Ismail Kadare takon Dorian Grejin e vet
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/3868_malo.jpg?itok=J7NSpnNH)
Mjegullat e Tiranës e ka titullin romani i fundit i Ismail Kadaresë. Që në fakt është i pari. I tillë në të gjitha kuptimet, siç e pranon edhe autori në intervistën paraprirëse të librit. Aq shumë i pari, pra i thjeshtë, nxitimtar sa, nëse ta japin në dorë vetëm si tekst pa shenja shpjeguese, do të thotë pa emër autori e të tjera, nuk do t’i bije kurrë në të se i përket studios së Kadaresë.
Nuk ka aty kurrfarë kadareizmi, duke patur megjithatë. Por, para se të shkohet te shenjat letrare, në këtë rast pa ndonjë interes, është e rëndësishme të shpalohen ca shenja të tjera.
Më e madhja dhe më domethënësja ndër to është emancipimi. Autori i dhjetëra librave që konsiderohen vepra, e për shumë kryevepra, edhe pse është përballur, gjatë ndoshta, me dilemën e botim/mosbotimit ka vendosur të hedhë në dritë një tekst që pothuajse nuk është i tij. Një tekst që, siç e thotë vetë, ka jetuar njëfarë jete të midistë. Është një përballje e portretit të gjeniut me portretin e artistit në rini. Ismail Kadare takon Dorian Grejin e vet. Kjo është një shenjë emancipuese.
Me këtë përballje shkrimtari-sundues i dhuron vendit dhe lexuesve të tij një histori dashurie. (Sa të tilla kemi sot në kulturën e historive me dashnore?!)
Edhe në raport me veten letrare Kadare bën një sforco, por e hedh një dorashkë guximi në drejtim të namuzit të vet, të autostimës, të sqimës po deshe. Ai sikur thotë se, çka shihni është ajo ç’kam qenë, e çka jam është gjithçka kam nxjerrë prej vetes. Pas poezive naive të ‘Kronikë në gur’ me kush punon / rehat shkon kam shkruar edhe ‘Mjegullat e Tiranës’ (një ditar më shumë se roman). Për të ardhur pak vjet më vonë te një kryevepër si ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. E kështu me radhë deri në pafund, në atë infinit ku të fton literatura e tij.
Sigurisht edhe te Mjegullat… mund ta gjesh Kadarenë, ose të paktën spikamën e ftohtë të Kadaresë që do të shtrihej mbi këto mjegulla për t’u bërë një qiell i madh letrar. Në vitin 1958, kur letërsia shqiptare qe mbërthyer në dikotominë banale personazh pozitiv-personazh negativ, 20-vjeçar a më pak, student i Letërsisë, ai rrëfen një letërsi jashtë dhe përtej socrealizmës.
Kur librin e sheh si të tillë, pra vetëm si tekst, sot, mund të të duket pakogjë. Por nëse e shpjegon brenda kontekstit, qoftë atij politik e social të kohës, apo edhe brenda moshës fizike të autorit, romani fiton një përmasë tjetër. Ndoshta të romanit të parë post-socrealist. Bash dhe mu, aty dhe atëherë, kur socrealizmi vetë po lindte në shtërzim.
Me këtë shenjë vjen ky roman, siç ndoshta bart edhe një akt ngashnjimi të autorit. Ai ritakohet kështu me dashurinë e tij të parë, me të vluarën e vet të dikurshme, që siç shpjegon, nuk e ka parë më kurrë. Romani bëhet kështu një akt i llojit serendipity, një zbutës mbi shpinën e ashpër të ngjarjeve që prodhohen në Shqipëri. Një emancipim që Kadare nuk e ka për herë të parë, sigurisht, por megjithatë çdo herë ardhja e tij duhet lajmëruar.
Në fund pra, ai ia kthen dashurinë Emës.
Gazeta Mapo
Comments
Po c'ne krahasimi me Dorian
<p>Po c'ne krahasimi me Dorian Gray? Dorian Gray-n e kam lexuar ne origjinal dhe e di mire historine. Mjegjullat e Tiranes, jo. Por intervisten e gjate me titullin manipulator dhe sensacional "Rrefimi i Ismail Kadarese: Romani i ri, historia ime e dashurise me 'Emen'" (si c'bejne ngahere e krejt ne menyre te pritshme e vulgare gjithe gazetaret Tiranes, perfshire edhe intervistuesen Viola Isufaj ne kete rast) e lexova. Dallimi kryesor qe spikat, meqe fokusi duket qarte se s'eshte tjeter vec "dashuria dhe dashnorja" eshte se Dorian Gray e lendon zemren e Sibyl Vane, e poshteron aktoren e marrosur prej tij dhe e shtyn ne vetevrasje prej lendimit. Ndersa, me Kadarene, me sa kuptoj s'ka absolutisht asgje te tille. Madje ndofta (nuk e di) eshte e kunderta, mbase ka munguar reciprociteti nga ana e vajzes, ose s'ka patur kurrefare plagosje zemrash delikate ne te tilla permasa saqe ta shtynin "Emen tone" ne vetevrasje!</p><p>Por, ndosha s'mund te presesh me shume prej s235henimeve 500 fjale e gjysem qe serviren si artikuj kritike plot bombast, shkume e tym.</p>
Kisha degjuar per letersi
<p>Kisha degjuar per letersi hermetike .... hera e pare qe lexoj kritike hermetike !</p><p> </p>
Add new comment