Homofobia dhe Heteroseksizmi
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2437_zcf.jpg?itok=tDYC3R-K)
Heteroseksizmi, një lojtar i shkathët që përdor një nga armët më efikase të Seksizmit, homofobinë. Sipas heteroseksizmit bota është dhe duhet të jetë heteroseksuale dhe norma e rregullimit të marrëdhënieve midis popullatës është shfaqja e fuqisë dhe ndarja e privilegjeve, kjo krijon një klimë të përshtatshme për homofobinë. Heteroseksizmi është shfaqja sistematike e homofobisë në institucionet e shoqërisë.
Nuk është rastësi që brezat e rinj në moshën e pubertetit, kur njohin pikun e vetëdijes seksuale, fillojnë të ngacmojnë njëri-tjetrin me fjalë si "pederast", "homo" etj. Kjo ndodh sepse në pubertet shfaqet forca e vërtetë e presionit të shoqërisë për të qënë konform me heteroseksualitetin dhe për t'u martuar. Fëmijët dinë atë që u mësohet dhe të gjithë u kemi dhënë mesazhe të qarta për ata që dalin jashtë standardit: të kthehen përsëri në "vijë". Taktika e presionit psikologjik më e mirë në moshën e pubertetit është të jesh i trajtuar si një i jashtëm, të ndihesh i padëshiruar pikërisht kur është më e nevojshme të jesh i pranuar. Ata që janë të ndryshëm duhet të ndjejnë "humbjen". Gjithashtu, në pubertet misogjinia bëhet më e dukshme dhe vajzat janë nën presionin për të qënë brenda normave shoqërore të cilat nuk i lënë vend atyre për të kuptuar potencialin e tyre të plotë. Kjo është periudha kur arritjet akademike bien në përgjithësi.
Në Shqipëri nuk ka patur një revolucion seksual dhe ende sot dy janë akzat të cilat mund ta gjymtojnë moralisht një femër, kurvë dhe lesbike. E para përdoret si kërcënim seksual dhe tregues pronësie nga ana e meshkujve, ndërsa e dyta është një kërcënim total i cili e zhvesh femrën nga çdo fuqi dhe privilegj; kërcënimi e të qënit e huaj, e braktisur, e pambrojtur.
Lesbiket dhe Gejt : Një kërcënim për shtyllën e Seksizimt
Një lesbike perceptohet si një femër që ka dalë nga turma, e cila është jashtë varësisë seksuale dhe ekonomike të mashkullit. Një lesbike perceptiohet si një femër jashtë të pranueshmes, jashtë rutinës gjinore. Ajo shikohet si një individ pa institucione shoqërore për ta mbrojtur dhe që nuk ka privilegjin e mbrojtjes të plotë të meshkujve individualë. Shumë femra heteroseksuale i shikojnë ato si dikush në kundërshti me sakrificat që ato kanë bërë për të qënë konform me heteroseksualitetin. Një lesbike perceptohet si një kërcënim për bërthamën familjare, për sundimin dhe kontrollin e meshkuve, për vetë shtyllën e seksizmit.
Meshkujt gej perceptohen gjithashtu si një kërcënim për sundimin dhe kontrollin e meshkuve dhe homofobia e shfaqur ndaj tyre ka të njëjtat rrënjë në seksizëm si homofobia kundër lesbikeve. Meshkujt gej të dukshëm (bëhet fjalë për atë që kanë dalë hapur!) janë edhe shënjestra e frikës dhe urrejtjes ekstreme prej meshkujve heteroseksualë sepse ata thyejnë solidaritetin e burrave, e kjo gjë shihet dëmtuese për një seksizëm të fortë. Ata shihen si të pabesë, tradhëtarë që duhen dënuar dhe eliminuar. Mes rrahjeve dhe vrasjeve e meshkujve gej shihen qartë provat e kësaj urrejtjeje. Kur bëhemi dëshmitarë të homofobisë ndaj gejve, mund të fillojmë të kuptojmë se në ç'mënyrë seksizmi ndikon mbi meshkujt duke i imponuar role gjinore të ngurta dhe depersonalizuese.
Dy rrethanat në të cilat është legjitime për meshkujt të jenë fizikisht dashamirës ndaj njëri-tjetrit janë sportet dhe krizat ushtarake/luftërat. Për shumë meshkuj, këto dy eksperienca janë majat më të larta të jetës së tyre dhe ata i mendojnë shpesh, sportet me nostalgji. Lufta dhe sporti afrojnë një mbrojtje për shprehjen hapur të dashurisë ndaj tjetrit në një ambjent vetëm me meshkuj pa qënë nevoja e lidhjes të kësaj sjelljeje me homoseksualitetin. Kur meshkujt gej fillonë të krijojnë lidhje dashurore jashtë zonave të sigurta, ata etiketohen si "burra jo të vërtetë", pra, identifikohen si femra, seksi i dobët i cili duhet të dominohet dhe që përgjatë shekujve ka qënë objekt i urrejtjes dhe abuzimit të burrave. Misogjinia kalohet tek homoseksualët si hakmarrje dhe përforcohet nga frika se mos sjellja dhe identiteti seksual i tyre do të rrëzojë sistemit e sundimit të mashkullit dhe heteroseksualitetit të detyruar.
Add new comment