Jam artist, modern, dhe kam mendim të kundërt

Postuar në 26 Maj, 2014 08:20
Dr. Vincent W.J. van Gerven Oei

Pas Pedalimit të 3-të kundër Homofobisë dhe fjalimit mbështetës të
Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë Erion Veliaj për të siguruar
të drejtat e komunitetit LGBT përmes një serie masash legjislative, mediat
shqiptare përcollën një debat të zjarrtë, edhe një herë, për të drejtat e
komunitetit LGBT shqiptar. Pjesa më e madhe e këtij debati u ushqye nga
një peticion anonim i botuar, mes të tjerash, në gazetën Panorama, i cili
në dukje ishte nënshkruar nga 57 intelektualë (përfshi Ermal Mamaqin),
edhe pse më pas u bë e ditur se disa prej tyre nuk kishin dhënë ndonjëherë
pëlqimin për ta nënshkruar atë por, në fakt, kishin shprehur mbështetjen e
tyre për komunitetin LGBT.

Debati frymëzohej, në masë të madhe, nga supozimi jokorrekt se ndryshimet
legjislative në fjalë do të përfshinin të drejtat e adoptimit dhe të
drejtën e martesës. Edhe pse kjo do të kish qenë e mrekullueshme, më duhet
t’i zhgënjej homofobët. BE-ja nuk e detyron gjë Shqipërinë që të bëjë të
vetat të drejtat e adoptimit për prindërit e të njëjtit seks, as është
Shqipëria e detyruar që të pranojë martesat e të njëjtit seks. Thjesht
është fjala për të harmonizuar legjislacionin shqiptar me, për shembull,
vendimet e Gjykatës Europiane të së Drejtave të Njeriut, çfarë është diçka
normale për t’u bërë nga çdo vend i Europës, brenda ose jashtë BE-së. Kjo
Gjykatë, e cila është më e larta në Europë, ende nuk ka marrë ndonjë
vendim që t’i detyrojë shtetet e Europës për t’ua lejuar martesën çifteve
të së njëjtit seks, edhe pse disa shtete mund ta kenë bërë këtë tashmë.
Disa shtete gjithashtu kanë pranuar të drejtat e adoptimit për të gjitha
llojet e çifteve. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se asnjë prej shoqërive
përkatëse nuk është shkatërruar.

Por meqë duket se gazeta Panorama qenka realisht e interesuar që ta mbajë
diskutimin të hapur, ja ku botohet edhe një artikull i radhës sot, këtë
herë i shkruar nga Robert Aliaj Dragot. Për shkak të absurditetit të këtij
shkrimi dhe faktit se unë jam vetë artist, homoseksual dhe jetoj në
Shqipëri, mendova se do të kish vlerë që t’u përgjigjesha disa prej
gjërave më pak fyese që ai ka thënë atje.

Po filloj duke theksuar se Roberti pretendon të jetë njeri tolerant. Në
fakt ai i toleron homoseksualët që ka rreth e rrotull, dhe ka shumë të
tillë, thotë, sepse Roberti është artist dhe muzikant. Ai madje vëren se
“tashmë janë pranuar gjerësisht në shoqërinë tonë, kemi miq homoseksualë,
ndodhen kudo, në pushtet, në sektorin publik, në televizione, ministri
etj.” Tani, ndoshta në botën e artit ku jeton Roberti gjithçka shkon për
bukuri, por ato që thotë ai bien si shuplakë mbi fytyrat e shumë djemve
dhe vajzave që abuzohen përditë prej familjeve të tyre, ngaqë janë
homoseksualë; sikurse lëndojnë të gjithë ata që kanë frikë të dalin hapur,
sepse do t’i pushojnë nga puna; dhe, më në fund, tingëllojnë si gënjeshtër
e madhe për të gjithë pjesëtarët e komunitetit LGBT që nëpërkëmben dhe
diskriminohen përditë në rrugët e Shqipërisë. Dhe, me sa duket, ka së paku
një njeri në Shqipëri që nuk i ka pranuar homoseksualët: Roberti vetë.

Tani, për hir të paanësisë, Robertin nuk e shqetëson shumë çfarë bëj unë
në dhomën time të gjumit, por më tepër sjellja ime. Ky shqetësim kthehet
në argument përmes dy etapash. Më parë, Roberti vëren se unë dua t’ia
imponoj sjelljen time (e cila, besoj unë, është pak e mërzitshme dhe i
konformohet gjinisë sime) shoqërisë në tërësi, si të ishte ndonjë lloj
modeli “i ri” social i përbindshëm. Më tej, Roberti shton se unë synoj të
ndërtoj një familje homoseksuale dhe të adoptoj fëmijë, të cilëve t’u
mësoj këtë “stil të ri të jetuari”. Dhe meqë ky stil i ri i jetuari
“pervers” është kaq i parezistueshëm, të gjithë heteroseksualët do të
zhduken me të shpejtë dhe shoqëria do të marrë fund, të paktën në formën
që e njohim. Madje do të ndodhë edhe më keq se kaq, sepse artisti ynë kaq
imagjinativ deklaron: “Unë si artist nuk e kam të vështirë të imagjinoj se
si do të vijë një ditë ku stallat e lopëve do të zëvendësohen nga stalla
me gra pjellore që to të prodhojnë fëmijë të destinuar për treg.” Nuk
besoj se kjo na thotë gjë për të ardhmen e njerëzimit, edhe pse na thotë
shumë për botën e fantazisë së Robertit. Në qoftë se ju qëllon të shihni
videoklipin e tij të fundit, “Vende me parfum”, duket, në fakt, sikur
Robertit i pëlqen ta rrethojë veten me gra që janë në kulmin e pjellorisë.
Dhe sikur të kish ekzistuar gjëkundi ndonjë stallë e tillë, jam i sigurt
se Roberti do të dëshironte që t’i mbarste të gjitha me radhë këto lopë,
njërën pas tjetrës. Meqë, si në video-klip, Roberti është i vetmi njeri që
lejohet të hapë gojën. Gratë duhet të rrinë të heshtura dhe të bëhen gati
në krevat, me gjithë shampanjën. Vërtet artist i emancipuar dhe tolerant,
Roberti ynë!

Tani, le t’i analizojmë më në hollësi këto dy etapa në argumentin e
Robertit. Nuk do t’i citoj fjalët e tij gjithë kohës, sepse ai është pak i
pështjelluar në ato që thotë (artist, pra!), dhe m’u desh edhe mua një
copë herë, që të marr vesh se ç’thuhet atje. Pra le të fillojmë nga fundi,
me hapin e dytë. Roberti supozon se “sjellja” homoseksuale do t’u
transmetohet fëmijëve të rritur nga prindërit homoseksualë dhe se kjo do
t’i kthejë edhe ata, fëmijët, në homoseksualë. Sikur të ishte vërtet
kështu, atëherë e njëjta gjë do të kish ndodhur në raportet e përkundërta:
prindërit heteroseksualë gjithnjë do t’ua transmetonin heteroseksualitetin
e tyre fëmijëve, prandaj homoseksualët nuk do të ekzistonin. Mirëpo ne e
dimë që kjo nuk është e vërtetë, meqë Roberti na ka lajmëruar tashmë se ka
plot homoseksualë rreth e rrotull. Prandaj, në qoftë se prindërit
heteroseksualë nuk arrijnë t’i shndërrojnë automatikisht fëmijët e tyre në
djem që duan vajzat dhe në vajza që duan djemtë, atëherë si do ta arrijnë
këtë prindërit homoseksualë me fëmijët e tyre? Studimet në vende të tjera,
ku adoptimi nga prindër të së njëjtit seks është tashmë diçka krejt e
zakonshme, kanë treguar se orientimi seksual i fëmijëve nuk ka fare lidhje
me orientimin seksual të çiftit që i ka rritur.

Ndoshta Roberti dëshiron të thotë se një fëmijë mund të rritet në mënyrë
të shëndetshme vetëm nga burri dhe gruaja që e “krijuan” atë. Mirëpo as
kjo nuk është e vërtetë: të shumtë janë shembujt e fëmijëve të rritur prej
gjyshërve të tyre, ose pjesëtarëve të tjerë të familjes; disa fëmijë
rriten në familje të divorcuara, ku njëri prind jeton tashmë me një
partner tjetër; disa fëmijë janë jetimë, ndërsa të tjerë rriten nga një
prind vetëm. Edhe pse kjo ka ndonjëherë vështirësitë e veta, kush mund të
pretendojë se të gjithë këta fëmijë do të rriten “më keq” se një fëmijë i
rritur nga burri dhe gruaja, prej të cilëve erdhi sperma, përkatësisht
veza, që e përftuan atë rastësisht? Mos janë këta të gjithë fëmijë “të
dorës së dytë”, që rriten në rrethana “të dorës së dytë”? Natyrisht jo.
Cilësia e jetës së një fëmije nuk përcaktohet vetëm nga fakti nëse ai
rritet apo jo nga prindët e vet natyrorë. Mjafton të mendojmë për gjithë
ata fëmijë që rriten në familje të dhunshme, ose në ata që përfundojnë të
vrarë. Këta nuk kanë qenë fëmijë të rritur në çifte të së njëjtit seks.
Përkundrazi, kanë qenë të gjithë fëmijë çiftesh heteroseksuale normale,
por ja që nuk përfunduan mirë.

Arsyeja e fundit e Robertit kundër adoptimit nga prindër të së njëjtit
seks është se kjo do të ishte e vështirë për t’ia shpjeguar fëmijës. Por
kështu janë edhe shumë gjëra të tjera! Si t’ia shpjegosh fëmijës pse disa
njerëzve u pëlqen të dalin në rrugë dhe të rrahin të tjerë njerëz, thjesht
ngaqë këta janë ndryshe? Si t’ia shpjegosh fëmijës pse disa fëmijë
detyrohen të lypin në rrugë? Si t’ia shpjegosh një fëmije pse ka leverdi
që të përfshish një numër të madh femrash të zhveshura në një videoklip?
Prindi i mirë është në gjendje t’i shpjegojë të gjitha këto, dhe shumë më
tepër. Prindi i mirë mund t’ia shpjegojë fëmijës pse është diçka e
mrekullueshme kur dy njerëz e duan njëri-tjetrin; dhe pse kjo është më e
rëndësishme se çdo ligj, standard ose normë.

Tani, le t’i kthehemi pjesës së parë të argumentit të Robertit, dhe
pikërisht se komuniteti LGBT synon me forcë, nëpërmjet një komploti
global, që ta përhapë sjelljen e pjesëtarëve të vet në të gjitha aspektet
e jetës, duke ndikuar mbi njerëzit “normalë” dhe duke i ndryshuar ata, dhe
duke e shkatërruar shoqërinë në proces e sipër, thjesht ngaqë kështu i
pëlqen. Mirëpo, në fakt, kur vjen puna te sjellja, komuniteti LGBT në
Shqipëri, si kudo gjetiu, është mjaft i larmishëm. Ka lloje të ndryshme
sjelljesh që manifestohen nga komuniteti, disa prej të cilave janë më
“stereotipike” se të tjerat. Ndryshe nga çfarë mendon Roberti, kur e quan
Xheni Karajn një lezbike “tipike”, nuk ka ndonjë lloj të vetëm të
“sjelljes” homoseksuale, dhe unë do të isha vërtet kurioz të dija nëse
Roberti do të ishte në gjendje të thoshte, në vështrim të parë, nëse
dikush është gej, strejt, bi, lezbike, etj. Kam frikë se jo, meqë askush
nuk mund ta bëjë këtë.

Prandaj le të supozojmë se, me sjellje homoseksuale tipike, Roberti ka
parasysh, të themi, një burrë që sillet në mënyrë “femërore”: bën gjeste
të ekzagjeruara, mban era parfum të ëmbël, i lëviz duart shumë, bën
tualet, vesh rroba të ngushta, përdor shumë aksesorë... Por, prisni pak: a
nuk është ky përshkrimi i Robertit vetë? Herën e parë që e pashë Robertin,
ai kish veshur një t-shirt të ngushtë me jakë në formë v-je dhe pantallona
lëkure të ngushta; mbante edhe një çantë lëkure të modës dhe mikrokufje të
bardha. Herën e dytë, ai kishte një shall që i fluturonte jashtë mëngëve
të xhaketës dhe këpucë lustrafine; dhe pastaj, ka foto të tijat në
Facebook ku ai ka dalë me shalle bojë rozë me pika të gjelbra, pantallona
të gjelbra dhe syze me skelet të trashë bezhë. Nuk është se më bëhet vonë
për këtë, por ai ose është një hetero në krizë identiteti të tmerrshme,
ose është gej nga më të zjarrtët.

E kam fjalën, nuk ka shumë burra në Shqipëri që përdorin, si për profilin
e tyre në Twitter, një foto ku kanë dalë me thonjtë e duarve të lyer me
manikyr! Prandaj, Robert, kur ti thua në fund të shkrimit tënd kaq të
rrëmujshëm, se “mendja është një makinë e fuqishme që mund të na bindë të
gënjejmë veten se jemi në rregull,” a je vallë i sigurt se nuk po flet për
veten tënde?

Comments

Submitted by Orjeta (not verified) on

Me pelqeu shum ky shkrim.Shkruaj me shpesh vertet

Submitted by Anonim (not verified) on

Qe Roberti qe gabim, ne gjithcka qe gabim. Por qe dhe vete gejte te kapen pas normes dhe stereotipit dhe tradites per ta gjykuar dike si vishet, cfare videoklipi dhe cfare artisti eshte, eshte gabim (pastaj sic po vetdeklarohet Roberti artist po vetdeklarohesh dhe ti). Nqs Roberti meriton pergjigje, meriton pergjigje objektive, vec per ato cka thene. Nqs vete ti si person LGBT gjykon te tjeret si vishen, apo se vishen si "ti", a spo ben autogol? Ne nje lloj niveli, e gjithe beteja e LGBT eshte kunder paragjykimit dhe pro lirise individuale te tjetrit. Si e kerkon kete kur ja aplikon pa frike dikujt tjeter?

Submitted by Ari (not verified) on

Z Anonim, me pelqen komenti juaj me nje nderhyrje te vogel do thosha qe Roberti nuk eshte vetedeklaruar artist, besoj per te gjithe ata qe kane sy ne balle, dhe pak llogjike kuptojne qe qroberti eshte nje artist i rralle, pa dashur ta akzagjeroje.
Flm

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Une vetem nje pyetje kisha, sa veta jane bashke-autore te ketij shkrimi se nuk po u a ndaj dot emrat dhe titujt.......?

Submitted by Spiro (not verified) on

Shkrim shume i dobet, per te ardhur keq bile. Per me teper banal, fyes per mua qe jam pro tolerances por jo pro hakmarrjeve vulgare. Kerkohet tolerance, jam krejtesisht dakord, por qendroni tolerante. Jo paragjykues, kjo eshte e pa tolerueshme. Sa qesharake te fyesh dike qe ka mendim te kundert, me te njejtin argument qe ndjehesh i fyer.  Hajduti qe thote ti je hajdut per vete. Nivel i dobet. Nuk dua ta besoj. Sa hakmarrje imorale dhe e dobet qe ti hedhesh hi syve te tua duke hedhur balte mbi nje artist qe nuk te nderon ta mohosh. Une i kuptoj frustracionet e tua, por tek artikulli i Robertit nuk gjeta arsye per kete reagim. Niveli i reagimeve neper blogje eshte teper vulgar.

Submitted by Ari (not verified) on

Po kerkoja te shkruaja dicka ne profilin FB te ketij zoterise por eshte e pamundur, perkundrazi profili i z Robert eshte i hapur per te gjithe, edhe per ata qe bejne komente negative. Kur lexoj reagimet e ashpra dhe shpesh te nje niveli te ulet besoj se Roberti ka te drejte, dhe eshte tolerant mbi te gjitha. Une dua tju propozoj te jeni me te kujdesshem sepse po demtoni shume imazhin e komunitetit tuaj qe eshte tashme ne nje pikepyetje te madhe. Mos u merrni me gjera te vogla.
Nga nje simpatizant

Submitted by mikanoki (not verified) on

Une nuk kam si t'i njoh paraardhesit e mi pertej tre brezave por ju detyrohem qe ata ja dolen atje ku te tjeret nuk lane dot trashegimtare per shkaqe te ndryshme dhe u zhduken. Ndryshimet klimatike, fatkeqesite natyrore, semundjet, luftrat, shpernguljet kane bere kerdine mbi racen tone ne shekuj. E megjithate te paret e mi fituan si burra te thjeshte duke u mbeshtetur tek grate e tyre. Fituan si burra me koqe qe krijuan familje dhe i dolen zot. Perderisa ti je sot ketu dhe shkruan kunder Robertit, keshtu kane bere dhe paraardhesit e tu. Ne jemi prova e kesaj fitoreje. Por ti dhe grupi qe perfaqeson nuk e keni per gje ta stoponi kete perpjekje qindramijeravjecare te qindramijera njerezve, per arsye qe as vete nuk jeni ne gjendje t'i formuloni. Cdo tolerance qe i behet ketij akti nuk eshte gje tjeter vec hipokrizi. "Vende me parfum" - e papare!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.