Gjykata e Lartë lë në fuqi sekuestron e portit të Sarandës
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi sekuestron e Portit të Sarandës, duke hedhur poshtë rekursin e dy kompanive “Concord Investment” sh.p.k. e Artan Dulakut dhe “Kastrati Group” sh.a. e Shefqet Kastratit. Dy kompanitë në fjalë ankimuan vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit më 24 shkurt 2023, për vënien nën sekuestro të “Bazës Ndihmëse të Limionit, Sarandë”. Kjo e fundit është bazë e Forcave Detare, e cila është dhënë me koncesion dy kompanive.
Deri në vitin 2020, baza detare ka qenë pronë e ushtrisë shqiptare. Por me një VKM të po atij viti, qeveria ia dha me qira kompanive të Kastratit e Dulakut, të përfaqësuara nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk.
Këtë të fundit, VKM e qeverisë e bëri qiramarrëse të 265 000 metër katrorë tokë, në një prej zonave më fitimprurëse të Sarandës, për të ndërtuar një kompleks vilash, hotelesh dhe një port turistik jahtesh për ankorimin e anijeve.
Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, e kallëzoi në SPAK me argumentin se disponimi lirisht i kësaj prone nga subjektet private, cenon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare, operacionalitet i cili duhet të vazhdojë të kryhet nga organi kompetent që është Komanda e Forcës Detare, pa ndërhyrje të subjekteve private.
Meçollari ngarkoi me përgjegjësi edhe presidentin e Republikës, Bajram Begaj, i cili në kohën e firmosjes së kontratës ka mbajtur detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
VKM e qeverisë u jep dy kompanive të drejtën për të shfrytëzuar për 35 vjet portin me qira 1 euro.
Add new comment