Tribunali
Më 1993, me anë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u vendos të formohej Gjykata Penale Ndërkombëtare për krimet e kryera në Jugosllavi, ndryshe njihet edhe si Tribunali Hagës. Ky tribunal gjeti mbështetje edhe nga publiku i gjërë anekënd botës, për shkak të mizorive, vrasjeve masive, dhe gjenocidit që kishte ndodhur në njësit federale të shtetit të quajtur Jugosllavi. Në fillimin e saj të funksionimit, i ishte njohur juridiksioni që të gjykoheshin vetëm krimet e bëra në Bosnje dhe Kroaci. Por më vonë me fillimin e luftës edhe në Kosovë në vitet 1998 – 1999, bashkësia ndërkombëtare, natyrisht, duke mbajtur koherencën politike në mes aleatëve që ishin nga demokracitë perëndimore, vendosen që edhe krimet e kryera në Kosovë të gjykoheshin në po të njëjtin tribunal. Mendimet dhe dilemat ishin nga më të ndryshmet ngase herë thuhej se vendimi ishte politik e herë thuhej se vendimi ishte juridik, për faktin se disa hidhnin dyshimin nëse kishte luftë në mes dy ish njësive federale, apo thjesht ishte konflikt i brendshëm i Serbisë me ‘krahinën e saj Kosovën’, pra juridikisht këtu qëndronte dilema. Krejt për fund, meqenëse, Serbia ndaj burrave, grave, fëmijëve dhe pleqve kishte shkaktuar vrasje masive, gjenocid madje edhe përzënie të popullatës civile, veprime të cilat sanksionohen me konventa ndërkombëtare, u pranua mendimi se duhej gjykuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë.
Aspekti Juridik – Mendimin se kishte luftë, dhe jo konflikt, e dominoi argumenti se, Kosova ashtu si Bosnja e Kroacia me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, kishte po të njëjta atribute shtetërore (kushtetutën, gjyqësorin, legjislativin, ekzekutivin, ushtrinë, policinë, shërbimin diplomatik, bankën qendrore etj.) siç i kishin dhe njësit tjera në kuadër të Jugosllavisë, duke përjashtuar vetëm emrin ‘republikë’; - Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për themelimin e Tribunalit të Hagës, mbështetej në kreun e VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku janë të përcaktuara veprimet që duhen ndërmarrë në rast të kërcënimit të paqes, dhe rivendosjes së sigurisë ndërkombëtare; - Mendimi se edhe në konfliktet e brendshme të armatosura dhe luftërat civile, mund të përbëjnë kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, në këtë pjesë të Europës e Botës; – Krimet e kryera kundër popullsisë civile si; vrasja, shfarosja, dëbimi, burgimi, përdhunimi, tortura, përndjekja mbi baza racore e fetare etj., konsiderohen krime kundër njerëzimit, të përcaktuara edhe me nenin 5 të statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi; - Krimet në Kosovë u cilësuan si krime kundër njerëzimit, ngase u referoheshin veprimeve çnjerëzore të natyrës serioze, krime si; vrasje masive me paramendim, përdhunim sistematik kundër një popullsie etnike mbi baza kombëtare, fetare, politike të tilla si formë e një pastrimi etnik, të kryera nga një qeveri me mekanizma ushtarak e policor kundrejt një populli të pambrojtur.
Tribunali për Kosovën dhe kërkesa për gjykimin e krimeve të supozuara – kërkesa drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës për aprovim, për themelimin e tribunalit, e çmendur! Unioni Europian, është union i shteteve që ndajnë të njëjtat vlera të qytetërimit, të njëjtën qasje në respektim të të drejtave të njeriut, të njëjtën qasje në respektim të shtetit ligjor, por sa në praktikë Unioni Europian ka qenë dhe është unik në parandalimin e veprimeve jo ligjore, brenda kontinentit Europian, ka dilemë të madhe! Kjo, ngase UE me politikën e saj, e dëshmuar, ka dështuar të parandaloj masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë viteve 1998 – 1999 (kujto masakrat ...!) të kryera nga një makineri shtetërore Serbe në territorin gjeografikisht të Europës. Dështimet e një pas njëshme të administratës ndërkombëtare – UNMIK-ut, për ti parandalu edhe vrasjet e pas luftës, të cilat ende mbeten enigmatike (për nga mënyra organizative dhe autorët e tyre), kundrejt një guximi të shprehur nëpërmjet kërkesës për themelim tribunali, do të nënkuptonte kriminalizim i gjithë kontributit dhe përpjekjeve të shumë gjeneratave në Kosovë, para së gjithash, për të ruajtur ekzistencën shqiptare.
Lufta e bërë në Kosovë, nga populli i Kosovës, mobilizimi ushtarak i djemve dhe vajzave më të mirë të kombit, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ishte dhe mbetet luftë çlirimtare, luftë heroike në mbrojtje nga shteti Serb, shtet i cili prej dekadash në mënyrë sistematike kishte vrarë shqiptarë, vetëm se ata ishin shqiptarë, dhe vetëm se ata nuk e pranonin shtetin Serb si të tyre. Kërkesa për themelimin e tribunalit, dhe gjykimin e gjoja ‘krimeve’ të bëra nga shqiptarët, është e njëjtë, si ta gjykosh vetveten pse ekziston.
Aspekti Juridik - Përcaktimi i kompetencave në draft-statutin për tribunalin dhe funksionimin e tij, që nuk gjen mbështetje ligjore në legjislacionin vendor, të jep të kuptosh, se po krijohet një sistem ‘supranacional’ për të ndarë drejtësi, mbi sistemin vendor të drejtësisë. Rast unikal! Çfarë drejtësie do të ishte kjo? Sa politike është kërkesa për tribunal? Sa financiarisht do të kushtonte ky tribunal? Raporti (Janar 2011) i senatorit zviceran Dick Marty a është i vetmi dorëshkrim teorik për tribunalin? Investimi i Unionit Europian në ringritje të sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe në misionin EULEX, a nuk mjaftuakan? Tribunali a do ti gjykoj vetëm pjesëtarët e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës? dhe shumë pyetje të tjera mbeten për tu sqaruar, natyrisht koha do ta tregoj të vërtetën. Sido që të jetë, ‘krimet’ duhet gjykuar, nëse të kryera. Por një çështje mbetet për tu parë ...në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet e kryera në Jugosllavi, apo Tribunali Hagës, pati një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për themelimin e Tribunalit të Hagës, e cila, poashtu mbështetej në kreun e VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, po për Tribunalin për Kosovën?! Tribunali a do ti gjykoj edhe ata që janë gjykuar më herët dhe a do të anashkalohet parimi ‘res judicata’ (çështje e gjykuar)?. Krejt për fund, kush nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të pranoj nënshkrimin apo miratimin e një kërkese për tribunal?!
Kosova ka patur dhe ka tejkaluar sfida të llojllojshme, edhe këtë do ta tejkaloj, uroj që qytetarët e Republikës, nuk do ta humbin besimin në drejtësinë vendore, duke parë e përjetuar gjykime si në tribunal të Hagës, e tash këtë të këtij lloji...! Krejt e natyrshme të thuhet se funksionimi i shtetit kalon nëpërmjet sundimit të ligjit, mbetet domosdoshmëri edhe në rrugëtimin tonë të integrimeve në struktura Euro-Atlantike, kjo, të paktën deklarativisht është thënë si nga forcat politike në pushtet dhe ato në opozitë.
Unë, nuk jam për një Tribunal.
Add new comment