“Po rrisim pagat, po nuk ka lidhje me fushatën”
Në mbledhjen e sotme, qeveria vendosi sot rritjen e pagave për një kategori punonjësish. Kabineti i Ramës ka rënë dakord për projektligjin për rritjen e pagave, falë të cilit paga mesatare do të shkojë nga 563 euro, në 900 euro.
Në kategoritë që përfitojnë rritje të pagës bien në sy mësuesit, të cilët kanë paga edhe më të ulëta se homologët në Malin e Zi dhe Kosovë.
Rritje pagash do të ketë edhe për infermierët, një kategori profesionistësh që prej disa vitesh janë orientuar drejt tregut të punës në Gjermani dhe vendet e tjera të Europës.
Pedagogët janë një tjetër kategori me të cilët qeveria ka vendosur të tregohet bujare, duke ua rritur pagën me 20%. Kryeministri e ka refuzuar kërkesën e tyre të vazhdueshme për rritje page dhe i ka injoruar protestat e nisura që në fillim të vitit akademik, ndaj ky vendim i papritur nuk mund të mos lidhet me fushatën e 14 majit.
I pyetur nëse kjo rritje vjen për shkak të zgjedhjeve, Rama u shpreh se , “rritja e pagës nuk ka lidhje me fushatën elektorale dhe madje mund t’ju them se ne nuk kemi nevojë të rrisim pagat për të fituar zgjedhjet”.
Kryeministri ka vendosur t’i rrisë pagën edhe presidentit të Republikës. I zgjedhur me votat e maxhorancës, Bajram Begaj do të jetë i pari president që gëzon një rritje bujare prej 170 mijë lekë, çka e çon pagën e tij në 425 mijë lekë.
Add new comment