Orgjia e partive politike me shoqërinë civile
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1101_org.jpg?itok=DtzTYfy8)
Një zallamahi totale po mbretëron në skenën politike të vendit. Gjithçka është në shitje; gjithçka është në blerje. Partitë kryesore janë duke urinuar pa ndërprerë mbi secilin parim të promovuar prej tyre. Mbrapa partive nuk kanë mbetur aspak - kur është fjala tek parimet dhe urina - as pjesëtarët e të ashtuquajturës shoqëri civile.
Siç thotë ajo thënie e mbipërdorur për tango duhen dy. Ashtu si për tango, edhe për seks të ndytë politik, kërkohen së paku dy. Nëse kemi më shumë se dy protagonist atëherë do të mund ta quajmë orgji politike.
Çfarë në fakt po ndodh?
Meqë PDK është partia më e madhe në vend, rendi është që të fillojmë me një analizë të ‘prurjeve’ të këtij subjekti politik.
Ngjarja më flagrante, ose një urinim masiv mbi parimet, ndodhi në martesën në mes të PDK’së, respektivisht kreut të saj, Hashim Thaçit dhe Ramadan Ilazit, që për një kohë ka udhëhequr me organizatën Fol 08. Është e pamundur të mos mbani mend gjithë ato konferenca të mbajtura nga Ilazi, në emër të organizatës, duke zgjedh gënjeshtarin e javës Hashim Thaçin. E kotë të flasim mandej për ato qindra prononcime dhe intervista të Ilazit kundër kësaj qeverie dhe qeverisjeje.
E tash çka ndodhi në ndërkohë? Çfarë ndryshoi – që askush nuk e vërejti, pos Danit – që Kryeministri u shndërrua në një Messiah të politikës kosovare, të cilit Dani i besoi pa kushte kur iu hodh në gjirin e tij?
Ndoshta jo sa Dani, por keq me kritika dhe ofendime ndaj Kryeministrit nuk e kishte lënë as Ardian Arifaj, që më përpara se të bëhej një me Thaçin kishte qenë pjesë e Partisë ORA.
Derisa PDK është duke e ushqyer tash e sa vite opinionin se i ofron afër vetës vetëm ata që e shajnë më së shumti, LDK e bën pikërisht të kundërtën. Nuk të pranon në gjirin e saj nëse nuk je dëshmuar me vite të tëra si lojal. Pra, ky subjekt politik, edhe më tutje nuk i ka ulur brekët deri në gjunjë.
Bardhyl Meta, Bajrush Morina…, dhe të tjerë, kanë aderuar në LDK vetëm pasi me dekada të tëra me shkrimet e tyre i kanë bindur zyrtarët e kësaj partie se edhe nëse zyrtarisht nuk kanë qenë pjesë e tyre, kanë kontribuar për ta.
Kështu, kishin vepruar Meta&Morina. E kishin arsyetuar LDK’në edhe atëherë kur LDK nuk e ka arsyetuar as vetën.
E shpifur, tek LDK, ishte mënyra se si u rekrutua Teuta Rugova, vajza e Presidentit Rugova. Jo akti i rekrutimit të saj, por mënyra e rekrutimit të saj. Dukej një anëtarësim brutal, e sidomos duke e marrë parasysh faktin se vëllai i saj i madh, Uka, gjendet prapa grilave. Ishte e dhimbshme që ta shihje përpara mediave – pothuajse – një fëmijë, pa pikën e përvojës publike. Ishte e pafalshme për LDK’në që të toleronin që kjo vajzë karrierën e saj politike ta niste duke u përgjigjur përpara mediave për akuzat që duhet të përgjigjet vëllai.
Pra, një ngjarje e tillë ka mundur të realizohej me shumë më tepër shije, e më shumë më pak dhimbje, për Teutën.
Thënë ndryshe, edhe LDK është e parashikueshme për prurjet potenciale, por për arsye krejt tjera prej PDK’së. E para LDK kërkon nënshtrim total, përpara se t’i hapë dyert e partisë, ndërsa PDK kërkon nënshtrim total, pasi t’i ketë hapur dyert e partisë.
Në një fazë eksperimentale, edhe kur është fjala tek rekrutimet, duket të jetë Lëvizja Vetëvendosja. Ky subjekt i ka hapur dyert, ne të dy kanatat, edhe për ata që i konsideruar “të dyshimtë” si Ilir Deda, por edhe për pjesëtarë të shoqërisë civile, si Avni Zogiani, të cilin me VV’në edhe në të kaluarën i ka lidhur destruktiviteti.
Mirëpo derisa për rastin e Zogianit të gjithë pajtohen se as nuk mund të të sjell vota e as të të humbas vota, tepër më interesant do të jetë rasti i Dedës. Ky i fundit, sa ka qenë pjesë e FER’it, tok me Shpend Ahmetin, ka qenë tepër më i popullarizuar se sa ky i fundit. Por një pikëpyetje e madhe po vërtitet nëse Deda do të mirëkuptohet prej votuesve konservativ te VV’së, ashtu siç u mirëkuptua.
Reagimet e para duket të janë shqetësuese për ketë lëvizje, nëse qëllimi i vërtetë i prurjes se Dedës nuk ka qenë një lloj distancimi i Albin Kurtit prej ideologjisë së VV’së.
Partia e katërt më e madhe në vend, AAK, assesi ta kapë ritmin. Pasi që e humbi një biznesmen të fuqishëm si Ramiz Kelmendi, e fitoi një biznesmen trivial, si Gazmend Abrashi. Për më tepër Ramush Haradinaj, për herë të dytë e ka rekrutuar Muhamet Kelmendin. Ky i fundit edhe përpara disa viteve ka qenë në një formë në martesë me AAK’në. Për çudinë e të gjithëve Kelmendi dhe Haradinaj u martuan edhe njëherë. Prurjet tjera të kësaj partie nuk janë relevante as për t’u shënuar.
E fundit, por jo për nga çudia, është Aleanca Kosova e Re. Ketë parti e ndjekë mallkimi që t’i bëj vend në gjirin e saj gjithë atyre kuadrove politike, që përpara se të trokasin në dyert e tyre, kanë fjetur me pothuajse gjithë liderët e tjerë. Bajram Kosumi? Fillimisht ka qenë Kryeministër i AAK’së, mandej kandidat për deputet në listën e PDK’së. E tash se fundmi prurje e AKR’së. Naim Maloku? Më mirë të mos numërohen gjithë partitë e ndërruara prej tij. Dardan Gashi? Pas një ekskursioni në linjën LDK-AAK-Lista Rugova e kapi linjën e fundit tek treni i AKR’së.
Aktualisht kjo është gjendja në pika të përgjithshme e përgatitjeve të partive politike për zgjedhjet e 8 qershorit.
gazeta Express
Add new comment