në të vërtetë do u përkthehet partive politike dhe liderëve të tyre fushata virtuale në votë të mirëfilltë tek qytetarët e Kosovës. Këtë do të mund ta dijmë me datën 8 Qershor në mbrëmje.

Gazeta Blic

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.