Ngritja e standardit në lidhje me standardin
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1164_gjuha-shqipe3_0.jpg?itok=YC2m4SEv)
Debatet e vazhdueshme mbi çështjen e standardit dhe dialekteve në shkollat shqipe u bë kohë që më sjellin ndërmend rezolutën e vitit 1996 të departamentit të arsimit të shtetit të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë rezolutë u propozua që të gjithë nxënësit të cilët kishin Ebonishten si dialektin e tyre parësor (ose atë që tani quhet AAVE – African American Vernacular English) kishin të drejtë të përfitonin mësimdhënie nga shteti të lëndëve të ndryshme edhe në dialektin e tyre, pra në Ebonishten. Në atë kohë në SHBA, ky vendim ngjalli shumë interes e debat të nxehtë sepse i dha drejtim një çështjeje e cila kishte rreth 4 dekada që diskutohej në rrethet akademike gjuhësore dhe edukative në vend. Vendimi nuk gjeti mbështetje të fuqishme nga publiku dhe akademikët. Por mbi të gjitha, kjo ngjarje, sikurse janë shprehur gjuhëtarë të tjerë më parë (shih Walfram 1996), pavarësisht vendimit që u mor për të, nxori në pah disa probleme thelbësore, të cilat kanë vlerë edhe për situatën tonë sot. Kjo ngjarje ekspozoi veçanërisht tri fakte: 1. ndjenjat e forta që njerëzit kanë për gjuhën dhe për diversitetin gjuhësor, 2. keqinformimin e vazhdueshëm mbi çështjet e diversitetit gjuhësor në kontekstin e arsimit të përgjithshëm, dhe 3. nevojën për përditësimin e njohurive mbi diversitetin gjuhësor dhe rolin që mund të luajë ai në arsimin e përgjithshëm dhe në jetën publike.
Në këtë shkrim do të përqendrohem kryesisht tek dy faktet e fundit, meqenëse fakti që ne si komb kemi pasur gjithmonë ndjenja të forta për gjuhën dhe njësitë përbërëse të saj është diçka që ka dalë në pah gjatë gjithë historisë sonë. Pra, çfarë duhet të ndryshojmë në konceptin tonë publik mbi diversitetin gjuhësor dhe çfarë roli duhet të luajnë standardi e dialektet në arsimin tonë të përgjithshëm?
Çfarë duhet të ndryshojmë në konceptin tonë publik mbi diversitetin gjuhësor?
Koncepti ynë publik sa i takon çështjes së diversitetit gjuhësor, në këtë rast diversitetit dialektor, duhet të ndryshojë në lidhje me disa pohime, të cilat nuk janë veçse mite në dritën e njohurive dhe zbulimeve të gjuhësisë bashkëkohore.
Miti 1: Nxënësit duhet të mësojnë vetëm standardin ose vetëm dialektet.
Pohime të tilla janë reflektime të një kohe kur njerëzit ishin përgjithësisht monolingualë dhe kur qëndrimet për diversitetin gjuhësor nuk ishin shumë të informuara shkencërisht. Gjuhësia moderne sot, si edhe shkenca të tjera që ndërthuren me të, si psikologjia dhe neuroshkenca, nuk i vënë më në diskutim vlerat dhe përparësitë e pamohueshme të bilingualizmit dhe të bidialektalizmit (p.sh., Kovacs & Mehler, 2009; Poulin–Dubois, Blaye, Coutya, & Bialystok, 2011; Carlson & Meltzoff, 2008; Costa, Hernandez, & Sebastian–Galles, 2008). Përfundimet shkencore të studimeve bashkëkohore mbi bilingualizmin dhe bidialektalizmin tregojnë se njerëzit që janë bilingë ose ata që kanë përvetësuar mirë më shumë se sa një dialekt, i kanë funksionet ekzekutive të trurit shumë herë më të larta se njerëzit që flasin vetëm një gjuhë. Funksionet ekzekutive të trurit janë ato funksione që mbulojnë procese konjitive si kujtesa, të arsyetuarit, fleksibiliteti, zgjidhja e problemeve, aftësia për të planifikuar dhe aftësia për të ekzekutuar. Në kontekstin tonë, fakti që jemi përpara një situate të tillë në lidhje me standardin dhe dialektet duhet parë më shumë si një vlerë se sa si një kërcënim dhe diskutimi shkencor e publik duhet të përqendrohet në hartimin e zgjidhjeve praktike që kanë themel të gjitha përparësitë e një situate të tillë gjuhësore.
Miti 2: Mënyra më e mirë për të promovuar standardin është arsimimi i nxënësve vetëm në standard dhe mënyra më e mirë për të promovuar dialektet është arsimimi i nxënësve vetëm në dialekte.
Edhe këto dy qëndrime nuk janë gjë tjetër veçse mite gjuhësore. Gjuhësia moderne ka vite që njeh rolin e padiskutueshëm të fondit gjuhësor parësor të një individi në mësimin ose përvetësimin e gjuhëve të tjera (p.sh., Baker, 1996; Goldenberg, 1996; Merino & Lyons, 1990; Melendez, 1990; Rosell and Baker, 1996). Dialektet ose gjuhët që individët flasin në shtëpi dhe praktikat (angl. literacy practices) që ata ndjekin me këto gjuhë, luajnë një rol të drejtpërdrejtë në formësimin e praktikave gjuhësore që këta individë ndjekin me gjuhët e tjera që mësojnë në shkollë ose gjatë jetës së tyre. Me fjalë të tjera, këto studime tregojnë se promovimi i njërës prej gjuhëve/dialektit të një individi, sidomos të gjuhës/dialektit mëmë, duke promovuar praktikat e individit për lexim, shkrim, të folur, e të dëgjuar të kësaj gjuhe/dialekti, rrit ndjeshëm dhe pozitivisht nivelin e përdorimit të gjuhëve/dialekteve të tjera që flet ose përdor ky individ. Në kontekstin tonë, kjo nënkupton që nxënësve t’u jepet mundësia kurrikulare të formojnë dhe të forcojnë aftësitë në njohjen dhe zotërimin e dialekteve, sidomos dialektin e tyre, sepse vetëm kështu mund të promovohen jo vetëm dialektet përkatëse, por edhe standardi.
Miti 3. Nxënësit të cilët në shtëpi flasin në dialekt e kanë shumë të vështirë të mësojnë standardin.
Nën dritën e shumicës mbizotëruese të përfundimeve shkencore të fushës së përvetësimit të gjuhës së dytë, në ditët tona është e vështirë të besosh si të vërtetë pohimin e mësipërm. Me fjalë të tjera, ky pohim shpreh që nxënësit tanë nuk dalin siç duhet në testimet e tyre në standard sepse e kanë shumë të vështirë mësimin e tij për shkak se gjuha e tyre e folur në familje ndryshon thelbësisht nga gjuha që mësojnë shkollë. Atëherë, ç’duhet të themi për nxënësit shqipfolës që shkojnë në shkollat greke në Greqi, për nxënësit shqipfolës që shkojnë në shkollat amerikanë në SHBA., për nxënësit spanjisht-folës që ndjekin shkollat amerikane në SHBA, për nxënësit greqisht-folës që ndjekin shkollat gjermane në Gjermani, për nxënësit gjermanisht-folës që ndjekin shkollat anglisht-folëse në Sh.B.A., për nxënësit që flasin dialektin e Teksasit dhe ndjekin shkollën në anglishten standarde, etj? Mos vallë edhe këta janë të deprimuar e të frustruar deri në skizofreni? Aspak. Madje duhet thënë që deri më sot ende nuk është raportuar ndonjë studim shkencor i cili ka dalë në përfundimin që gjuha e parë ose dialekti i parë pengon në përvetësimin e gjuhës së dytë dhe i kthen nxënësit në të sëmurë psikikë. Madje nuk është thënë as edhe që gjuha e dytë, kur e ndryshme nga e para, i kthen nxënësit në individë të deprimuar. Le të mos fajësojmë standardin për nivelin e dobët të arritjeve të nxënësve tanë, kur ky nivel nuk është veçse një pasojë e një mori faktorësh që lidhen me shkollën tonë sot, si mësuesit, metodologjia, tekstet, prindërit, vetë nxënësit, etj. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që qasja ndaj varianteve të shqipes në shkollën shqipe nuk duhet të ndryshojë. Edhe nëse dialektet vazhdojnë të mos lejohen rreptësisht në shkolla, për shembull në ligjërimin gojor, naturam expelles furca, tamen usque recurret, pra natyra do të bëjë punën e saj, duke mos e lejuar shkollën ta mposhtë variantin gjuhësor të familjes. Por ky s’duhet të jetë kurrsesi roli i shkollës. Roli i shkollës duhet të jetë të ngjallë e zgjojë dëshirë, interes, njohje dhe zotërim të shqipes.
Çfarë roli duhet të luajnë standardi dhe dialektet në arsimin tonë të përgjithshëm?
Një kurrikulë arsimore, e cila njeh rolin pozitiv të dialekteve në formësimin gjuhësor dhe, përgjithësisht në arsimimin e nxënësve, duhet në radhë të parë të mbështetet fort mbi premisën që diversiteti gjuhësor nuk përkthehet në mangësi gjuhësore dhe konjitive për disa dhe në superioritet gjuhësor e konjitiv për disa të tjerë. Duke marrë parasysh përparësitë dhe përfitimet e fituara gjatë jetës nga përdorimi i mirë i standardit, shkolla shqipe duhet ta ketë qëllimin e saj parësor aftësimin e nxënësve në përdorimin e mirë të standardit. Por mësimdhënia dhe mësimnxënia në standard duhet patjetër të gërshetohen ngushtë me dije dhe njohuri mbi diversitetin gjuhësor në kontekstin tonë dhe gjetkë nëpër botë. Duke u dhënë nxënësve dije dhe njohuri mbi dialektet dhe diversitetin gjuhësor, shkolla jonë do të ketë mundësi të forcojë integritetin që ndoshta dialektet e kanë humbur, dhe të qartësojë marrëdhënien midis standardit dhe dialekteve, duke theksuar vlerat shoqërore që lidhen me secilin (me standardin dhe dialektet) dhe arsyet praktike për aftësimin sa më të mirë të nxënësve në standard.
Pra, dialektet dhe standardi në kontekstin arsimor duhen parë si një përparësi dhe jo si një pengesë. Studimi aktiv dhe i vazhdueshëm i dialekteve dhe standardit nga nxënës që vijnë nga kontekste të ndryshme gjuhësore u shërben të gjithëve për të kuptuar sa më mirë edhe natyrën e funksionimit të gjuhës. Dialektet, ashtu si edhe standardi, mund të studiohen në disa nivele, qoftë në nivelin teorik dhe njohës, qoftë edhe si mjet për të përmirësuar aftësi të tjera të nxënësve, të cilat ata duhet patjetër t’i përftojnë nga shkolla. Për shembull, studimi i dialekteve mund t’u japë mundësi nxënësve të forcojnë aftësitë e mendimit kritik, të vëzhgimit, të krahasimit, dhe të argumentimit. Nxënësit mund të flasin për të folmet e tyre dhe të studiojnë në mënyrë kritike edhe të folme të komuniteteve të ndryshme në zonat ku jetojnë duke mbledhur të dhëna gjuhësore, duke i krahasuar këto të dhëna, dhe duke nxjerrë përfundime mbi ndryshimet nga një e folme tek tjera, etj. Vëzhgime të tilla, jo vetëm që përmirësojnë aftësi të mendimit kritik të nxënësve, por edhe përmirësojnë konceptet e nxënësve për veten dhe për diversitetin gjuhësor. Në të njëjtën mënyrë, nxënësit mund të ndihmojnë në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e dialekteve të zonave të ndryshme. Studime të tilla, të përfshira në kurrikulën arsimore të arsimit të përgjithshëm, u japin gjithashtu mundësi nxënësve ta njohin nga afër ndryshimin midis gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar, si dhe ndryshimet që lidhen me regjistrin gjuhësor, me shtresat sociale, me situatën, me audiencën, qëllimin, etj.
Në përfundim, mendoj që standardi i diskutimeve në lidhje me standardin dhe dialektet në kontekstin tonë arsimor duhet ngritur në nivelin e gjetjes së zgjidhjeve optimale që marrin parasysh këtë pasuri gjuhësore që vjen si nga dialektet, dhe nga standardi i shqipes. Diversiteti gjuhësor që përfshin këtu edhe standardin, nuk duhet parë si pengesë, por si përparësi, nga e cila nxënësit tanë mund të përfitojnë si përsa i përket aftësimit të tyre kritik, ashtu edhe aftësimit të tyre psikologjik e gjuhësor.
Mapo
* As. prof. dr. Enkeleida Kapia është shefe e departamentit të Leksikologjisë, Terminologjisë, dhe Gjuhësisë së Zbatuar në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë. Ajo ka mbaruar doktoraturën në Gjuhësi të Zbatuar në Universitetin e Bostonit dhe postdoktoraturën në çështjet e menaxhimit të diversitetit gjuhësor në zonat urbane në Universitetin e Hamburgut.
Comments
ne kete shkrim, zonja eshte

ne kete shkrim, zonja eshte perpjekur qe te na tregoje se si duhet te jete raporti standart / dielektizem. Deri me tani, nuk besoj se ka ndonje nga autoritetet e gjuhesise qe thote te kunderten e kesaj qe thote zonja. Tema e diskutimit te sotem eshte a duhet ndryshuar standarti apo jo... dhe kete kjo zonje nuk e ka cekur fare. Ajo na ka sjellle nje sasi te madhe citatesh nga veprat njerezve te shquar te gjuhesise. Por sa jane ato te gjithepranuara, apo te perfshira ne shkencen e gjuhesise se sotme boterore? Kete ne nuk e dime.

Atëherë, ç’duhet të themi për nxënësit shqipfolës që shkojnë në shkollat greke në Greqi, për nxënësit shqipfolës që shkojnë në shkollat amerikanë në SHBA., për nxënësit spanjisht-folës që ndjekin shkollat amerikane në SHBA, për nxënësit greqisht-folës që ndjekin shkollat gjermane në Gjermani, për nxënësit gjermanisht-folës që ndjekin shkollat anglisht-folëse në Sh.B.A., për nxënësit që flasin dialektin e Teksasit dhe ndjekin shkollën në anglishten standarde, etj?iptar qe ka mminimumi 3 vjjet qe ka banuar jashhte... Ai i ka humbur iinstiktet e gjuhes meme... shtron pyetjen autorja...???

Asgje me shume se sa humbjen e timbrikes se gjuhes meme ne radhe te pare, dhe po ashtu dhe humbjen ne teresi te gjuhes ametare. Kete e sheh pothuajjse gjithmone sa bisedon me nje shqiptar qe ka banuar te pakten nje tre vjeçar jashhte kontaktiit me shqipen. Atehere perse duhet kembengulur kaq shume ne ato, citatet e sipercituara nga zonja, per te ashtuquajturen rendesi qe ka bilinguizmi apo bidialektizmi...??ne diskutimet e sotme, nuk jane keti problemet qe shqetesojne shoqerine shqiptare, por problemi themelor qe ka perfshire sot tere kete shoqeri eshte: A eshte i drejte ky standart i sotem gjuhesor apo ta ndryshojme duke aplikuar standartin e ri mbi bazen e gegnishtes, nen preteksin e shumices gjuhesore, dialektore. Ja kjo eshte çeshtja qe shtrohet sot para gjuhetareve...

Shkelqyeshem Enkeleida !

Shkelqyeshem Enkeleida ! Bravo !

Desha te shtoja se nuk jam geg dhe s'kam asnje lloj ndjesie sentimentale dhe identitare ne lidhje me variantin geg. Por shkrimi o Zonjes Enkeleida Kapia mbeshtetet ne argumenta shkencore qe veshtiresisht mund te kundershtohen.

E keqja e vendit tone ne kete rast si edhe ne te tjere si ky jane reagimet ose nga padija dhe injoranca ose per arsye populizmi, prandaj dhe shrime si ky nuk u gjen shpesh ne faqet e gazetave tona. Por une mendoj se keto lloj shkrimesh qe i sherbejne emancipimit te njerzve duhet te gjejne mbeshtetje dhe perhapje te gjere ne media. Prandaj nje bravo edhe gazetes qe ka ditur t'i jape hapesiren e duhur.

dialektet janë burimi i

dialektet janë burimi i standartit!dialektet e pasurojnë standartin!!

ndryshimi i standartit dhe dialekteve është shumë i vogë!!

ndryshimi qëndron në një fakt të vetëm!!

standarti ka rregulla në folje dhe shkrimin e tij!!ndryshe nga dialektet!!

fjala është e përbërë nga tinguj!në standart këta tinguj janë përmbledhur në shkronja!!këto shkronja të vendosura sipas një rregulli të pranuar nga të gjithë formojnë fjalën,fjalinë e kështu me rradhë!!para i përmbahen një standarti për të gjithë!!

kështu që fjala më e thjeshtë mohuese,JO është në satndart dhe jo "nuk" e cila në dialekte të ndryshme përfundon në "nauk"!!

tashti ti këthehemi rregullave të standartizuara të dialekteve!?

kush dialekt ka rregulla të tilla??kush dialekt ka të ligjëruar se një fjalë e shqiptuar nga njerëz të ndryshëm do të shkruhet njëlloj?duke mos pasur rregulla fikse gjithkush mund ta shkruaj fjalën ashtu si ai e shqipton,e këthen në gërma ashtu si ai e mendon!!që do të thotë se dy persona të ndryshëm shkruajnë të njëjtën fjalë ndryshe!!

standarti nuk zëvëndëson asnjëherë dialektin në gjuhën e përditëshme,nuk zhduk dialektet,por thjesht bën të lehtë komunikimin e njerzve që flasin dialekte të ndryshme brënda të njëjtës gjuhë!!

Perseri autodidakti qe kujton

Perseri autodidakti qe kujton se i di te gjitha dhe eshte edhe gjuhetar qe i lejon vehtes te jape mendim per standardin dhe dialektet. O "gjuhetar" nuk thuhet KUSH DIALEKT, siç shkruan ti, thuhet CILI DIALEKT. Peremri pyetes KUSH, perdoret vetem per frymore, per jofrymore perdoret peremri pyetes CILI. Shko vazhdo te lexosh, ende nuk je ne lartesine e kerkuar per kesisoj diskutimesh...

Si cdo gjuhe tjeter edhe

Si cdo gjuhe tjeter edhe gjuha shqipe duhet te zhvillohet dhe reformohet. Nuk ka gjuhe te ngurta ne kete bote. Ato qe ishin gjuhe te ngurta si latinishtja u zhduken. Pyetja duhet te shtrohet se c'drejtim duhet te marre reforma. Per mua gjuha shqipe ka nevoje per nje perfshirje me te gjere te dialekteve ne gjuhen standarde. Jo vetem fjale e shprehje, por edhe nje sere formash dhe strukturash gramatikore. Duke zgjeruar spektrin e gjuhes jo vetem qe pasurohet gjuha, por behet edhe me e perdorshme, duke eliminuar fjale te huaja te panevojshme. Te gjithe ata qe perpiqen te mbajne nje status quo te gjuhes shqipe nuk bejne gje tjeter vecse kontribuojne ne varferimin dhe shfytyrimin e gjuhes se bukur shqipe duke lejuar infiltrimin e fjaleve, shprehjeve e madje edhe strukturave gramatikore te huaja.

Add new comment