Përvjetori, si mundësi gare brenda së majtës
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8849_roland_3.jpg?itok=kvEghN8w)
Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, aktorë dhe subjekte politike të ndryshëm u përfshinë në atë që nga shumë Roland Lamianalistë u konsiderua “vala nacionaliste”. I gjithë ligjërimi politik u fokusua tek kategori dikotomike: nacionalizëm – patriotizëm, bashkim kombëtar – bashkim europian, albanofobi – eurofili, rajonalizim – lokalizim, identitet shqiptar – identitet europian etj., duke mundësuar diferencimin e subjekteve politike në raport me njëri-tjetrin, njëkohësisht, ripozicionimin e tyre rreth aksit të majtë dhe të djathtë. Për kohën, konsumimi i kategorive me ngarkesë ideologjike të djathtë si p.sh: nacionalizëm, bashkim kombëtar, albanofobi, lokalizim, identitet shqiptar, bashkim trojesh etj., nga ana e analistëve u shpjegua deri diku me presionin në rritje të shqiptarëve brenda dhe jashtë territoreve shqipfolëse për ta konsideruar 100-vjetorin si një moment të rëndësishëm ridimensionimi në rajon, me nevojën për të orientuar një pjesë të votuesit me prirje nacionaliste apo patriotike drejt kësaj force politike, me nevojën për zbehjen e identitetit të AKZ si parti me prirje nacionaliste dhe identifikimin e PD si e tillë, me interesin për të shmangur vëmendjen nga performanca e mandatit të dytë të qeverisjes, si dhe shfrytëzimi i momentit për të startuar fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 2013. Pra, ngjarja historike u shfrytëzua për të grupuar partitë politike rreth aksit të djathtë dhe njëkohësisht, shërbeu për subjektet brenda të djathtës, specifikisht, PD, AKZ dhe LZHK të garonin mes tyre për të bërë për vete votuesin me prirje nacionaliste apo siç njihet ndryshe të ekstremit të djathtë. E njëjta strategji ka shumë probabilitet të përsëritet nga e majta në ditët në vazhdim. Përvjetori i çlirimit të vendit është një rast shumë i mirë për të majtën për të maksimizuar votat e majta dhe për të garuar mes tyre për votuesin e ekstremit të majtë (nostalgjikët e ish-sistemit totalitar). Mënyra sesi u zhvillua dhe u komentua 5 Maji, jep sinjalet për një strategji të majtë të ngjashme me atë të djathtën në formë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Përsëri, elementi historik përdoret për të zhvilluar luftën politike ndërmjet të majtës dhe të djathtës dhe brenda vetë të majtës si dhe synimin për të rindërtuar identitetin ideologjik rreth aksit të majtë dhe të djathtë. Më konkretisht, nisur nga ligjërimi politik i konsumuar gjatë këtyre ditëve krijohet bindja se në ditët në vazhdim, fokusi i ligjërimit mund të jetë rreth kategorive dikotomike të tipit: ish-komunist – demokrat, enverist – zogist, partizan- ballist, fitimtar- humbës, lindje, perëndim, regres – progres, luftë çlirimtare – luftë civile, nostalgjik – vizionar, 28 – 29 data e çlirimit etj. Partitë brenda të majtës si PS, LSI, PDS, PSD dhe disa parti të ekstremit të majtë do të tentojnë të identifikohen me kategoritë: ish-komunist, enverist, fitimtar, luftë çlirimtare, 29 nëntor, nostalgjik etj., duke synuar tërheqjen pas vetes të elektoratit të ekstremit të majtë, ndërsa në krahun e djathtë PD, PR, LZHK, PLL, PBK, PDIU etj me kategoritë si: demokrat, zogist, ballist, humbës, progresist, perëndim do të tentojnë të tërheqin mbas vetes ish- përndjekurit politikë. Sinjalet e para u dhanë me rastin e 5 Majit. Sigurisht, edhe në përvjetorët e tjerë e majta dhe veçanërisht LSI ka tregua vëmendje ndaj kësaj date, ndryshe nga PS e cila ndjehet më e kompleksua për të shfaqur një lloj interesi mbi luftën nacional çlirimtare. Mirëpo, ndryshe nga herët e tjera, gjatë dhe pas festimeve të 5 Maj, nuk kanë munguan deklaratat dhe aktet simbolike nga ana e përfaqësuesve të PS, për të treguar se kjo periudhë përbën interes politik për të. Arsyet e ndryshimit të pozicionimit të PS mund të jenë disa. Së pari, historikisht, elektorati i majtë në Shqipëri ka qenë më i madh në numër sesa ai i djathti dhe një nga arsyet është dhe influenca e regjimit të kaluar në psikozën e disa kategorive sociale. Kështu që mund të shfrytëzohet përvjetori i çlirimit të vendit për të riaktivizuar këtë aspekt kulturor, me qëllim përmbushjen e pritshmërive të disa kategorive sociale që e lidhin ekzistencën e tyre me të kaluarën e afërt. Së dyti, zgjedhjet e fundit treguan se ka një numër jo të vogël votuesish që votojnë për partitë e ekstremit të majtë ose siç quhen ndryshe PKSH, kështu që radikalizmi në qëndrime dhe në deklarata ndaj luftës çlirimtare mund të orientojë këtë tipologji votuesish nga LSI dhe PKSH drejt PS. Së treti, LSI në vitet e fundit ka qenë më radikale sesa PS në qëndrimet dhe deklaratat ndaj luftës, kështu që PS në prag të zgjedhjeve vendore, ku siç dihet nostalgjikët e diktatorit ishin rreth 2000 votues (referuar zgjedhjeve të 2011) mund të radikalizojë edhe ajo qëndrimet për të mos lejuar orientimin e votuesit të ekstremit të majtë drejt LSI. Në njëfarë mënyre, gara për të maksimizuar votat ndërmjet LSI dhe PS do të jetë strategjia elektorale në ditët në vazhdim. Në njëfarë mënyre përvjetori do të shërbejë mesa duket për të konkurruar PS me LSI se kush përfaqëson më denjësisht të majtën në përgjithësi dhe të majtën ekstreme me koston e transformimit të PS nga një e majtë moderne siç e pamë në zgjedhjet e 2013, në një të majtë me tendenca radikale.
“Mapo”
Add new comment