PD-ja ka nevojë të rikonceptohet
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2463_arjan-vasjari_1.jpg?itok=TR4dypMj)
Arjan Vasjari
Sikur kryetar të mos ishte Lulzim Basha, do të ishte pothuajse e pamundur të bëje dallimin mes partisë së “tij” dhe partisë së ish-kryetarit. Me pak përjashtime, që afërmendsh Lulzim Basha i ka qoftë për shkak të moshës e qoftë për shkak të konstitucionit human,”të dyja partitë” janë gati-gati si në kalk. Për shembull, Lulzim Basha, në ndryshim nga ish- kryetari i PD-së, përpiqet të jetë i kufizuar në pathos, instinktin primordial të agresionit verbal nuk e ka dhe aq të zhvilluar, përpiqet të kontrollojë plastikën e gjestit, të moderojë kantilenën kërcënuese në ligjërim etj. Në këtë vështrim, pa dyshim, Lulzim Basha ka sjellë ndryshim në partinë “e tij”. Çështja është se ky përbën të vetmin ndryshim. Gjithçka tjetër është, zëre se njësoj. Në formë dhe substancë, partia e zotit Basha vijon të ngelet si partia e zotit Berisha. Nuk ka asnjë rëndësi të hyjmë në një gjykim vlerash, nëse është kjo apo ajo më e mirë. Ajo çfarë ka rëndësi në analizë është se, për momentin, ngjajnë shumë. Mirëpo, partia e zotit Basha është e detyruar që të transformohet, për të mos u shkatërruar. Është në dialektikën e gjërave kjo. Edhe sikur tentacionet (imagjinohet nga vijnë) për konservimin e species të jenë të forta, prapëseprapë PD-ja është e dënuar të ndryshojë. Virtyti dhe domethënia historike e një partie moderne verifikohen pikërisht tek kapaciteti për të mundur tentacionet e saj. Kështu që, më parë se lista e anëtarësisë, më parë se zgjedhja e strukturave, më parë se përditshmëria e aksionit të saj, PD-ja ka nevojë të rikonceptohet. Sot për sot, partia e zotit Basha nuk përfaqëson asgjë më shumë se zgjatimin e modelit politikëbërës të partisë së zotit Berisha. Në formë dhe substancë. Është një stereotipi sjelljeje, të cilën e ka ndërtuar ish-kryetari i partisë kur PD ishte në opozitë e që vijon si e tillë edhe sot. Sot, njësoj si edhe gjatë gjithë kohës kur kryetar ishte zoti Berisha, libreti politik i PD-së nuk ka pësuar asnjë ndryshim: mbledhje e grupit parlamentar ditën e hënë, ku flet kryetari dhe një aglomerat fytyrash me dhe pa përmbajtje konsumojnë në letargji fjalët e tij; konferenca shtypi mesatarisht çdo ditë për gjithfarë çështjesh apo ngjarjesh me apo pa interes publik; ndonjë prononcim i paparashikuar për njerëz të parashikueshëm për çfarë do thonë, tek dera e parlamentit…Me pak fjalë, një spektakël i stërparë dhe vjetëruar në ekstrem. Mirëpo, t’i hysh përmbajtjes së sjelljes, situata bëhet edhe më dëshpëruese. Njësoj si atëherë kur kryetar ishte zoti Berisha, edhe partia e zotit Basha sot, në emër të opozitarizmit aktiv shpall si të sajën çdo kauzë, mjafton që në mes të jetë një konflikt me pushtetin. Nuk ka rëndësi nëse kauza nuk përputhet me filozofinë e saj. Javën që shkoi, për shembull, në konflikt të hapur me ndërgjegjen e saj politike, doli të kundërshtojë reformën në institucionet kulturore në emër të një solidariteti me “artistët që po flaken në rrugë”. Ndërkohë që bëhet fjalë për një reformë, e cila në frymën e saj, përveçse e koncepton artin dhe kulturën si një fenomen cilësor dhe jo si një kapanon ku strehohen masovikët dhe parazitët, përmban dy nga kapisaldet e filozofisë politike të Partisë Demokratike: tregun dhe meritokracinë. Të njëjtën gjë bëri edhe pardje dërgata e parlamentarëve të saj kur shkoi të solidarizohej me një grup studentësh, të cilët kishin ngelur pa mësim ngaqë pronari i universitetit ishte një evazor fiskal dhe financat, me të drejtë, i kishin sekuestruar godinën. Po, a nuk është në themel të programit të saj politik parimi i legalitetit? Lulzim Basha është vonë me ristrukturimin e Partisë së tij. E ka pranuar edhe vetë këtë gjë. Sidoqoftë, herët a vonë, PD-ja do t’i ketë strukturat e saj të reja. Më në fund pas disfatës së 23 qershorit do të kemi një PD me look të ri. Do ketë edhe njerëzit e saj të rinj, sigurisht. Por kjo është më e pakta gjë që Lulzim Basha mund të bëjë. Dhe më e thjeshta, me thënë të drejtën. 23 qershori ndodhi jo thjesht për shkakun se PD-së iu konsumuan fytyrat e hierarkëve të saj, por mbi të gjitha, sepse hyri në krizë modeli i saj. Prandaj PD-ja e zotit Basha duhet rikonceptuar. Madje, për të qenë i drejtpërdrejtë, zoti Basha ka detyrimin ta rikonceptojë.
"Mapo"
Add new comment