Filialet e bankave në Shqipëri “zero” ekspozim në Greqi, transferimi i fondeve tek mëmat i pamundur
Banka e Shripërinë sqaron se edhe në rast se falimentojnë mëmat, bankat shqiptare me kapital grek kanë status juridik të pavarur nga pronarët në Greqi. Bankat që operojnë në Shqipëri i nënshtrohen legjislacionit dhe kuadrit rregullator të Republikës së Shqipërisë. “Monitor” shkruan se teksa situata është ndezur në Athinë dhe po shtohen shqetësimet lidhur me sistemin bankar grek, Banka e Shqipërisë garantoi edhe një herë sot se kriza në Greqi nuk është risk për bankat greke që operojnë në Shqipëri, pasi prej kohësh sistemi i mbikëqyrjes dhe ai rregullator, që normon veprimtarinë e bankave shqiptare me kapital grek ka qenë i ndryshëm nga ai i bankave të tjera. Burimet në BSH, në përgjigje të interesimit të “Monitor” për ndikimet e krizës greke në bankat me kapital grek në Shqipëri, sqaruan se si pasojë e kombinimit të një sërë treguesish të kujdesit është e pamundur që këto banka të transferojnë fonde (depozita të rezidentëve) nga Shqipëria në Greqi. Por çfarë ndodh nëse se mëmat përfshihen në proces të shpejtë konsolidimi pasi agjencia “Reuters” disa orë më parë dha lajmin se katër bankat mund të reduktohen në vetëm dy, një masë që pa dyshim mund të hasë me rezistencë të fortë në Athinë. Burimet në Bankën e Shqipërisë pohuan se, bankat shqiptare me kapital grek kanë status juridik të pavarur nga pronarët në Greqi.
Add new comment