Kriteret për përzgjedhjen e opinionistëve
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4043_photo2.jpg?itok=GBDeZ7E5)
Një ditë më mbërrin në kutinë e postës elektronike një mesazh i papritur nga një aksioner-drejtues i një mass-medies private, me të cilën kisha patur të bëj më herët. Me sa duket qe dërguar gabim, e nuk më drejtohej mua. Bashkangjitur me mesazhin qe një dokument me titullin intrigues (eh prapaskenat mediatike) “Kritere për përzgjedhjen e opinionistëve”. Pak çaste më vonë nuk vonoi të vinte mesazhi i kërkim faljes për ngatërresën, ku me mirësjellje kërkohej edhe që mesazhi i mëparmë të fshihej. Por kureshtja ka magnetizëm ku e ku më të madh se mirësjellja. Tashmë isha duke e lexuar dokumentin në fjalë, të cilin po rrekem ta parafrazoj. Thoshte shefi:
“Është tepër e rëndësishme që opinionistët tanë të jenë yndyra e zhanrit të vet. 75% të jenë emra të njohur, që dalin nëpër televizione të paktën një herë në javë e që janë të lidhur ngushtë me pozicionet politike-partiake nga anon media jonë e pavarur. 15% le të jenë të rinj, se na bën punë pak pozitivitet dhe energji. Të zgjidhen të rinj që kanë diploma të vlera e që mundësisht të kenë nisur të angazhohen mediatikisht nëpër talk-shows apo si komentatorë nëpër reality-shows. Ndërsa 10% të jenë njësoj si të parashkruarit, por të jenë të lidhur me opozitën, sa për pluralizëm. Gjithashtu një herë në tre ditë duhet të gjendet vend se s’bën për shkrimet e ndonjë budallai ekscentrik, ekstravagant apo ekstremist sepse i do tregu dhe këta.
Shkrimet le të mos jenë më shumë se gjysmë faqe gazete, pra rreth 1200 fjalë. Preferohet të jenë edhe më të shkurtra, që faqja e opinioneve të nxërë dy opinione me titull të madh e me tekst të vogël, biles-biles të nxërë dhe një reklamë. Ashtu-kështu opinioneve sipas një sondazhi të fundit ndërkombëtar lexuesi u lexon vetëm titullin dhe dhjetë rreshtat e parë. Ndonjëherë as ato.
Ky është një tranzicion modernizues i tregut tonë, që e kërkon përparimi në kohë e në teknologji. Do të lëmë pas zhanret e vjetra, fejtonin, pamfletin, esenë gazetareske, analizën. Opinioni duhet të përngjajë gjithnjë e më shumë me një status fejsbuku. Meqë ra fjala, bash aty duhen gjetur opinionistët e rinj, kush merr më shumë lajka domethënë se e ka kuptuar rrugën e re të komunikimit me publikun tonë të ri.
Opinionistët tanë duhet të jenë njerëz që kanë lexuar gjerësisht autorë të shquar si Farid Xakaria, Toni Xhad, Timoti Garton Esh, Semjuell Hantington. Që kanë baza të forta teorike, te Maks Ueberi, Ajzaja Bërlini, Adam Smithi, Fridrih Hajeku, Millton Fridmani, Entoni Gidensi apo Xhorxh Sorosi. Pse jo pak Habermas, pak Stiglic, pak Krugman. Edhe më rrallë ndonjë Çomski, sa për lezet. Pra le të jenë të paideologjizuar, se ideologjisë i ka ikur koha dhe nuk i ha më njeri ato punë.
Si test, do t’i intervistoj unë kur të kem kohë të pi kafe me ta, pasi të kenë plotësuar kushtet e mësipërme. Kur t’u them Kosova, të më thonë ja Klintoni ja Bushi. Kur t’u them integrim të më thonë evropian. Kur t’u them art të më thonë muze. Kur t’u them Shqipëria, të më thonë NATO dhe BE bashkë. Kur t’u them lehtësia, të më thonë e papërballueshme dhe të mbajnë veten para se të thonë e qenies. Kur t’u them mbreti filozof i Platonit, të më thonë Ajatollah Khomeini. Kur t’u them komunizma, të më thonë ja Stalini, ja Maua, ja Titua, ja Enveri. Kur t’u them islami, të më thonë Bin Ladeni. Kur t’u them Kosova, të më thonë islami. Kur t’u them shqiptar, të më thonë ja geg, ja toskë. Kur t’u them bashkësi, të më thonë liri individuale e zgjedhjes. Kur t’u them ekonomi të më thonë treg. Kur t’u them filozof të mendojnë Ejn Rendin. Kur t’u them perëndim, të mendojnë Amerikë. Kur t’u them Amerikë, të mendojnë Uashington. Kur u them Uashington, të mendojnë Hollivud. Kur u them krishtërim, të më thonë mediasetin. Kur u them lindje, të mendojnë Xhengis Hanin. Kur t’u them gjuhë, të më thonë dialekt. Kur u them kulturë, të më thonë stil jetese. Kur u them zhvillim, të më thonë për vete. Kur t’u them matematika, të më thonë tregu. Kur t’u them demokracia, të më thonë konsumi. Kur t’u them art të më thonë show. Kur t’u them liria, të më thonë e qarkullimit të lirë të mallrave dhe të produkteve. Kur t’u them nacionalizmi, të më thonë ja Hitler ja Millosh. Kur t’u them imperializmi, të më thonë hahaha. Kur t’u them armët kimike, të më thonë ke frikë kot. Kur t’u them Gjermania, të më thonë Benc. Kur t’u them Mitrovica, të më thonë garancia e miqve strategjikë. Kur t’u them Ukraina, të më thonë s’është njësoj. Kur t’u them industria, të më thonë Kinë a Turqi. Kur t’u them teknologjia të më thonë Kore a Japoni. Kur t’u them ne, të më thonë unë. Kur t’u them shkenca, të më thonë Steve Jobs. Kur t’u them dija të më thonë informacioni. Kur t’u them ateizmi të më thonë Enverin. Kur t’u them grua, të mendojnë barazi gjinore. Kur t’u them barazi gjinore, te thonë Theçër ja Merkel. Kur t’u them detyrë, të më thonë pozitë. Kur t’u them ekspert, të më thonë firmato. Kur t’u them kinema të më thonë oskar. Kur t’u them art të më thonë luvër apo gugenhajm apo bienale. Kur t’u them korrupsion të më shkelin syrin. Kur t’u them botë, të më thonë turizëm. Kur t’u them libër, të më thonë turizëm. Kur t’u them jetë…
Le të përgatiten edhe me readymade të tjera, që do i përgatis si surprizë ndërkohë. Dhe të mos përtojnë e të shkruajnë, jo vetëm për gazetën tonë, po edhe në gazeta të tjera, sa më shumë. Të shkruajnë përjavë, dy herë në javë. Të marrin tema të mëdha dhe t’i zvogëlojnë. Të marrin seriozen dhe ta bëjnë qesharake. Të marrin komiken dhe ta bëjnë banale. Të shërbejnë si sirtarë për mendimin e një publiku gjithnjë e më modern, pra gjithnjë e më të pavarur prej trurit të vet. Dhe të mos harrojnë të firmosin shkrimin duke vënë para emrit titullin përkatës të shkollimit, doktoraturat që më shumë u shërbejnë si mure e si barriera për të penguar hyrjen e mendimeve të të tjerëve, se sa si ura të komunikimit me ta…”
Kështu mbyllej pak a shumë dokumenti, të cilin e mbylla me urgjencë dhe e fshiva me sëkëlldi. Mos vallë dhe unë – thashë me vete ndërkohë që po e eleminoja edhe nga risajkëll bini.
Marrë nga "Rrethana dhe rrethina"
Comments
Nuk e di sa prej ketij
<p>Nuk e di sa prej ketij shkrimi eshte e vertete, dhe sa eshte fantazi e Zaimit, por po ta dija qe perzgjedhja e shkrimeve behet sipas ketyre kritereve, nuk do te merrja kurre mundimin te dergoja ndonje shkrim, ngaqe e gjithe kjo bie ere shpifesire qe te ben te hash veten me dhembe. Megjithese duke pare cilesine e ketyre mediave qe nuk arrijne te shesin dot as nje mije kopje ne dite, arrin ne perfundimin qe bash keshtu siç e thote Zaimi ne kete shkrim funksionojne ato. Por qe te mos na trishtoje ky fakt aq shume, duhet marre parasysh qe keta qe kujtojne se manipulojne opinionin publik duke publikuar ne faqet e tyre vetem mediokritet e rrena, jane ne fakt gjithe kohes duke pergatitur varrin e tyre, keshtu qe siç edhe Lubonja e ka thene, sistemi mediatik qe kemi sot, si çdo sistem tjeter qe kane ngritur shqiptaret, do te rilinde jo se kete e duan ata qe e drejtojne, por nga kalbezimi i natyrshem dhe i themelte qe vetvetiu behet parakusht i ndryshimit.</p>
Nuk e di, Bard, po kjo
<p>Nuk e di, Bard, po kjo "selfie" e autorit është tërësisht e pavend! </p>
Arber Zaimi, je cun bos. Ky
<p>Arber Zaimi, je cun bos. Ky artikull ben gjithe pjesen tjeter te muhabetit barcalet.</p>
hahhahaa,jepi Zaimi!Thuaj qe
<p>hahhahaa,jepi Zaimi!Thuaj qe eshte fantazia jote,se nuk eshte e mundur qe nje gazete te kete drejtues nje robot kaq te çakerdisur.Por pjeserisht kjo tablo eshte kaq origjinale ne pothuaj pjesen me derrmuese te shtypit shqiptar.Ne nje gazete qe e lexoj shpesh i kerkova drejtuesit persen e artikujve te doktor-profesorave,me dite te tera botoheshin vetem shkrimet e ketyre.Natyrisht qe nuk pergjigjet kush.Titujt e prof.dr.ofrohen si garancia e madhe e kesaj bloje te perbindshme mediatike.Nga referencat qe lexova me siper besoj behet fjale per nje gazete te djathte,do jete MAPO,hahahhahahhaaa.Ve bast ne koken e S.Huntington.Teorite komplotiste thone qe boten mediatike e kane blere ose e drejtojne grupe spekulantesh te paskrupullt me metodat e persertjes dhe hipnotizimit.</p>
Add new comment