Shejtan-budallenjtë

Postuar në 27 Maj, 2014 15:56
Alqi Koçiko

“Mirë që paska mbetur dikush me dy pare mend në kokë tek PD-ja”, shkruante një komentues në rrjet, poshtë intervistës së deputetit Dashamir Shehi për revistën para dy numrash. Ndoshta, ai s’e di që Shehi është zgjedhur deputet nga lista e PD-së, por është kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, aleat i PD-së. Më saktë, aleat me kushte. Megjithatë pikëpyetja e komentuesit mbetet: A ka ndonjë me dy pare mend në kokë në selinë blu?

Kjo pyetje është ngritur pas një sërë zhvillimesh brenda dhe rreth PD-së, për të cilën ngjarjet e kohëve të fundit ndahen në para dhe pas avionit të Divjakës. Pas ibret-protestës para parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndërmori një tur mbledhjesh nëpër disa qytete, për të bindur të vetët (por edhe socialistët e ndershëm dhe patriotë) të vijnë në Tiranë të premten pasardhëse (dje), për të çuar në shtëpi Edi Ramën dhe rrjedhimisht, rrëzuar qeverinë. Motoja është “kundër qeverisë së drogës” dhe meqë protesta në vetvete nuk mjafton, Basha mblodhi “aleatët” dhe krijoi Aleancën Kombëtare Kundër Drogës. Por duke qenë se veç partisë dhe protestave, ka për të drejtuar edhe bashkinë e kryeqytetit, Aleancën ja la nën administrim... Lufter Xhuvelit. Ana tjetër e reagimit opozitar është një grevë urie e një dyzinë demokratëve ish punonjës të administratës, disa syresh edhe me biznese të tyret, që nuk qenkëshin ngritur për qëllime politike, por sepse qeveria Rama i ka lënë pa bukë. 

Kështu, pra, nga njëra anë droga dhe nga ana tjetër “administrata e pushuar” e partisë, do të jenë kuajt e betejës politike të një partie që vetëm pak muaj më parë u dërrmua keqaz në zgjedhjet parlamentare, pas dy mandatesh çalamane në qeverisje. Prej të paktën një muaji nga fb e ish kryeministrit dhe nga selia blu kanë dalë vetëm ultimatume, thirrje, paralajmërime apokaliptike... Dhe kushdo e kupton që këto reagime janë të sforcuara, false, qesharake deri në absurd. Për ndjekësit e zhvillimeve politike shqiptare në vite, më e pakta është mungesa fantazie e tanimë plakut Berisha, të ripaketojë protestat me bukë në trastë të viteve 99-2000. Po atëherë përse i ka hyrë kësaj meseleje?

Së pari, mendja ta do se e bën për të forcuar rradhët e militantëve rreth tij, pra edhe rreth Bashës. Sepse tek tuk nëpër shtyp, disa njerëz të PD-së “me dy pare mend” kanë nisur të shprehin hapur bezdinë dhe pakënaqësinë mbi udhëheqjen anemike të kryetarit të ri të telekomanduar, dhe ndaj Berishës po e po. Ideja se PD humbi në zgjedhje, kryetari dha dorëheqjen dhe ndaj e mori dënimin nga elektorati e nuk ka nevojë për asnjë analizë dhe rinovim të partisë në ide dhe njerëz, po bëhet mbizotëruese. Armiku është Rama, thotë Doktori, ndaj s’kemi kohë të merremi me veten, por t’i biem qafirit. 

Së dyti, është imazhi ndërkombëtar, të paktën ai që na ka mbetur. Edhe pse si Berisha edhe Basha shprehen “besimplotë” se statusi i vendit kandidat të BE-së do të jepet dhe protesta e opozitës nuk ka lidhje me këtë, lidhja shkak-pasojë është e pashmangshme. Dhe në mes janë zgjedhjet europiane dhe tendenca e nuhatur prej sondazheve, që e djathta euroskeptike të arrijë shifra të larta në Europarlamentin e ri. Nëse statusi i vendit kandidat, i cili e vë Shqipërinë nën hullinë e detyrave serioze por edhe mbikqyrjes më të afërt nga Brukseli, shtyhet sërish, për PD-në kjo do të ndodhë vetëm sepse vendin e sundon qeveria e drogës. 

Pra, rezulton se për rolin e shejtan-budallenjve që kanë zgjedhur të luajnë Berisha dhe (detyrimisht) Basha, këto protesta nuk qenkan dhe aq absurde. Por problemi i shumicës së shqiptarëve është se këto llogari janë të asaj çka ka mbetur nga PD-ja, dhe jo të tyret. Ata mund të kenë njëmijë ankesa e pakënaqësi nga “dyshja Rama-Meta”, por e dinë mirë që hashashi që gëlon nga të gjitha anët, është mbjellë, tharë dhe paketuar nën qeverisjen e Berishës dhe Bashës. Ah, po. Nëse edhe si sot një vit, tonelatat e drogës do jenë po ato, në mos më shumë, atëherë kemi të drejtë të themi se nga Lazaratet e Shqipërisë marrin përqindje njësoj, si rozët, blutë dhe të kuqtë. Ndaj, qeveria e sotme, siç thotë Dritëro Agolli, duhet të dëshmojë se është e pastër duke mos lejuar mbjelljen e hashashit të ri, po aq sa duke bllokuar shitjen e hambarëve të vjetshëm. 

Duke u kthyer tek fillimi i shkrimit, Dashamir Shehi gjithsesi beson se Basha i ka potencialet intelektuale dhe drejtuese për t’i bërë lideri i ri i së djathtës, me kusht që Berisha të largohet njëherë e mirë nga skena. Mbase ashtu është vërtet, ose mbase Shehi e lë mendimin e tij në nivelin e hipotezës, pasi e sheh që Berisha as që ka ndërmend të ikë. Por ama, deri tani Basha nuk ka dëshmuar asgjë nga “shpresat” e të djathtëve doc si Shehi. Përkundrazi, gjithë trajektorja e karrierës dhe artikulimi i tij politik na kanë shpalosur një marionetë. Të paraqitshme, por pa substancë; të aftë të përsërisë pa fund artikulime bombastike por boshe; të mrekullojë ndonjë funksionar Brukseli me holandishten e pastër; por prapë marionetë. 

 

revista Klan nr.871

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.