Të rilindësh në moshën 20 vjeçare
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2903_10250309_857783670915015_3142566490342978969_n_0.jpg?itok=TtgPTwca)
Ai është 22 vjeç i rritur, por ka veç një vit që jeton normalisht. Ka ndryshuar rrjedhën e jetës në vitin 2013, kur përfundoi operacionin e pestë.Bëhet fjalë për Ilir Minjën. “Unë jam buzë-lepur”-rrëfen Iliri dhe instiktivisht kalon gishtërinjtë nëpër buzën e sipërme. Aty ka dy shenja të dukshme që janë pasojë e operacioneve. Për shkak se hunda e tij ka qenë që në lindje e zënë dhe zëri i tij vjen i trashë.Jo vetëm hunda është problem për Ilirin. “Buzë-lepur” është një defekt i lindur që prek gojën dhe qiellzën. Iliri ka lindur në vitin 1992 dhe defekti në gojën e tij ishte i rëndë. Ardhja e tij në jetë u shoqërua me një impakt të rëndë psikologjik. E ëma tregon sesi ja fshehën fytyrën e të birit për orë me radhë. “Kur unë linda, mamia ma tregoi veç me kurriz Ilirin, më pas më tha se duhet të niseshim menjeherë për në spitalin e Krujës. Mjekët veç flisnin dhe unë nuk arrija t’i dëgjoja. Më pas shkuam në Tiranë, aty na dhanë më shumë shpresa për djalin”-tregon nëna fytyrëimë, Shpresa. Iliri ka lindur me formën më të rëndë të sëmundjes. Qiellëza ishte e çarë dhe e dalur jashtë, ndërsa buza e kthyer, e bashkuar me hundën. Mbijetoi falë operacioneve që kreu në kohën që ishte 6 muajsh dhe më pas në moshën 1 vjeç e gjysëm dhe 3 vjeç. U kap fort pas jetës jo vetëm se kirurgët ja dolën mbanë me rastin e tij, por edhe sepse dy prindërit nuk ndalën së kujdesuri për të. “Problemet me Ilirin e vogël nuk ishin vetëm operacionet por edhe të ushqyerit. Për shkak të problemeve në gojë e ushqenim me shumë kujdes”- tregon Pëllumbi, babai me sy të kaltër. Nëna kujton mes lotësh dëshpërimin për të birin. Ajo tregon sesi teksa rritej, Iliri kishte probleme me të folurën. Ajo ja përsëriste shumë herë fjalët e sakta, por për Ilirin ishte pothuajse e pamundur të shqiptuarit siç duhet. “E kam pasur shumë të vështirë që dikush që më takonte për herë të pare të më kuptonte, kjo ishte e sikletshme dhe për mua.”- tregon Iliri. Vështirësia në të folur nuk e pengoi Ilirin që të kompozojë vetë të ardhmen. I pafajshëm për mënyrën sesi erdhi në jetë, ai mësoi të pranonte fatin e tij.
Defekti
“Buzë-lepur” është emërtimi në gjuhën e përditshme, për sëmundjen “Cheilo-Gnato-Palato-Schisis-Bilaterale”. Në gjuhën e mjekëve njihet si defekt i lindur i gojës dhe qiellëzës. Shkaqet e këtij defekti janë në 30% të rasteve gjenetike. Në rastet e tjera janë të panjohura. Sot defekti mund të dallohet te nënat që në muajn e katërt të shtatzanisë. Impakti psikologjik te prindërit në këto raste është i rëndë. “Gjatë një viti në Shqipëri operohen rreth 50 të prekur, po duhet pasur parasysh që një pjesë e tyre kryejnë operacionet edhe jashtë vendit”- thotë Ramazan Isufi shefi i shërbimit të kirurgjisë oro-max-fax. Numri i operacioneve është minimalisht pesë, dhe zgjasin nga lindja deri në moshën 20 vjeç. Përveç defekteve në buzë, qiellzë, hundë dhe dhëmbë që janë të dukshme, ka ndikime edhe në të folur dhe frymëmarrje. Këto persona shpesh kalojnë pleumeni dhe kanë imunitet të dobët ndaj sëmundjeve. Këto defekte pothujase eleminohen përmes ndërhyrjeve kirurgjikale, përveç të folurit. E folura për personat “buzë-lepur” nuk vjen asnjëherë e tëra. Shkalla e vështirësisë së operacioneve është e lartë sipas kirurgëve, ndërsa rrezikshmëria për jetën është minimale.
Operacionet
Iliri ka kryer pesë operacione. Fillimisht për të mbijetuar dhe më pas për të përmirësuar aparatin e gojës. Operacionet e para ai nuk i mban mend dhe pse qenë hapat e para të jetë së tij. Me të drejt nuk i kujton sepse ishte në duart e kirurgëve veç 6 muajsh. Fillimisht ndërhyrjen e parë e bëri në buzë në qershor në vitit 1992.Më vonë u operua në moshën 1 vjeç e gjysëm për qiellzën.“Operacioni i dytë ishte i vështirë dhe Iliri shpëtoi për fije të perit. Pas disa ditësh mjeku më tregoi se përpara Ilirit atij i kishin vdekur dy fëmijë të tjerë me të njëjtin problem. Iliri është me fat”-tregon babai. Kur ishte tre vjeç u fut përsëri në sallën e kirurgjisë për operimin e tretë. Më 10 nëntor 1994 u larguan nga dyert e spitalit me shpresën se nuk do të shkelnin më aty. “Për shkak të rritjes, shërimi për të prekurit zgjatet në kohë. Ai shtrihet nga lindja deri në moshën 20 vjeçare”- na tregon shefi i shërbimit të kirurgjisë oro-max-fax, Ramazan Isufi. Për këtë arsye Iliri jo vetëm që nuk u nda përfundimisht nga spitalet kur ishte i vogël, por me kalimin e viteve u lidh edhe më shumë pas tyre. Për 8 vite me radhë ai është marr me rregullimin e dhëmbëve. “Dhëmbët e mija kanë qenë të dalura vertikalisht dhe të çrregullt”- tregon Iliri ndërsa përmes lëvizjes së buzëve i dallohen dhëmbët e rregullt tashmë. “Puna me Ilirin ka qenë e vështirë dhe kërkon shumë kohë”- na tregon një nga pjestaret e ekipit të dentistëve që ka asistuar në rregullimin e tyre. Pas sistemimit të dhëmbëve dhe kur Iliri mbushi 19 vjeç kishte ardhur koha për dy operacione të fundit. Për rastet e ngjashme me të, janë të domosdoshme operacione në hundë dhe nofull.Këto ndërhyrje janë plotësisht të arritshme edhe nga mjeksia shqiptare.Shumë afër Shqipërisë jeton xhaxhai i Ilirit. Falë ndihmës së tij,Iliri udhëtoi në Itali dhe atje kreu dy operacionet e fundit. “Nuk kam dëshirë të dëgjoj më për operacione që kur kalova dy te fundit”-rrëfen. Ndërhyrja në nofullën e sipërme dhe lëvizja e saj për tu zhvendosur më jashtë, ishtë e dhimbshme për Ilirin. Një dhimbje që i dha fund dhimbjeve. Pas operaçionit të fundit ai u kthye në Shqipëri. Në fshatin e tij në Budull të Fushë- Krujës, u kthye një Ilir tjetër. Kursimet e pakta që vëllai i vogël ja dha para nisjes, humori i prindërve gjatë operacioneve dhe financimi i xhaxhait e kthyen në tjetër person. Ai pati përmirësime jo vetëm në pamje por edhe në të folur. Megjithatë e folura në rastet e personave “buzë-lepur” nuk vjen asnjëherë e tëra.
Pasioni
Më insistimin e prindërve Iliri e renditi shkollën në krye të prioriteteve. Atë nuk e ndalën as vështrimet paragjykuese rreth tij dhe as vështirësia në të folur. Fundja ka disa gjëra që nuk kërkojnë shumë fjalë dhe dukje të mirë. Një prej tyre është edhe matematika.Ndërkohë që problemet i shtoheshin ai nga ana tjetër radhiste njëra pas tjetrës fletët e lavdërimit.U dallua në lëndët shkencore.Në klasën e tetë u radhit ndër të parët në qyetin e Krujës, edhe pse ishte në një shkollë fshati. Gjimnazin e vazhdoi fillimisht në Tiranë, por më pas u kthye për ta përfundura në gjimnazin e Fushë-Krujës. Aty përsëri ra në sy.Jo vetëm për karakteristikat e tij fizike por edhe për rezultatet pozitive. “Iliri ka qenë një nxënës me shumë interes, intuitë, vullnet dhe rezultate të larta”- thotë mësuesja e matematikës pranë gjimnazit, Bukurie Tali. Sot Iliri është student në fakultetin Politeknik. Ai studion për gjeoinformatikë në vitin e tretë. Nga klasa e parë deri sot përveç përkushtimit ndaj shkollës e ka ndjekur dhe pasioni për informatikën. “Iliri është shumë i lidhur me komjuterin. Ka arritur të realizojë vetë formatimin dhe di shumë gjëra për prorgamimin”- tregon shoku i tij Enea Dhamo. Kompjuteri u bë miku i tij, ndoshta ngaqë nuk ka nevojë t’i flasësh dhe gjithashtu nuk të mërzit me ndonjë fjalë. Fillimisht djali nga Budulli jetoi në konvikt, dhe ndau dhomën sëbashku me Enean dhe një tjetër shok. Ndërsa vitin e fundit ai ka vendosur të qëndroi në shtëpinë e tij dhe të bëj çdo ditë rrugën vajtje-ardhje në kryeqytet. “I ndrojtur fillimsht dhe fjalëpak. Ndërsa vitin e fundit Minja është ndryshuar për mirë”-tregon Francesko Topi, një nga miqtë e Ilirit.Tani që është liruar nga çdo defekt ka nevojë veç për pak vetëbesim.“Tani dua të jetoj si gjithë të tjerët, të zgjeroj njohuritë e mija për informatikën dhe shpresoj të nis një punë”- tregon Iliri. Për momentin ai ka problem në shqiptimin e shkronjave të veçanta, ndaj beson se puna pranë kompjuterit është gjëja që di të bëjë më mirë. Në jetën e re ai ka nevojë për ndihmë. Nga jeta e mëparshme nuk ka asnjë foto të buzëqeshur, nga frika se dhëmbët i duken shëmtuar.Sot teksa qesh, papritur vë dorën para gojës nga ndrojtja që ka pasur ndër vite, pastaj kujtohet se dhëmbët e tij tani janë në rregull, dhe e qeshura i vazhdon përsëri.
Comments
Shkrim i bukur, urime Ilirit.
<p>Shkrim i bukur, urime Ilirit. Te pakten lexuam nje lajm te mire sot.</p>
Shkrim shume i bukur. Urime
Shkrim shume i bukur. Urime Ilirit. Me ne fund lexuam nje lajm te mire.
Add new comment