Mbarset mali i gjyqësorit
Më shumë se optimizëm, përcolli zhgënjim lajmi se një gjyqtar më në fund qenkësh arrestuar në flagrancë për korrupsion. Dhe kjo, jo me paramendimin se “opinioni publik” duhet perceptuar si një turmë sankylotësh të çakërdisur që mezi presin ta djegin në turrën e druve farën e gjykatësve, por sepse perceptimi tjetër, që sistemi i drejtësisë është gjerësisht dhe thellësisht i korruptuar, ka ardhur e ka zënë vend tek njerëzit jo nga hiçi. Për 23 vite me rradhë, përvojat personale të gjithësecilit me ingranazhet e këtij sistemi, janë akumuluar për t’u shndërruar në bindje. Dhe këtu qëndron zhgënjimi: Vërtet Pogradeci është “vend i vogël”, por shumat që hallexhinjtë janë mësuar t’i atashojnë një gjyqtari për të “zgjidhur një hall”, janë shumë larg 45 mijë lekëshit të supozuar të kërkuar nga gjyqtari-poet, i cili mbetet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga kolegët e tij. Dhe këtu vijmë tek një dukuri e gjithëhasur në Shqipëri, kur vjen puna tek korrupsioni (ju ka mbetur ora në kohën e Ali Pashës, tha ambasadori amerikan) dhe tek shembujt që jepen për luftën kundër tij.
Dhe kjo dukuri është tek piketimi i hallkës më të dobët, apo tek ilustrimi minimalist që na ofrohet sa herë duhet të dëgjojmë shembuj luftarakë antikorrupsion. Raste të tilla, është e kotë ta fshehim, shkaktojnë tek publiku reagimin e tipit “po këtë derëziun ku e gjetën”. Të kuptohemi, nëse Dhimitër Pojanaku realisht ka marrë para, ligji padyshim do bëjë të vetën, por kjo nuk e frenon perceptimin për të cilin fola më sipër. Ai është “keci i kurbanit” që na ofrohet, në detin e një sistemi drejtësie që për indeks popullor korrupsioni, edhe për ata që nuk kanë patur ndonjëherë të bëjnë drejtpërdrejt me të, ka stilin e pagabueshëm të jetesës. Dhe pyetja është e stërpërsëritur: A mjaftojnë rrogat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, fjala bie, për mega-apartamente, vila, toka, veshje e stringla të shtrenjta, makina imponuese që të bëjnë t’i ndjekësh me sy; pa folur pastaj për ortakërira të fshehta në biznese? Për cilindo skeptik që nuk bindet nga ky “indeks”, ekzistojnë pastaj raste ekstreme, si denoncimi publik që që Kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës i kishte dërguar KLD-së për anëtarin e kësaj të fundit, Gjin Gjonin, që e përmend këtë të fundit për një sërë implikimesh të rënda kriminale gjatë ushtrimit të detyrës. Duhet nënvizuar se ky rast ka patur shumë pak jehonë dhe unë besoj se do të “zgjidhet ndryshe”. Sepse nuk ka lezet të shkojmë deri në këtë pikë “me njëri-tjetrin”.
Për çdo fushë veprimtarie që lejon hapësira për korrupsion, (dhe tek ne zor se ka mbetur ndonjë fushë bosh), dukuria e mbarsjes së malit për të pjellë një mi është standarde. Kemi raste dënimesh me vite burg për një cigare hashash, por lirojmë me arrest shtëpie me adresë “diku tek kthesa e Kamzës”, trafikantë ndërkombëtarë droge. Ndodh që ndonjë mjek prangoset gabimisht në flagrancë, por pastaj i kërkojnë të falur. Sepse me shëndetin nuk bëhet shaka. Ndonjë pedagog mund të humbasë punën nëse nuk tregohet i vëmendshëm kur merr zarfin, por kjo është për faj të tij dhe kolegët më të shkathët vazhdojnë punën. Akoma edhe mësuesit e nëntëvjeçares apo shkollës së mesme, sigurisht ata të lëndëve “strategjike”, i zhvendosin në shtëpi fytyrat e nxënësve që kanë përpara gjithë ditën, për t’u bërë kurse intensive kundrejt pagesës. Por le të ndalemi këtu, sepse zbritëm mjaft poshtë në zinxhirin ushqimor të korrupsionit, megjithë deklarimet e ministres së linjës, se mësuesit që kapen me kurse jashtëshkollore do të pushohen nga puna.
Kohët e fundit, po ndodh “diçka e re”. Dënohen me burg edhe drejtuesit e makinave me mungesa në dokumentacion. Duhet thënë se shtrëngesa e beftë në drejtim të rregullave të qarkullimit rrugor, që kanë qenë gjithnjë aty por që dihet si janë anashkaluar, i ka zënë disi gafil shumë njerëz, pikërisht me perceptimin e rënies më qafë të hallexhinjve; por akoma më shumë të tjerë i ka entuziazmuar, sepse ta marrë e mira, nga diku duhet filluar dhe qarkullimi e aksidentet janë ndër dukuritë më të prekshme sa i takon nevojës së vendosjes së rregullit dhe ligjit. Por ka një problem: Përqëndrimi i madh tek ky sektor, ndërkohë që krimet ordinere dhe ato jo dhe aq ordinere shtohen, sërish krijon idenë se policia dhe shteti synon më shumë krijimin e imazhit të rendit, sesa vetë forcimin e tij. Jo më kot pastaj, dalin edhe barcoleta, se shoferi i një makine që zbret nga Lazarati ka më shumë merak se mos harron patentën, sesa se mos i kontrollojnë bagazhin.
revista Klan nr.866
Add new comment