Vota jo aq evropiane

Postuar në 27 Maj, 2014 07:57
Afrim Krasniqi

Kur themeluesit e BE projektonin një rajon të gjerë të standardeve të larta të demokracisë, ekonomisë së tregut, vlerave të lirisë dhe dialogut shumëpalësh, pra idenë paraprake të Shteteve të Bashkuara të Evropës vetë Evropa ishte e ndarë në dy kampe të kundërta. Me rënien e Murit të Berlinit u duk se mori fund pengesa e vetme për jetësimin e idesë themelore dhe se BE do të bëhej shumë shpejt shtëpia e madhe dhe e përbashkët e qytetarëve të kontinentit.
Me këtë entuziazëm nisi procesi i zgjerimit drejt hartës natyrale evropiane, fillimisht me vendet e Evropës Qendrore, vendet baltike dhe më pas në pjesën më lindore të Lindjes ish komuniste. Sot jashtë hartës zyrtare të BE kanë mbetur disa vende të Ballkanit Perëndimor, pjesa tjetër është integruar dhe vetë projekti gjeografik evropian është drejt përmbylljes.
A mjafton harta e re për ta bërë Evropën të plotë dhe të suksesshme? Referendumet e mëparshme në Francë e Holandë ishin një sinjal i qartë se jo, votimet që sollën Haider në qeveri e konfirmuan këtë trend, dhe së fundi, suksesi historik i populistëve ekstremistë në Francë, Britani, Greqi, Holandë apo Gjermani, vuri në dyshim gjithçka, përfshirë projektin fillestar politik mbi aftësinë e shteteve evropiane për të krijuar një sistem të përbashkët qeverisjeje, përfaqësimi dhe bashkëjetese. Teoritë e sjelljes zgjedhore e njohin fenomenin e votës skeptike dhe të protestës: për shembull, në Greqi ekstremi i majtë fitoi zgjedhjet evropiane por jo ato vendore, në Britani ekstremi i djathtë fitoi zgjedhjet evropiane por nuk ka gjasë që kjo të ndodhë në zgjedhje të brendshme, në Holandë, Francë, Gjermani, etj, gjithashtu.
Qytetarë që mendohen mirë kur votojnë për parlamentet, presidentin apo pushtetin e tyre vendor, dhe qytetarë që njëherësh protestojnë ndaj një autoriteti të jashtëm, të huaj për ta, me kosto mbi jetën e tyre, siç është qeveria multishtetërore dhe multikombëshe e Brukselit. A ishte dominuese vota evropiane apo vota kombëtare, identiteti i përbashkët apo ai lokal, premtimi për një botë më të mirë apo për një shtet më të mirë? Paradoksi vijon më tej: në mesin e viteve 90 dhe më pas ekstremistët patën sukses në vendet ish komuniste, tani ata kanë sukses në vendet perëndimore që nuk përjetuan sisteme totalitare prej Luftës së Dytë Botërore.
Zgjedhjet meritojnë analizë dhe kanë vlerë të shumëfishtë jo vetëm për protagonistët, vendet anëtare, por edhe për vendet aspirantë, median, qytetarët e interesuar dhe natyrshëm ekspertët e politikës. Ato dëshmuan se aty ku pjesëmarrja zgjedhore ishte më e lartë, aty ekstremistët kanë më pak sukses, aty ku qeveritë kanë përjetuar më shumë skandale korrupsioni aty ka vend për më shumë suksese nga populistët, aty rreziku rus është më prezent aty votuesit u besojnë më shumë politikave konservatore, aty ku ka më shumë probleme emigracioni aty populistët ia dolën të mobilizojnë më shumë parullat anti-emigrim, etj. Rivaliteti nominal midis kandidatëve për Presidentë, Juncker dhe Shulz ishte i pamjaftueshëm për të provokuar pjesëmarrje masive në zgjedhje, dhe vetë rezultati final, pa një shumicë të qartë politike, e bën të kontestuar mesazhin evropian për emrin e kreut të ri të BE-së.

Zgjedhjet kanë domethënie specifike edhe për Shqipërinë dhe Kosovën. Ato treguan se Tirana zyrtare gaboi kur e përfshiu veten në linjë partiake në fushatën evropiane duke mbajtur anën e kandidatit të dytë dhe partisë së dytë evropiane. Ajo ka nevojë për të gjithë, sidomos për partinë më të madhe evropiane, EPP, dhe protagonizmi ideologjik rezultoi amator dhe pa efekte pozitive.
Tirana politike merr një mesazh kritik në lidhje me shanset e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Natyrisht që BE nuk heq dorë apriori nga politika e zgjerimit, por afatet e realizimit të saj shtyhen të paktën për një dekadë. Shqipëria mund ta marrë statusin në qershor, si shenjë inkurajimi sidomos për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, por premtimi për një integrim të plotë në BE me siguri nuk është çështje e një apo dy mandateve qeverisëse. E njëjta situatë edhe për Kosovën, ku shanset e integrimit kufizohen, edhe për shkak të cilësive separatiste që provokuan këto zgjedhje në disa vende të BE-së.
I njëjti mesazh vlen për Maqedoninë fqinje dhe shqiptarët atje.
Cila mbetet zgjidhja për shqiptarët? Rikthimi në ndjenjën e viktimizimit? Alibia tek ekstremistët e ndonjë vendi? Fshehja pas konflikteve verbale të brendshme për ti ikur sfidave reale politike në raport me partnerët dhe kriteret e BE-së? As njëra dhe as tjetra. Rruga e vetme janë dhe mbeten reformat e thella, reformë institucionale për më shumë demokraci dhe më pak pushtet, më shumë rezultate konkrete dhe më pak retorikë, më shumë akte kundër korrupsionit dhe më pak tryeza debati në eter, më shumë drejtësi e siguri dhe më pak ikje nga përgjegjësia përmes alibive të radhës.
Shqipëria nuk ka nevojë të bindë ekstremistët evropianë për tu ndierë Evropë. Shqipëria ka nevojë të jetë evropiane, të sillet, mendojë e veprojë si evropiane, pra të ndërtojë Evropën brenda saj që më pas të dëshmohet anëtare dhe partnere e besueshme jashtë saj. Integrimi nuk mund të shihet si lëmoshë dhe dhuratë, si produkt i preferencave personale mes liderëve apo çështje e ngjyrës së kollares së shtetarëve tanë të radhës. Integrimi është projekt madhor dhe kërkon vizion, projekte, rezultate, fakte, standarde dhe produkte të prekshme qytetare për ta bërë demokracinë funksionale, shtetin më përfaqësues, pritshmërinë më objektive dhe bilancin më realist.
Përtej aksionit shtetëror Shqipëria duhet të mësojë shumë nga zgjedhjet evropiane duke filluar nga abc-ja e tyre: si organizohen, si zhvillohen, si respektohet verdikti qytetar, si politikanët mbajnë përgjegjësi për suksesin dhe dështimet, si partitë veprojnë si institucione demokratike, si media mbijeton në aleancë me qytetarin dhe jo pushtetarët, si gjendet forca e kurajë që politika të spastrohet nga modelet korruptive dhe oligarkike, pra, sesi të mendojmë, sillemi e reagojmë si evropianë.
Diçka që e premtuam më 1990 dhe ende nuk e kemi bërë. Diçka që fatkeqësisht ende nuk kemi asnjë garanci që do ta bëjmë. Diçka që nuk u ndje as dje një ditë pas zgjedhjeve evropiane dhe që u la në hije nga grindjet klanore, fisnore, ideologjike, mesazhet arkaike në çadra dhe ligjërimi vertikal politik në twitter që vijon të prodhojë pafund oligarkia konsensuale shqiptare në parlament, në parti, në media, në ekonomi, në drejtësi, në institucione dhe në jetën publike.
A mund të ndryshojmë? Kancelaria gjermane tha dje se aftësia për ndryshim pozitiv është përgjegjësi politike dhe përbën sfidën e panegociueshme të modelit evropian mbi të cilin ajo u votua. E kemi ne atë aftësi? Dyshoj se jo. Ndaj zgjedhjet evropiane janë dhe mbeten de facto jashtë nesh në mesazhet që sollën, në produktin politik dhe në sfidat e ardhshme që provokuan. Dhe për këto cilësi, mbeten një tjetër shans i humbur jo vetëm për Evropën që njohim, por edhe për premtimin tonë permanent për Shqipërinë evropiane.

 

Shqiptarja.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.