Shteti i sms-ve
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6100_mmm.jpg?itok=KeRJuV78)
Prej dy javësh në institucionet e bulevardit famëkeq të Tiranës konsumohen histori me sms. Loja e njohur për publikun është transferuar në tempullin më të lartë të ligjvënies, Parlamentin. Për kujtesë të atyre që më shumë lexojnë sesa marrin mesazhe mjafton të sjellin ndërmend debate publike dhe televizive kur analistë të njohur përcjellin komente apo edhe akuza të kampit politik ku janë rreshtuar.
Përmes këtyre sms-ve thuhen veprime ose mosveprime të një zyrtari a politikani efekti i të cilave mbaron në mos në përfundim të transmetimit televiziv, të nesërmen pas zbardhjes së përmbajtjes së mesazhet nga shtypi i ditës. Rast që një sms të ketë cuar në hapjen e ndonjë hetimi serioz në Shqipërinë e këtyre viteve nuk më vjen ndërmend. Sikundër e kam të vështirë të kujtoj edhe ndonjë hetim serioz me përfundime profesionale dhe të besueshme për të gjithë llojet e njerëzve, të marrësve dhe dërguesve të mesazheve.
Në një shtet serioz ndodhitë me sms do të ishin subjekt për spektaklet e humorit si “Portokallia”. Por në kushtet kur “Portokallia” është zhvendosur në Kuvend satira kthehet në gjininë më të shëmtuar që dëshmon sa qesharak është bërë një shtet. Në kushtet kur institucionet janë lënë enkas në gjendje të mjerueshme për të qenë të pamundura të sfidojnë paudhësitë e politikës seancat e humorit parlamentar janë një mallkim prej të cilit shqiptarët nuk kanë shans të shpëtojnë në të ardhmen e afërt.
Aktorët e humorit u investuan këtë javë, vetëm pak ditë përpara se të jepet vendimi për statusin kandidat të Shqipërisë, për ti bindur të mëdhenj e të vegjël, shqiptarë a gjermanë, kolumbianë a meksikanë, australianë apo afganë, se Divjaka po konkurron kartelet e Kolumbisë prej të cilave thuhet se furizohet 90% e tregut amerikan me kokainë. Të majtët në pushtet thonë se opozitës i duken mushkonjat si avionë me drogë, ndërsa lideri i opozitës këmbëngul se ka marrë sms nga divjakasit që dëshmojnë ngritje avionësh të ngarkuar me lëndë narkotike.
Pas këtyre debateve me mushkonja e drogë është e sigurt se Shqipëria është futur në radarët e lajmeve me narkotrafikantë dhe bashkë me ushtrinë shqiptare që akuzohet si transportuese edhe emri i NATO-s si vend anëtar që jemi ka dalë në plan të parë. Nuk ka ndonjë statistikë të bërë publike, por që NATO dhe strukturat e saj të jenë të përfshira në ndonjë vend të botës në trafiqe të jashtëligjshme nuk është një gjë që ndodh rëndom, madje as në vende si Shqipëria.
Në Bruksel ku ndodhet dhe selia zyrtare e NATO-s rrëfehen shumë ndodhi me shqiptarë dhe politikanë që kanë shokuar europianët me sjelljen e tyre ndaj pushtetit dhe institucioneve. Megjithatë gallata e fundit në Kuvend, që rrezikon të mbetet e tillë nëse prokuroria nuk gjen fakte dhe nuk arrin të provojë që ushtria shqiptare po transporton drogë në emër të zyrtarëve shqiptarë, atëherë anekdodat do të pasurohen me detaje pikante. Mirë që sms-të në telefonat e politikanëve funksionojnë, qoftë edhe për të shtyrë seancën e së Enjtes së radhës, por pyetja është: shtet a do kemi ndonjëherë?
Revista Java
Comments
Beni fjale per nje shtet
<p>Beni fjale per nje shtet serioz. Shqiperia nuk eshte me shtet. Shteti shqiptar ka vdeke me kohe dhe ka mbetur nje shprehje gjeografike, sikurse tha per te i madhi Bismarck.</p>
Add new comment